Home » Kulturë » Një tezë doktorature që dëshmon lashtësinë e gjuhës shqipe

Një tezë doktorature që dëshmon lashtësinë e gjuhës shqipe

Dokotoraturë “Magna cum laude” e Renata Topçiu-t për frazeologjinë shqiptare-rumune

 

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

 

 

 

 

 

 

 

 

Para se të shkruaja këto radhë, po mendoja a ka interes publik mbrojtja e doktoraturës së dikujt?! Mbase është vetëm një sukses personal i dikujt dhe mund të mbetet gëzimi i personit që synon gradën shkencore?! Këto ditë kam asistuar, bashkë me elitën rumune dhe me përfaqësuesit më në zë të shqiptarëve të Rumanisë në një eveniment që duhet ta ndaj me të gjithë ata që gëzohen kur shkenca jonë shënon arritje të certifikuara nga akademikët e huaj. Mendoj se meritat shkencore personale të personit janë një e mirë e përbashkët e shoqërisë sonë, kurse rezultatet shkencore të tij janë pjesë e thesarit të identitetit tonë kombëtar.

Marrëdhëniet e rumanishtes dhe shqipes në fushën e gjuhës kanë qenë gjithmonë në vëmendjen e gjithë gjuhëtarëve të mëdhenj europianë, si dy nga gjuhët më të vjetra të Gadishullit Ballkanik. Duke studiuar këto raporte, Eqrem Çabej do të shprehej: ”Ajo (afria midis shqipes dhe rumanishtes sh.y.) është aq e madhe, sa gjuhëtari ka shpeshherë përshtypjen që ka përpara tij një lëndë gjuhësore të vetme, që paraqitet me dy forma të ndryshme”

Këto ditë, në një nga sallat e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Bukureshtit, znj. Renata Topçiu mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Frazeologji rumuno-shqiptare”, tezë e drejtuar nga akademiku dhe gjuhëtari i shquar rumun Grigore Brancus, albanolog dhe profesor universitar.

Renata Topçiu është bashkëautorja e parë e Fjalorit më të madh akademik shqip-rumanisht, me 41.000 fjalë-tituj dhe me mijëra shprehje dhe frazeologji, botuar nga Shtëpia Botuese Polirom, 2003. Ajo ka punuar si lektore universitare pranë Universitetit “Ovidius” të Konstancës për vite me radhë, si themeluese e albanologjisë në këtë Universitet.

Kryetari i komisionit, Prof. Dr. Emil Ionescu, vuri në dukje rezultatet e shkëlqyera të provimeve dhe referateve në fazën përgatitore të doktoraturës dhe rëndësinë e këtij punime me vlera të posaçme në fushën e gjuhësisë së krahasuar. ”Teza e doktoraturës e studiueses Renata Topçiu shënon një hap të ri në fushën e shkencave gjuhësore, duke hedhur dritë në një nga fushat më të rëndësishme të gjuhës, por dhe të mendësisë të dy popujve, të konstitucionit shpirtëror të tyre, të vizionit që kanë shqiptarët dhe rumunët për botën.

 

Duke filluar qysh nga shekulli i XIX gjuhëtarë rumunë, gjermanë, austriakë më vonë dhe shqiptarë do të shtronin disa teori mbi prejardhjen e popullit rumun dhe atij shqiptar, duke i dhënë një rëndësi të posaçme historisë së këtyre gjuhëve dhe fisërimit të tyre.” – vuri në dukje Prof. Dr. Emil Ionescu.

Znj Topçiu, në fjalën e saj, para komisionit dhe publikut që asistoi në këtë moment të rëndësishëm, theksoi se “Rezultatet tona lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me vetë sistemet gjuhësore të shqipes dhe rumanishtes. Këto rezultate mund të mbështesin apo mund të kundërshtojnë rezultatet e kërkimeve të mëparshme në nivele të tjera të dy gjuhëve: leksikor, morfologjik, sintaksor apo të formimit të fjalëve”.

Përveç të tjerash, ajo përcaktoi edhe synimet e këtij kërkimi: “Duke përfituar nga arritjet e kërkimeve të mëparshme mbi frazeologjinë rumuno-shiptare, mbi frazeologjinë ballkanike dhe atë dygjuhëshe, ndërmarrja jonë synoi zgjerimin e problematikës, pasurimin e fondit të përbashkët frazeologjik shqiptaro-rumun me paralele frazeologjike të reja si dhe përcaktimin e nivelit të afrimit të frazeologjisë shqipe me atë rumune në planin e përmbajtjes së materialit leksikor, në plan semantik, gramatikor e strukturor si dhe stilistik”.

 

Më pas e mori fjalën udhëheqësi shkencor i këtij punimi, Akad. Prof. Dr. Grigore Brancus, i cili, ndër të tjera tha: “Nga gjuhëtarët rumunë që kanë hetuar ngjashmëritë frazeologjike të rumanishtes dhe shqipes janë Sextil Puscariu, Al. Philippide, Pericle Papahagi, Al. Rosetii, Th Capidan, Gr. Brancus, Catalina Vatasescu etj., ndërsa ndër gjuhëtarët shqiptarë mund të kujtojmë Al. Xhuvanin, Eq. Çabej, Mahir Domi, Spiro Floqi, Emil Lafe, Jani Thomaj etj. Znj. Topçiu vazhdon me sukses punën e tyre.

Pasi rreshtoi disa nga rezultatet konkrete të punimit të znj. Renata Topçiu, akademiku rumun u shpreh: “Çmojmë me vlerësim të veçantë tezën e doktoraturës së paraqitur nga zonja Renata Topçiu, një gjuhëtare e formuar profesionalisht, e cila njeh me themel historinë e të dy gjuhëve dhe relaton me kompetencë strukturat leksiko-gramatikore të vjetra përmes të cilave nxjerr në pah fisërimin e tyre origjinar.”

Referentja e punimit të doktoraturës, znj. Catalina Vatasescu, studiuese e vjetër e gjuhës shqipe, specialiste në Institutin e Studimeve të Europës Jug-lindore, mes tjerash tha: “Studimi që na është paraqitur është rezultat i një aktiviteti shkencor intensiv. Bie në sy mënyra se si është menduar dhe janë zgjidhur shumë probleme të karakterit teorik si dhe vëmendja me të cilën është mbledhur një material gjuhësor mbresëlënës. Ky subjekt ka një shkallë të lartë vështirësie sepse bëhet fjalë një studim që krahason dy gjuhë. Autorja e punimit të doktoraturës është një njohëse e mrekullueshme e rumanishtes, jo vetëm e gjuhës shqipe, cilësi që del në pah, sidomos, në kapitullin e komenteve stilistike të disa njësive frazeologjike ekzistuese në dy gjuhët. Ky punim është i shkruar qartë, me një stil të ngjeshur dhe elokuent.”

 

Renata Topçiu njoftoi dashamirësit dhe të gjithë ata që janë të interesuar për marrëdhëniet midis këtyre gjuhëve, se tashmë është përgatitur, në bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Dr. Luan Topçiu dhe Ana Melonashin, një tjetër fjalor dy gjuhësh rumanisht-shqip, me 55 000 fjalë, ndërsa si pasojë e studimit për frazeologjinë ka përgatitur dhe një fjalor tjetër voluminoz, frazeologjik rumanisht-shqip. Njëzëri, komisioni vlerësoi tezën e doktoraturës me rezultatin maksimal “Magna cum laude”. Një moment i rëndësishëm për shkencën shqiptare, jo vetëm për studiuesen, por për të gjithë ata që janë të interesuar për dijen, për kërkimin shkencor dhe për lashtësinë e gjuhës shqipe.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch