Home » Kulturë, Lajme » OBJEKTET FETARE ISLAME NUK MBIKQYREN DHE NUK KANË TITULLAR NË LUGINË TË PRSHEVËS

OBJEKTET FETARE ISLAME NUK MBIKQYREN DHE NUK KANË TITULLAR NË LUGINË TË PRSHEVËS

/Përhapja e fesë islame, këshillat e bashkësisë islame, objektet fetare islame/

 Shkruan : Xhemaledin Salihu                                             

Shqiptarët e Luginës së Preshevës i përkasin me shumicë fesë islame. Lidhur me islamizimin e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në Ballkan dhe me depërtimin e fesë islame në këto troje shqiptare, në mbështetje të hulumtimeve dhe studimeve të shumta, qëndrojnë dy teza :

1.Fillimi i depërtimit të Islamit në tokat shqiptare, në Luginë të Preshevës, gjegjësisht në Ballkan  e ka zanafillën  prej atëherë kur filloi zgjërimi i shtetit arab drejt Afrikës dhe Evropës. Islamizmi, feja islame, filozofia islame kulminacionin e saj e arriti në shek VII dhe VIII, atëherë kur lulëzoi shkenca, mjekësia, filozofia islame, arkitektura, matematika, astronomia. Sipas shumë dijetarëve dhe studiuesve, atëherë u ndërtuan xhamitë më të bukura arkitektonike.

Pra, Islami filloi të përhapet në Evropë, Ballkan dhe në Luginë të Preshevës, atëherë kur Arabët myslimanë formuan një shtet të fuqishëm , të cilin e zgjëruan në Spanjë, Itali, në Bregdetin Adriatik dhe atëherë kur tregtarët arabë filluan të depërtonin në këto troje. Kështu pos tregtisë, ata filluan të propagandonin edhe fenë islame.

Kështu filluan të ndërtohen edhe foltoret e para, xhamitë e para në Luginë të Preshevës, përmendet ajo e Bilaçit, Bugarinës dhe e Tabanocit. Mirëpo, për këto dhe vitet e ndërtimit të tyre nuk kemi të dhëna që e vërtetojnë ndërtimin e atëhershëm të tyre.

Për Xhaminë e Bilaçit dhe të Bugarinës, përmendet viti i ndërtimit, më 1375, ndërsa për xhaminë e Tabanocit përmendet viti i ndërtimit më 1380.. Poashtu në bisedë me Mulla Xhemailin e Raincës, i cili më tha se Xhamia e Raincës është shumë e vjetër, ndërtimi i saj lidhet me ndërtimin e Xhamive në Bilaç dhe në Bugarinë.

“Përhapja e Islamizmit te Shqiptarët është e lidhur ngushtë me pushtimin turk  të Shqipërisë. Megjithatë, Shqiptarët kanë qenë në kontakt me banorë mysliman shumë shekuj më parë. Këto kontakte, në fillim janë kryer nëpërmjet, me sa dihet, sulmeve pirateske të saraenëve, pastaj nëpërmjet marrëdhënieve tregtare që arabët e Afrikës Veriore, pasi pushtuan Sicilinë dhe Italinë e Jugut, zhvillonin në qytetet shqiptare të Adriatikut…” shkruan Prof Dr. Kristo Frashëri në “Përhapja e Islamizmit te Shqiptarët” në gazetën Fakti, më 11 shtator 2006, Shkup.

Pastaj Franjo Raçki përmend, se në këto terrirore (Ballkan) ka pasur myslimanë që nga kohët e hershme dhe ate në pjesën e poshtme të Vardarit, në krahinën e Selanikut”/ Franjo Raçki, Bogomil i Patareni, posebna izdanja srpske kraljevske akademije, knjiga LXXXVI, Beograd, 1931/

Perandori bizantin Teofil (829-841) ka shpërngulur numër të madh myslimanësh nga Azia dhe i ka vendosur rreth Vardarit të emruar si “Vardariotet”, të cilët shumë përhapën fenë islame dhe Islamin në këto troje.

2.Islami dhe depërtimi i Islamit, fesë islame dhe filozofisë islame në Luginë të Preshevës, në Ballkan ka ndodhur me depërtimin e Osmanllinjëve dhe ata e sollën në Ballkan dhe në Luginë të Preshevës fenë islame. Është fjala për një masovizim të islamizmit ndër popullatën shqiptare edhe në Luginë të Preshevës. Pra, para ardhjes së Osmanllinjëve nuk pati asnjë mysliman, sipas tezës së dytë, në Luginë të Preshevës.

Mirëpo, dinamika e procesit të islamizimit në hapësirën shqiptare u përshpejtua me vendosjen pas vitit 1402, të një detyrimi të veçantë të quajtur devshirme, sipas të cilës familjet e krishtera të vendeve nën sundimin osman, duhet të jepnin djemë (devshirë) për të mbushur repartet e jeniçerëve ose për nevoja të tjera të pallatit sulltanor.

“Si në çdo vendbanim tjetër ku jetojnë  Shqiptarët , feja islame edhe në këto troje tona erdhi nëpërmes Osmanlinjve . Shqiptarët në Komunën e Preshevës qind për qind i takojnë konfesionit Islam. Meqenëse rajoni i Luginës së Preshevës gjendej në udhëkryqin Shkup-Gjilan-Sofje- Beograd, ai ishte mjaftë i frekuentuar nga njerëz të nacionaliteteve të ndryshme. Sipas informacioneve me të cilat disponohet këtu, Islami në Preshevë kishte arritur pas Betejës së Kosovës, e cila ishte zhvilluar në vitin  1389”. Popullata Shqiptare e këtyre viseve është 100% e konfesionit Islam, ndërsa medhhebi i tyre është hanefij”, thuhet në një shkrim të Këshillit të Bashkësisë islame në Preshevë.

“Se këta Arnautë/Shqiptarë/ kishin qenë të krishterë shihet nga Kishatë e shumta latine, të cilat ekzistonin thuajse në çdo fshat  dhe të cilat deri vonë i mbrojtën Arnautët” shkruan Jovan Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913, f. 111.

Këshillat e Bashkësisë islame

Forma më standarde organizative e myslimanëve të Ballkanit është Bashkësia islame, në krye me Reis’ul-ulema në Bosnjë, Maqedoni, Mal të Zi dhe me kryetarin apo muftiun në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës me Këshill të Bashkësisë islame në Preshevë dhe në Bujanoc. Territorialisht, por edhe në aspektin kadrovik e organizativ Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës është më e madhja, kurse të tjerat janë më të vogla.

Bashkësia Islame e Serbisë nuk është homogjene, aktualisht vepron Bashkësia Islame e Sanzhakut me seli në Novi Pazar, ajo e Serbisë në Beograd. Mirëpo, edhe pas ndryshimeve kushtetuese të Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë, Bashkësia Islame e Sërbisë, si dhe ato në Kroaci dhe në Slloveni mbeten pjesë përbërëse të Bashkësisë Islame të BeH.

Në Luginë të Preshevës janë themeluar disa Këshilla të Bashkësisë Islame, me seli në Preshevë dhe në Bujanoc, të cilat veprojnë dhe janë pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Sanxhakut dhe të Serbisë.

Këshilli i Bashkësisë Islame është institucion i pavarur  i Shqiptarëve me përkatësi fetare islame në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Ai ka për qëllim organizimin e jetës së Shqiptarëve myslimanë në Preshevë,Bujanoc dhe Medvegjë, në mbështetje të ligjeve islame.

Këshilli i Bashkësisë Islame kujdeset për të gjitha çështjet e jetës fetare dhe për të gjitha nevojat të tjera të xhematit.

Këshilli i Bashkësisë Islame organizon kryerjen e ceremonive fetare dhe mësimin fetar ;

kujdeset për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e xhamive, mesxhideve, mektebeve, bibliotekave e të tjera ; kujdeset për ruajtjen e varrezave, tyrbeve, përmendoreve të kulturës islame dhe pronës tjetër të Bashkësisë Islame, si dhe për përdorimin e drejtë të tyre ; siguron mjete për funksionimin e Këshillit të Bashkësisë Islame duke grumbulluar anëtarësinë, kontributet dhe të ardhura të tjera ; bën llogaritjen dhe pagesën e rregullt të të ardhurave personale dhe kontributet e kuadrove në territorin e vet ; qeveris vakëfet dhe pronën tjetër ; u ofron ndihmë këshillave të xhematit dhe mbikëqyr punën e tyre ; ofron ndihmë dhe drejtpërdrejt mbikëqyr punën e kuadrit të vet ; organizon jetën e gjithëmbarshme fetare, organizon solemnitetet fetare, si dhe ndihmon organizimin e haxhit dhe të umrë ; nëpërmjet kuvendeve të xhematit informon pjesëtarët myslimanë për punën e Këshillit ; mban evidencën e pronës së Këshillit të Bashkësisë Islame si dhe evidencat e tjera për nevojat e Këshillit të Bashkësisë Islame dhe mbikëqyr punën e rendeve të dervishëve.

Edhepse janë të përcaktuara detyrat e Këshillit të Bashkësisë islame në Luginë të Preshevës, përshkak se ekzistojnë disa Bashkësi islame në Luginë të Preshevës, ato nuk kujdesen, nuk mbikqyrin objektet fetare islame.

Propozojmë që Brenda afatit të shkurtër të formohet një Këshill i përbashkët i Bashkësisë islame në Luginë të Preshevë, i cili do t’i marrë përgjegjësitë lidhur me objektet fetare islame e punëve të tjera që i takojnë me ligj.

Objektet fetare islame

Objekte të Këshillit të Bashkësisë Islame mund të jenë: xhamitë, mesxhidet, mektebet, ndërtesat arsimore, kulturore, edukative, administrative, banesat, lokalet afariste, teqetë, tyrbet, hamamet, gasulhanet, varrezat e të tjera.

Objektet fetarre islame duhet ta kenë mbikqyrjen dhe titullarin. Mirëpo me ekzistimin e disa Këshillave të Bashkësisë islame, sikur është lënë pasdore mbikqyrja e objekteve fetare, sepse nuk ka titullar të objekteve fetare, i cili do të përkujdeset dhe do t’i mbikqyr ligjërisht objektet fetare islame.

Pastaj Këshillat e bashkësisë islame nuk e gëzojnë autoritetin për të marrë përsipër mbikqyrjen e objekteve fetare islame.

Andaj edhe po ndodhin anomalitë e ndryshme me ndërtimin e xhamive të reja dhe shkatërrimin e objekteve fetare islame në Luginë të Preshevës.

Kështu, para disa vjetëve u adaptua Xhamia e vjetër e Rahovicës, pa pëlqimin e ndonjë Këshilli të Bashkësisë islame, por nismën e mori Bashkësia lokale e fshatit, e cila ngjyrosi dhe fshiu dy citate kuranore në gjuhën shqipe, brenda xhamisë.

Në reagimin tonë në Bashkësinë lokale, te kryetari i saj, morëm përgjigje të rreptë se nëse siguron mjete do ta ndërtonte një xhami më të madhe dhe në pyetjen time po pse u fshinë citatet në gjuhën shqipe, që dëshmojnë autoktoninë shqiptare, nuk mora përgjigje. Lidhur me adaptimin e xhamisë reagova edhe te Këshilli i Bashkesisë islame, të lidhur me Sanxhakun, mora përgjigje se nuk pyesin dhe se nuk e kanë at përgjegjësi. Bile, më tha kryetari i Këshillit se kanë prishur xhaminë e vjetër në Zhunicë dhe po ndërtojnë një të re pa marrë leje prej askujt, kompetent për objektet fetare islame.

Poashtu, mos mbikqyrjen dhe mos kujdesin e Këshillave të Bashkësisë islame dhe të Entit për mbrojtjen e Monumenteve kulturore dhe historike e vërteton edhe shkatërrimi i Varrezave të Krushqëve në Bukuroc, një raritet që nuk ekziston dikund tjetër në Luginë të Preshevës. Në realitet, përmes Vorrezave të Krushqëve është hapur rruga e asfaltuar dhe Varri i Nuses brenda këtyre Varrezave është mbuluar me dhe, sipas informatave të banorëve të Bukurocit.

Disa anëtarë të Këshillit drejtues të Shoqatës për Trashëgimi shkuan në Bukuroc dhe reaguan lidhur me Varrezat, por nuk u përfillën as nga banorët, as nga përfaqsuesit e bashkësisë lokale, duke u arsyetuar se ata do ta zgjidhin problemin.

Përmendëm vetëm disa raste të shkatërrimit të objekteve fetare islame, ndërsa most ë flasim për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës, pjesë e së cilës janë edhe objektet fetare islame.

Për mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore duhet të kujdeset Këshilli I Bashkësisë islame dhe Enti për mbrojtjen e Monumenteve kulturore dhe historike.

Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish ka hartuar një Listë të monumenteve kulturore në  Luginë të Preshevës.

Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish ka hartuar Listën e lokaliteteve arkeologjike të mbrojtura sipas ligjit nga Enti, në mesin e tyre si lokalitet arkeologjikë janë radhitur : Vorrezat e Vjetra në Bukoc-sipas tyre nekropol e vjetër mesjetare, ndërsa është e njohur se Vorrezat e Vjetra në Bukoc janë të banorëve shqiptarë të Bukocit. Pastaj në Bërçec: ARA E DERVISHIT-vendbanim antik. Në Kurbali: Vorrezat e Vjetra-Ara e Sadikut.

Xhamitë në mbrojtje ligjore

Në Preshevë : Xhamia e Vjetër-Atik Xhamija apo Xhamija e Ibrahim Pashës,

Në Preshevë : Xhamia e Poshtme apo Xhami ul Xhedit, kompleksi me çezmën

Në Ashanë : Xhamia e Vjetër,

Në Çukarkë : Xhamia e Vjetër, kompleksi,

Në Shoshajë të Poshtmë: Xhamia e Vjetër,

Në Miratoc: Xhamia e Vjetër dhe

Në Bushtran : Xhamia e Vjetër Turke

Vorrezat në mbrojtje ligjore

Në Çukarkë : Vorrezat muslimane,

Në Magjere: Vorrezat muslimane,

Në Miratoc: Vorrezat muslimane,

Në Norçë: Vorrezat muslimane te Xhamija e re dhe Vorrezat e Vjetra muslimane dhe

Në Bukuroc: Varrezat e Krushqëve,

Në Tërrnavë: Vorrezat e Vjetra muslimane./Akti nr.908, të datës 27.08.2009 I Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore në Nish/

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë planifikon që në të ardhmenë të bëjë identifikimin, evidentimin, regjistrimin dhe hartimin e Listës së Monumenteve kulturore, në këtë rast të monumenteve kulturore islame në Luginë të Preshevës. Andaj është e mirëseardhur ndihma e punonjësve fetarë islamë që në këtë drejtim ta ndihmojnë Shoqatën në këtë planifikim. Detyrë është të identifikohen, të evidentohen dhe të propozohen objektet dhe vlerat fetare që duhet të hyjnë në Listën për mbrojtje, ndërsa Shoqata do t’ propozojë Listën në shqyrtim Entit. Pra, nevojitet identifikimi, evidentimi, të dhëna, fakte, fotografi, për ta arsyëtuar propozimin e caktuar.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch