Home » Opinione » Oguri i zi mbi fatin e Republikës së Kosovës!

Oguri i zi mbi fatin e Republikës së Kosovës!

Shkruan: Nehat Hyseni

Dita e mërkurë, 10 maj 2017, do të mbahet mend në historinë politike të Kosovës, jo vetëm për rrëzimin e shumëpritur të Isa Mustafës nga Kadri Veseli, por dhe për shpërthimin me (pa)dashje të supersekretit PDK-ist: se “kjo parti mundet ta sfidoj Gjykatën Speciale”!

Me shumë pompozitet e krenari, kjo “bombë” shpërtheu nga goja e një deputeti “të pavarur, ish PDK-ist, i cili sapo e kuptoi se koalicioni PDK-LDK mori fund, vrapoi të kthehet në PDK, për ta fshirë parashtesën “ish” nga biografia apo “CV” e tij politike, madje duke e shpallur atë si “Akademi”, por nuk arriti të na thotë se, vallë çfarë Akademie na qenka, sipas tij, PDK-ja: ushtarake, artistike, politike, dredharake, dhelparake, apo çfarë?

Sido që të jetë, puna e kësaj “akademie”, pra, na është disi e paqartë?!

Dhe kjo nuk çon peshë të madhe politike, ndërkombëtare, jo se jo! Por, as lokale.

Përveç se, si duket, ia bëri me dije “shefit” se “këtu jam dhe mos më le jashtë listës”!

Por, puna me bllokimin e Gjykatës Speciale, është vërtetë serioze!

Madje, shumë serioze, që e kapërcen “vogëlsinë” jo vetëm të këtij deputeti dhe partisë së tij, por edhe të të gjitha partive të këtij shteti të vogël, me sponzoruesit dhe mbështetësit e saj të mëdhenjë!

Madje, ata janë kolosë të gjeopolitikës botërore!

Pa ndihmën e tyre, “lufta çlirimtare” e Kosovës do të mbetej “guerilë kaçakësh”, me “Shote e Azem Galica” të ri e me 90% të popullit të Kosovës të ikur si refugjatë gjithandej rruzullit tokësor.

Kurse, në Kosovë do e kishim akoma mbi kokë Serbinë me Millosheviqin e gjallë dhe me Sheshelin dhe kriminelët e tjerë serbë mbi kokën dhe mbi kurrizin e  krrusur e dinjitetin e përbuzur dhe të nëpërkëmbur përtokë!

Mbase, Kosova aktualisht ka nevojë të madhe që të çlirohet nga laku në fyt i “çlirimtarëve”, që Kosovën me çka ka e konsiderojnë si “plaçkë lufte”, si pronë legjitime të tyre, që i kanë dalur zot dhe ia kanë futur thonjtë në fyt, mozomakeq!

Këta zotërinjë i kanë ngatërruar avionët e NATO-s, që bombarduan caqet serbe 78 ditë rrjesht. Kurse, dikush po pretendon t’i trajtoj sikur të ishin “lodra fëmijësh” të Kosovës dhe jo si pronë dhe përgjegjësi e kësaj Aleance të vendeve më të fuqishme dhe demokratike në botë!

Po, po, druaj se kemi ngatërruar gjëra shumë të rrezikëshme dhe partnerëve tanë strategjik në krye me SHBA-të, i thamë “JO” lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe i kërcnohemi haptas me njëmijë e një obstrukcion, makinacione e dredhi e prapaskena politike, mësheftas.

Ogur i zi qëndron pezull mbi fatin e Republikës së Kosovës!

Tani, disa politikanë aktualë e ndiejnë veten si Luigji i XIV dikur: “L’etat, c’est moi!”, ose përkthyer shqip, apo më sakt, “kosovarisht”, i bie: “Kosova jam unë” (njejës, ose personalisht) dhe “Kosova jemi ne!”(shumës ose partiakisht).

Paradoksalisht, problemet e këtij tarafi politik të Kosovës, që po e ndien mbi kokë “shpatën e Demokleut” ose ballafaqimin me drejtësinë para Gjykatës Speciale.

Kundërshtimet dhe arroganca e tyre me partnerët tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-të, kanë marrë përmasa brengosëse dhe tejet të rrezikëshme!

Sidomos pas fitores së Presidentit Donald Trump, janë duke e sfiduar shumëherë rolin amerikan në Kosovë: me nismën Presidentit Thaçi për shndërrimin e FSK-së në Ushtri, pa ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Madje, u premtua dorëheqja, por nuk u respektua nga ai, sikur që premtuan komunistat e dikurshëm kosovarë dorëheheqjet para minatorëve të “Trepçës”, dhe gënjyen.

Pastaj, puna e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si “kauzë e politike” e lansuar nga Ramush Haradinaj dhe AAK, pas atyre për “Trepçën” dhe “Zajednicën” apo Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ishin  pretekst për protestat e dhunëshme të 24 janarit 2015 dhe në protestat e tjera nëpër rrugët e Prishtinës dhe gazi lotësjellës në Kuvendin e Kosovës, realisht ishin reagim banditesk ndaj prishjes së koalicionit LVAN dhe pretendimeve të dështuara për poste politike dhe për pushtet, që shiteshin si “patriotizëm” i dhunshëm me koktejë molotovi dhe me sulme mbi policinë, institucionet shtetërore dhe me shkatërrimin e pasurisë publike e private.

Me “parriotizmin” dhe yryshin e lakminë aktuale për pushtet, mjerisht, kjo klasë politikei ka kaluar të gjithë kufijtë e arsyes dhe të devotshmërisë e luftës së mirëfilltë për shtetin dhe mirëqenien e prosperitetin e popullit të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch