Home » Histori » Njeriu që mban gjallë aforizmën shqiptare

Njeriu që mban gjallë aforizmën shqiptare

Halim HasaniGazeta SHEKULLI, Shqipëri

 

Njeriu që mban gjallë aforizmën shqiptare

  • Shkrimtari, i cili ka krijuar më shumë se 2000 aforizma në 20 vitet e fundit. Halim Hasani ka nxitur një frymë të re në letërsinë shqipe

Publikuar më 25.08.2014 | 11:25

 

Nga Sevdail Hyseni 

Në botën shqiptare, aforizmi nuk është i zhvilluar sa duhet. Ky mendim filozofik, i thënë shkurt e me fuqi shprehëse, pak është kultivuar nga mendjet e ndritura shqiptare. Të paktë janë ata krijues shqiptarë, të cilët iu përkushtuan enkas kësaj forme të të shkruarit, për ta çuar përpara traditën aforistike në historinë e letërsisë shqipe. Thënie të bukura e të goditura fuqishëm, një mësim të nxjerrë nga jeta, nga Rilindësit e këndej, po shkruajnë nganjëherë poetë e shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare. Po unë do ta veçoja një krijues nga Lugina e Preshevës, Halim Hasani, i cili me pedanteri iu rrek hartimit të Aforizmit, të cilën e ka përmbledhur në disa libra, për ta rrumbullakësuar në një të vetëm, me jo më pak se 2 mijë të tilla. Dy mijë aforizma të shkruara nga mendja dhe dora e Halim Hasanit, janë një thesar i pasur i kulturës shqiptare. Ky krijues nga Dobrosini i Bujanocit, kështjella e rezistencës shqiptare, arriti që nga viti 1993, kur e filloi me librin “Aforizma të kohës”, pastaj libri tjetër “200 Aforizma”, për të vazhduar me “Aforizma bashkëkohorë”, “Aforizma”, “Fjali pa mahi” e deri te “1021 Aforizma”, tregoi se ka fituar një kulturë të lartë të shkrimit të mendimit filozofik, duke u bë legjendë e aforizmit shqiptar. Duke shfletuar këto libra aforistik-përmbajtjesor e me përgatitje të lartë teknike,  dëshmojnë përkushtimin e këtij autori, për të sjellë në duar të lexuesve vepra dinjitoze me vlera të larta letrare. Përmes këtyre librave me Aforizma, Halim Hasani, i ka dhënë letërsisë shqipe një frymë të re, një mesazh të qartë për këtë lëmi të artit krijues.

Në këto 21 vjet të shkrimit të aforizmit e të përmbledhura brenda kopertinave të pesë librave, autori Halim Hasani, ka shkrirë inspirimin e tij, përvojën jetësore, krejt nëpër këto mendime të larta filozofike. Një nga recensentët e librave të shumtë të Halim Hasanit me aforizma, Bilall Maliqi, kryetar i Lidhjes së   Shkrimtarëve nga Presheva, pat thënë: “Puna e palodhshme krijuese e Halim Hasanit, sidomos në krijimin e aforizmave, gjetjen e temave, mbarështimin e tyre, shtjellimin dhe shndërrimin në aforizma, dosido i është dashur punë sistematike që duhet përshëndetur dhe si i tillë mbetet krijuesi më produktiv i këtij zhanri deficitar e hulumtues në Kosovën Lindore”. Për librat me Aforizma të Halim Hasanit, kanë shkruar edhe recensentë të tjerë, duke mos lënë anash as parathënien e Hysen Këqikut: “Një vepër me vlera të pakontestueshme edukative”, në të cilën dëshmohet se autori është krijuesi i parë nga Kosova Lindore, që del me një vepër që përmban 1021 aforizma e që kapin një gamë të gjerë ngjarjesh, dukurish a fenomenesh. Unë them se me këto pesë libra me Aforizma, Halim Hasani, kapërcen kufijtë e rajonit të Kosovës Lindore, duke u bërë një krijues me shtrirje gjithëkombëtare, në pasurimin e mendimit filozofik. Kujt i ka rënë në dorë ndonjë nga pesë librat e autorit me Aforizma, s’ka se si të mos i lënë përshtypje ato mendime të arta, të dalë nga shpirti mendimtar i këtij krijuesi, me përvojë të gjatë në fushën e shkrimit shqip. Aforizmat e Halim Hasanit e kanë burimin te urtësitë popullore, të sajuara nëpër shekull. Ato në vete ngërthejnë një mësim, një porosi, një këshillë të urtë. Në këto krijime shkurt e shqip, jepet një mesazh i qartë me vlera të mëdha njerëzore.

E shkuara dhe e tashmja në botën e aforizmave  

Motivet e ndryshme të shkrira nëpër mendimet filozofike të autorit, i japin veprave të Hasanit, një dimension shumëdimensional. Ai, është një njohës i mirë i thesarit popullor, dokeve dhe zakoneve shqiptare. Si njohës i mirë edhe i rrethanave shoqërore-politike, autori, ka krijuar aforizma me domethënie të lartë, duke i ofruar lexuesve shprehje të bukura dhe joshëse. Nga këto aforizma na del porosia e shprehjes edukative, moralizuese me një gjuhë të pasur e të kulluar shqip, me figura të zgjedhura stilistike. Përdorimi i ironisë, alegorisë, metaforës, krahasimit, i bëjnë aforizmat e autorit, të këndshëm për lexim dhe komentim. Duke shfletuar librat me aforizma të Halim Hasanit, na dalin përpara: dashuria, njerëzia, virtyti, miqësia, lumturia, smira, xhelozia, armiqësia etj. Po i krahasojmë disa aforizma të krijuesve botërorë me ato të autorit shqiptar Halim Hasani. Disa njerëzve era ua merr mendtë, po aq lehtë sa edhe kapelën!(Halifaku). Zemra e madhe është si oqeani: nuk ngrin kurrë! (Berne). E meta më e madhe e njerëzve, është se kanë shumë gabime të vogla! (Zhan Pol). Është interesant se mendimet filozofike të njerëzve që me përkushtim i rreken aforizmit, kanë mendime të thella për jetën. Në librin me aforizma jo më pak se “1021” dhe në atë tjetrin “Fjali pa mahi” do të gjejmë gjithsesi këto bukuri të rralla: Paqja mbjell lule, e lufta eshtra! Fjalët e buta për veprimet e ngurta! Dikush plaket me mendtë e të riut! Nëpër këto aforizma lexuesi gjen një botë të pasur shpirtërore, plot me emocione, të shkruar nga autorë të kalibrave botërore.

Me këto aforizma lexuesi jo vetëm që frymëzohet për vepra të mira, por edhe plotëson dijen dhe kulturën e shprehjes. Nëpër këto aforizma, gjithashtu, do të gjeni   eksperiencën e jetës dhe sfidat e saj, do të gjeni mjaft sekuenca jetësore, ku vetë do ta shihni sa kënaqësi dhe krenari fshihet pas këtyre thënieve filozofike, të cilat në vete përmbajnë: fisnikëri, humanitet dhe sa njerëzore dhe madhështore është porosia e tyre. Duke lexuar, domosdo se do të prekni lodhjen fizike e shpirtërore nga problemet e përditshme që u sjell jeta, dhe përmes leximit do të çlodheni dhe do të frymëzoheni për veprime të reja. Librat me Aforizma të Halim Hasanit, kanë vlera të larta ideo-artistike dhe metodike-shkencore. Besoj se kush i lexon këto libra aforistikë, do të ndjehet mirë e këndshëm, do të pasurohet me një kulturë të mendimit të thellë filozofik. Pas çdo aforizmi, do të gjeni përvojën autorit, i cili me përkushtim ka paraqitur ne mënyrë poetike të kaluarën dhe të tashmen. Më kujtohen fjalët e një personazhi të një libri psikologjik kur personazhi, Juliusit tha: “Kam frikë të zgjohem nga gjumi, pasi sapo të hap sytë, më shfaqet e sotmja, e cila ka fytyrën e së djeshmes dhe më mbyt ndjesia se mos dhe e nesërmja do të ketë të njëjtën fytyrë”. Po t’i lexoni me kujdes aforizmat e Halim Hasanit, nuk do t’u shfaqet e sotmja me fytyrën e së kaluarës. Ja disa aforizma të Halim Hasanit, që do t’i mbani gjatë në mend: Nëse virusi vdekjeprurës e shëtit botën, toka do të lodhet nga pranimi i eshtrave! Dielli ka lindjen dhe perëndimin – shqiptarët vetëm perëndimin! Deti është një krokodil, përpos që i mungojnë dhëmbët, nuk i mungon thellësia! Sëmundja t’i ndërpret planet e jetës, vdekja ta merr jetën! Mulliri i bluan kokrrat, krokodili eshtrat! Trimëria nuk matet! Pyka çanë drurin, fjala e hidhur trurin! Arti as nuk ka majë as fund! Rrënjët e lirisë i ujit gjaku i dëshmorëve! Kemi një emër, një zemër, një etni që i thonë Shqipëri!

Biografi

Halim Hasani, lindi, më 22 dhjetor të vitit 1957, në katundin Dobrosin të Komunës së Bujanocit. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, ndërsa shkollimin e lartë pedagogjik, Dega Histori dhe Gjeografi në Gjakovë. Pas mbarimit të shkollimit të lartë angazhohet arsimtar i historisë në shkollën e fshatit e cila e mbanë emrin e Sami Frashërit. Me veprimtari letrare merret që nga vitet e 90- ta. Libri i parë “Aforizma të kohës” e pa dritën e botimit, në vitin 1993, për të vazhduar me librin e dytë  “Dobrosini, kështjellë e rezistencës kombëtare” ( 2003), më pas me “200 aforizma” (2005), “Në mes historisë dhe legjendës, Dobrosini, skicë monografike” (2006), “Aforizma bashkëkohor” (2008), “Yjet e lirisë” (2010), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “Ylli i vogël” (2012), “1021 aforizma” (2012) dhe “Fjali pa mahi” (2013). Halim Hasani, jeton dhe vepron në Dobrosin, duke u marrë me shkrime letrare dhe është në përfundim të hartimit të aforizmit me numër rendor 2000.

Le të dihet

Ky vështrim letrar për Aforizmat e Halim Hasanit, përpos gazetës “Shekulli” në Shqipëri, është botuar edhe në gazetën “Botapress”, në Kosovë e pritet të botohet edhe në gazetën “Zëri”, pa harruar edhe gazetën “Lajm” në Maqedoni.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch