Home » Kulturë » Një vit, pa shkrimtarin skënder Hasko…

Një vit, pa shkrimtarin skënder Hasko…

   Nga: Bardhyl Xhama

   shkrimtar, “Mësues i merituar”-Tiranë

 

 

 

 

 

 

 

S.Hasko                                

         

E kam njohur Skënder Haskon shumë vite më parë, kur ishte kryeredaktor i revistës “Pionieri”. Lidhja jonë vazhdoi e u forcua, gjerësa u bëmë miq të ngushtë. Fillimisht, na lidhi profesioni i gazetarit, pastaj ai i shkrimtarit. Por, mbi të gjitha, te Skënderi njoha dukatasin e mirë, familjarin shembullor,  burrërinë e labit, shpirtin e pastër tërë humor, ndershmërinë dhe fisnikërinë e një njeriu  të çiltër, zemërgjerësinë e një bamirësi, që nuk rreshti kurrë të ndihmonte shokët dhe shkrimtarët e rinj, veçanërisht me këshillat e redaktimet e tij cilësore, në Shtëpinë Botuese “Toena”, ku punoi në vitet e fundit.

I lindur në Dukat të Vlorës, më 2 mars 1936, kaloi një fëmijëri me halle, në një familje të madhe me tetë fëmijë. Po, i jati dhe e jëma sakrifikuan dhe i arsimuan të gjithë, shtatë prej tyre me shkollë të lartë. Ndërsa Skënderi nuk rreshti së ngjituri, një e nga një, shkallët e shkollimit e të karrierës. Punoi  mësues në fshatin e tij të lindjes, Dukat, falë një kursi pedagogjik mbas mbarimit të shtatëvjeçares; punoi mekanik në Uzinën Mekanike në Kuçovë, ku ishte aktor i estradës profesioniste të Beratit e dha ndihmesa me vlerë. Pasi  mbaroi Universitetin për gazetari, në disa vite e ushtroi detyrën e redaktorit në revistën “Hosteni”. Më tej,  punoi në Shtëpinë Qendrore të Krijimtatrisë Popullore dhe më pas  kryeredaktor i gazetës “Pionieri”. Që nga viti 1990 e  gjersa e nxorën në pension të parakohshëm, drejtoi Teatrin Kombëtar të Fëmijëve (ish-Teatri i Kukullave).

Por edhe kur doli pension, nuk rreshti së punuari, jo vetëm krijues në letërsi, por edhe drejtues e veprimtar i shquar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.

Veprimtaria e Skënder Haskos është e gjerë dhe e larmishme, me ndihmesa të shquara në shumë fusha të kulturës e dijes. Ai është poet, përralltar, tregimtar, novelist, romancier, dramaturg. Ka shkruar në të gjitha gjinitë dhe për të gjitha moshat. Por, “kurorën e artë”, ai e ka fituar shkrimtar i letërsisë për fëmijë e të rinj, për të cilët na ka lenë vepra të shquara, të cilat do të mbeten përherë në thesarin e kulturës sonë kombëtare.

Bilanci i krijimtarisë së tij është i gjerë, i larmishëm e cilësor. I janë botuar rreth 50 libra, romane, novela, vëllime me përralla, me tregime, me rrëfenja, poema, vëllime me vjersha, 13 drama e komedi, 6 pjesë për tetarin e kukullave, dy skenarë filmash për fëmije, libra me kujtime etj. Pak kohë para se të ndahej nga jeta, dorëzoi për  shtyp,  në Shtëpinë Botuese “Toena”,  veprёn madhore  “Fjalori i Shkrimtarëve Shqiptarë”. Në këtë përfshihen krijuesit e tё gjitha trevave shqiptare dhe tё tё gjitha kohrave, e cila pritet të botohet së shpejti.
Pothuajse, të tëra veprat e tij për fëmijë janë ribotuar, madje disa herë, si në Shqipëri dhe në Kosovë e Maqedoni. Rekordin e mban libri “Vallja e shkronjave”, i ribotuar 9 a më shumë herë.
Librat e Skënder Haskos janë çmuar lart jo vetëm nga lexuesit, veçanërisht shkollarët, por edhe nga kritika e nga juritë kombëtare. Është nderuar me 14 çmime në konkurset kombëtare, për librat :

1- Nje gjeneral kapet rob(e kthyer dhe në film). 2- Ata që të bëjnë për të qeshur. 3- Qeshin kafshët shtëpiake. 4- Dinakja me vesh të grisur. 5- Çudirat dhe e fshehta e Zamirit. 6- Çimi dhe roboti budalla. 7- Pas mësimit (pjesë teatrale). 8- Në ditët e luftës (pjesë teatrale). 9- Tip-tap 5 x 5 (komedi).
Ndërsa vitet e fundit çmimet e fituara janë emërtuar, si më poshtë:
Çmimin “La Fonten”, dhënë nga Ambasada Franceze, për novelën-përrallë “Mbret i tigrave”; çmimin “Viktor Eftimiu”, dhënë nga ambasada rumune për novelën-përrallë “Arushi hundëkavanoz; çmimin “Xhani Rodari”, dhënë nga ambasada italiane për romanin-përrallë “Të burgosurat e Xhuxhumit” (Një kopje e diplomës së këtij çmimi është vendosur në muzeun e Xhani Rodarit, në Itali); çmimi “Tasim Gjokutaj”, dhënë nga Shtëpia Botuese Toena, për romanin “Arratisja e Tupe Xhelos”. Ndërsa romani “Gjashtë muaj nga jeta e Besianit” është vlerësuar libri më i mirë për fëmijë, në Panairin e librit të vitit 2005.

U nda nga jeta një vit më parë, më 5 shkurt 2013.Por Skёnder Hasko do tё rrojё nё kujtesën e familjes, tё shokёve e tё gjithё krijuesve, jo vetëm pёr veprat e tij tё shquara letrare, po edhe si njeri i përsosur, shok e mik i nderuar.

E la të shkruar, me dorën e tij, “Letrën e lamtumirës”, e cila iu lexua në ceremoninë e përmortshme. Midis të tjerash, në të shkruhej:

“…Duhet ta dini,  se ju kam dashur shumë. Por, ashtu si gjithë njerëzit, edhe unë mund të kem lënduar ndokënd, veçse, ju betohem për ç’kam pasur më të shtrenjtë në jetë: për fëmijët e tërë njerëzit e mi të afërt, se nuk e kam bërë kurrë me qëllim, por nga nxitimi ose nga pakujdesia. Prandaj, kushdoqoftë, të më falë! Ajo falje do të më ngrohë, ndaj do ta marr me vete dhe do fle me të, atje ku po shkoj. Edhe unë i kam falur të gjithë ata, që më kanë plagosur shpirtërisht, me bëmat e tyre. Le të jetojnë të qetë, se unë…”.

E la amanet, me gojë e me shkrim, që të varrosej në Dukat, në fshatin e tij të lindjes, që e donte aq shumë, por edhe pranë e pranë me bashkëshorten e shtrenjtë, Shanen, e ndarë nga jeta një vit para tij. Dhe, ashtu si thotë poeti, “siç u deshën përmbi dhe, ashtu do të duhen dhe nënë dhe”.

“Po pse erdha në Dukat”? – shtron pyetjen Skënderi, në  “Letrën e lamtumirës”. Dhe përgjigjet:

-Dëgjojeni!

          Dukati im, në djepin tënd erdha në jetë

Dhe Ti më mësove si të eci vetë!…

…Ndaj, po vij të tretem në gjirin tënd-valë,

Se unë të kisha prind e Ti më kishe djalë.

Me dheun tënd trupin do përziej,

Që ngrohtësinë tënde, ditë  e natë, ta ndiej!

Si pa u kuptuar, kaloi një vit pa Skënder Haskon! Na rëndon e na trishton mungesa, na prek, na ngjall kujtime dhe emocione. Por krenohemi me personalitetin e tij,  me veprën e tij, me trashëgiminë letrare, që u ka lënë brezave. Dhe kjo e bën atë të pavdekshëm.

Tiranë, 8 shkurt, 2014

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch