Home » Lajme, Rajonale » Nuk ka marrëveshje nga takimi i fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi

Nuk ka marrëveshje nga takimi i fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi

Pa marrëveshje ka përfunduar takimi i raundit të tetë të bisedimeve ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, homologut te tij serb, Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë së BE-së, baroneshës Catherine Ashton.
POSTUAR 00:38 / 03.04.2013
Kryeministri Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, menjëherë pas rundit të tetë të bisedimeve në Bruksel, ka deklaruar se pozicioni i Kosovës, i prezantuar në këtë takim, është në përputhje me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ky asociacion në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca legjislative apo ekzekutive.

Thaçi ka shprehur keqardhje për qëndrimin e Serbisë në këto bisedime, duke thënë se ky shtet ende heziton dhe dëshiron të përfitojë në kohë. Sipas tij, Beogradi ka mbetur me mentalitet të së kaluarës dhe të ngurtësisë në raport me Kosovën.

Ai ka thënë se Serbia po vazhdon të reflektojë logjikën e izolimit e të konfrontimit, por jo të bashkëpunimit.

Kryeministri kosovar ka shtuar se Serbia për një kohë të gjatë i ka dezinformuar, mashtruar dhe gënjyer qytetarët e saj se mund të ndodhë ndarja e Kosovës, autonomia për serbët në veri, apo ndonjë “Republika Sërpska” derisa ka theksuar se idetë e tilla janë të papranueshme për Prishtinën zyrtare.

Thaçi ka shtuar se pala kosovare do të angazhohet për hapjen e perspektivës evropiane për Kosovën, si dhe do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.

Kryeministri ka shprehur bindjen se institucionet kosovare në bashkëpunim me ato ndërkombëtare do ta shtrijnë autoritetin dhe do t`i shpërbëjnë strukturat paralele në veri.

Ai ka thënë se ndërtimi i fqinjësisë së mirë është në interes të të dyja vendeve, duke shtuar se Serbia nuk është e interesuar për jetën e qytetarëve në veri, por për territore që sipas tij do të jetë e parealizueshme.

Sa i përket ecurisë së dialogut, Thaçi e ka përshkruar ditën e sotme si të gjatë dhe jo të lehtë.
——————————————
Bashkimi Evropian ka njoftuar se Prishtina dhe Beogradi nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, as pas negociatave që kanë zgjatur më shumë se 12 orë. Baronesha Catherine Ashton, ka lëshuar një komunikatë për media, pak pas mesnatës ku ka njoftuar se ky është takimi i fundit formal. Ajo ka thënë se palët kanë mospajtime të thella.

“Është kjo hera e fundit që po mbajmë një takim formal” është shprehur shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, pas përfundimit të pasuksesshëm të takimit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun e tij nga Serbia Ivica Daçiq të mbajtur sot në Bruksel.

“Një numër propozimesh janë ofruar në tryezën e bisedimeve, hendeku mes palëve është i vogël, por i thellë. Të dyja palët do të shkojnë dhe do të konsultohen me kolegët e tyre. Presim që brenda disa ditësh të na e komunikojnë vendimin”, ka thënë Ashton, e cila në prononcimin e saj për media.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pala kosovare ka qenë e gatshme të arrijë marrëveshje në Bruksel, por për një gjë të tillë nuk ishte e gatshme pala serbe, ”Ne kemi ardhur me qëllimin më të mirë për arritjen e marrëveshjes, kemi prezantuar qëllimin dhe pozicionin tonë në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Serbia sikur edhe herëve tjera heziton dhe pretendon të fitoj në kohë”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka konfirmuar se dallimet esenciale kanë qenë rreth kompetencave ekzekutive të asociacionit. Ai ka thënë se absolutisht janë të papranueshme tendencat që t’i jepen kompetenca ekzekutive Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Kosova do të shtrijë autoritetin e saj në veri dhe do t’i shpërbejë të gjitha strukturat paralele në veri”, deklaroi Thaçi në Bruksel.

Ai shpreson se marrëveshja do të arrihet në raundin e ardhshëm, i cili ende nuk dihet se kur do të mbahet. “Shpresojmë që shumë shpejt të arrijmë një marrëveshje. Falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqje brilante të dialogut”, ka thënë Thaçi.

I pyetur për tensionet në takim me zv/kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, Thaçi ka thënë Vuçiq nuk ka qenë i përgatitur dhe i është dashur kohë të adoptohet në tavolinë. “Ata e kanë të vështirë ta pranojnë realitetin e Kosovës së pavarur. Ata duhet të adaptohen dhe të heqin dorë nga retorika e Sheshelit.

Ndërsa kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë se përkundër takimeve të mundimshme nuk kanë arritur marrëveshje. “Kemi akoma kohë të vijmë deri të zgjidhja”, ka thënë ai.

Edhe ai ka konfirmuar se dallimet janë tek kompetencat e Asociacionit të komunave, që kanë të bëjnë me policinë dhe gjyqësinë.

Daçiq ka thënë se zëvendëskryeministri Vuçiq në një moment gjatë bisedimeve i kishte ofruar atij dorëheqje. “I vetëdijshëm për peshën e problemit, Vuçiq në një moment më ka ofruar dorëheqje, të cilën natyrisht nuk e kam pranuar”, ka thënë ai.
————————-

Në deklarimin e tij, kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq ka shprehur optimizmin se në ditët në vazhdim do të mund të arrihet marrëveshje.

Ai ka thënë se është e nevojshëm që edhe njëherë të ketë konsultime në vendin e tij për tu rikthyer prapë në një takim të ri.

Edhe kryeministri i Koëovës Hashim Thaçi edhe ai i Serbisë Ivica Daçiq kanë pranuar se në këtë takim ka pasur ngritje të tensioneve. Kryeministri Thaçi, tha se në këtë takim ka pasur njërëz të rinj që ende mendojnë me mentalitetin e të kaluarës, duke aluduar në zëvendëskryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq.

(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch