Home » Kulturë » NJIHUNI ME GAZETËN “BESËLIDHJA GORARE”…

NJIHUNI ME GAZETËN “BESËLIDHJA GORARE”…

Nga: Prof. Murat Gecaj

         publicist e studiues

K.Tahiri, M.Gecaj, M.Çaushi e H.Skeja

Nga e majta:K.Tahiri, M.Gecaj, M.Çaushi e H.Skeja(Tiranë, 16 maj 2015)

 

1.

Shpesh kemi dëgjuar të flitet dhe të shkruhet për “Besëlidhjen e Lezhës”(1444), për “Kuvendin e Arbërit”(1703), për “Lidhjen e Prizrenit”(1878), “Kuvendin e Vlorës”(1912) etj. Por, ndoshta, jo të gjithë e dinë, se ka edhe “Besëlidhjen Gorare”. Të jem i sinqertë me lexuesin e këtyre pak radhëve edhe unë nuk isha në dijeni të këtij fakti. Por ja se si e mësova më mirë këtë gjë.

Kur ndodhesha në  shoqërinë e poetëve Mina Çaushi e Hamdi Tahir Skeja, në lokalin “Ulqini” në qendër të kryeqytetjit Tiranë, na u afrua duke buzëëqeshur një burrë rreth të 70-tave. Ndërsa mikja jonë e njihte që më parë, ai na u paraqit ne të dyve, duke thënë se ishte Koçi Tahiri. Meqenëse vuri re që ne kishim libra të rinj përpara, të shkëmbyer me njëri-tjetrin, pra se ishim krijues e botues, ai shpejtoi të nxirrte nga dosja e tij tre kopje të numrit të ri të gazetës, me emrin simbolik “Besëlidhja Gorare”. Sigurisht, ne e falënderuam atë përzemërisht. Pastaj, siç ndodhë në të tillë raste, u njohëm më mirë me njëri-tjerin.

Unë i tregova mikut Koçi se, në vitet ’70-të të shekulit të kaluar, kur isha redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”, i shoqruar nga ushtaraku gjirokastrit Bajram Bilani,  kisha kaluar një mbrëmje e natë të bukur dhe të paharruar,  ndërmjet malësorëve mikpritës të Gorës. Sigurisht, duke bërë pak humor, i thashë atij që edhe pse atëherë isha i ri, me vështirësi e përballova pjesëmarrjen në “garën” e asaj nate, me gotat e rakisë përpara e  rreth tavolinës me plot të mirat. Çuditërisht, aty duhej ta ngrije dollinë jo me një gotë, por me dy gota njëherësh, sigurisht të vogla e të holla, duke i future ato në mes gishtave të dorës së djathtë…

Kanë kaluar mjaft vite nga ajo kohë, por dhe tani gjej rastin t’i përshëndes përzemërsisht banorët aq dashamirë e mikpritës të asaj krahine, plot tradita atdhetare, arsimore e kulturore etj.

 gazeta “Besëlidhja Gorare”

Faqja e parë e gazetës “Besëlidhja Gorare”

2.

Koçi Tahiri,  botues i gazetës “Besëlidhja Gorare” nuk qendroi gjatë me ne, pasi u largua dhe u takua me miq e bashkëpunëtorë të Shoqatës Atdhetare-Kulturore, po me të njëjtin emër. Ndërsa tani po e shfletoj këtë numër të kësaj gazete periodike, e cila e ka vitin e pestë të botimit.

Vëmendjen e lexuesve e tërheq një lajmërim, me shkronja të mëdha e aq domethënës, ku thuhet: “Shoqata “Besëlidhja Gorare” lajmëron të gjithë gorarët se, më datën 14 qershor 2015 do të festojmë së bashku, si vazhdimësi e vëllazërimit me njëri-tjetrin”. Ndërsa më tej, me anën e një shkrimi, kjo datë sqarohet se është 100-vjetori i nënkomitetit të fshehtë krahinor “Për lirinë e Shqipërisë”, i cili njihet ndryshe edhe me emrin “Bëselidhja e Parë Gorare”. Gjithashtu, duke u marrë me traditat tona atdhetare e liridashëse, në këtë gazetë botohet një shkrim, me autor Beqir Sinën, ku tregohet se, në Bronks të Nju Jorkut, u përkujtua 50-vjetori i vdekjes së Atë Fan S.Nolit. Për lashtësinë e shkrimit shqip, der më tani, jemi të njohur me “Formulën e Pagëzimit” të Gjon Buzukut, e vitit 1462. Por, siç dokumentohet edhe në shkrimin e dr.Musa Ahmetit, kohët e fundit është gjetur në Vatikan një dokument tjetër afër 2.5 shekujve më parë, i cili shkrimin e shqipes e daton që në vitin 1210.

Duke u marrë po me këtë çështje, pra të lashtësisë së gjuhës sonë, në këtë numr gazete botohet shkrimi i Peter Bartl e Martin Camaj, “Një letër në gjuhën shqipe, nga Gashi, e vitit 1689”.  Me traditat tona të lashta lidhet edhe shkrimi tjetër, “Shqiptarët e Bullgarisë dhe fshati shqiptar Mandrica”, ai me dëshmi për vitet e Luftës Nacionalçlirimtare etj.

Një vend me rëndësi zenë në këtë gazetë shkrimet me tematikë kulturën dhe krijimet e disa autorëve. Kështu, përmendim poezitë nga: Përparim Hysi (kushtuar Namit, F.Konicës, Fan Nolit, Gjergj Fishtës e D.Agollit),  Luljeta Pashollari, Agim Bacelli, Ymer Nurka, Nexhip Bashllari,  Xhemal Gora e Odise P.Gremo dhe rapsodi nga Ramadaan Kllogjeri.

Gjithashtu, janë botuar shkrime tjerë me tematikë të larmishme, si ai nga Fatmir Terziu, Moikom Zeqo, Pëllumb Gorica e Dervish Fasho, Hysen Kobellari e Belul Ruka.  Për të intersuarit në fushën e mjekësisë botohet shkrimi, “Zemra e zgjeruar: Ilaçet bio, që fuqizojnë muskujt e saj”.

Siç e treguam në hyrje të këtij shkrimi paraqitës, për numrin e ri të ksaj gazete periodike,  deri tani janë botuar disa numra të saj. Për këtë fakt flet edhe shkrimi “Krahina e Gorës, e shpalosur në gazetën ‘Besëlidhja Gorare’”.

Në faqen e fundit janë publikuar emrat dhe fototgrafitë e stafit të kësaj gazete, të cilët janë: Koçi Tahiri (botues), Elisabeta Kamberi (kryeredaktore) dhe Xhina Çaçi (design). Ndërsa bashkëpunëtorë të rregullt shënohen: Bektash Konica, Luljeta Pashollari e Hysen Kobellari.

Në mbyllje të këtyre radhve, dëshirojmë që t’i urojmë të gjithë këta kolegë e miq, por dhe bashkëpunëtorë të tjerë të kësaj gazete, për punën e përkushtuar dhe të pasionuar, që bëjnë për ruajtjen dhe përhapjen e traditave atdhetare e kulturore, nga  Gora, kjo krahinë e njohur e Shqipërisë.

Tiranë, 16 maj 2015

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch