Home » Opinione » Opinion: A ka komb Kosovar ?

Opinion: A ka komb Kosovar ?

Është tmerrësisht zhgënjyese kur sheh se si, në këtë vendin tonë, sheh një kategori që, megjithëse e quajnë veten intelektualë, punojnë me përkushtim të paparë  për të mohuar gjithçka që është shqiptare.  Zërat e mendësve tanë  e duan shkapërderdhjen e kombit tonë,duke na sajuar si sajesa të pa qena: Duan që ne të dalim si komb kosovar,një përbindësh i ri i pa origjinë.

 

Kosova -Shtet u krijua sipas të drejtës ndërkombëtare,  ku që të dy të drejat juridike “Jus soli” (lat. e drejta mbi tokën) si dhe Jus sanguinis (lat. e drejta e gjakut),  janë të plotësuara  dhe që të dy të drejtat ne shqiptarët i kemi mbi Kosovën.

Duhet pa tjetër , që për këtë fenomen të kemi një qasje me një ftohtësi të admirueshme logjike dhe faktike  . Problemi është serioz.

 

 

“Kombi-shteti” si dhe “Kombi e shteti”

 

“Kombi-shteti” është së pari shteti që rastësis me një komb, do të thotë rastësis (e jo e rastit) mes ndjenjës së një grupi që është kombi dhe një nocioni të rregullës juridike, ekzistenca e një suvereniteti dhe institucioneve politike dhe administrative që e ushtrojnë atë shtet. Rasti i Shqipërisë.

 

Për Francën, “kombi” është një “dëshirë“ që të rrojnë së bashku të gjithë, pa marrë parasysh ndryshimet mes vete (francezët dhe kombet tjera që jetojnë aty). Kurse sipas mendimit gjerman, “kombi“ është para së gjithash një kohezion i një kulture, historie dhe gjuhe të përbashkët. Rast i Shqipërisë.

 

Por, në përgjithësi nuk duhet përzier “shtetin“ dhe “kombin”:

 

– Një komb i caktuar nuk mundet gjithmonë të formojë një shtet të caktuar (kurdët në Turqi).

 

– Një shtet mund të ngërthejë shumë kombe. Ngërthimi i shumë kombeve në një shtet ishte rasti i Austro-Hungarisë,ku nuk kishte komb austrohungarez, rasti Mbretërisë së Bashkuar,ku kombe të ndryshme e formojnë mbretërinë e nuk ka komb britanik. Në Kosovë shumica shqiptare dhe minoritetet në të e formojnë shtetin e Kosovës, por jo edhe kombin kosovar.

 

– Një shtet mund të qëndrojë pa u konsideruar si një komb. Rasti i tillë zakonisht shprehet në shtetet e federuara duke formuar një federatë. Shembujt më të mirë janë kantonet në Zvicër, federatë e kombeve të ndryshme pa e sajuar kombin zviceran.

 

Kërkesa për të krijuar” kombin kosovar” i ngjet përgjithësimit dhe mohimit të vetvetes për sajimin e diçkaje të paqëndrueshme. Kjo është e përafërt me teorinë e thatë marksiste. Për marksistët ,ndjenja e identitetit të kombit nuk gjendet në gjirin e tij por në gjirin e humanitetit në përgjithësi. (Marksi: “Unë jam qytetar i botës“). Teoria marksiste e priste zhdukjen e kombeve dhe shteteve të shprehura në solidaritetin e përhershëm ndërkombëtar…

 

Ku jemi ne? Për hir të kujt duhet të bëjmë një krijesë veçuese: “Kombin kosovar”?

 

Nëse ne shqiptarët rrojmë në dy shtete e që për momentin është e mbërrime e madhe historike, formimi i dy shteteve shqiptare në botë, pse duhet që ne shqiptarët (popull shumicë në Kosovë), të mohojmë identitetin tonë shqiptar dhe të bëjmë një komb artificial, atë kosovar, i cili nuk ka ekzistuar kurrë? Anatemimi i kombit është një pasojë që futet në përdorim e do të vazhdojë të funksionojë dhe do të marrë kah deri në asgjësimin dhe mohimin pa kthim të vetvetes.

 

Për Kosovën po thuhet se është një shtet shumetnik edhe pse shqiptarët janë përbërësit kryesor të saj (mbi 90%). Nga kjo mund të ngrehim pyetjet:

 

– A thua serbët dhe turqit do të pranonin mohimin e tyre për hire të kosovarizmit? Jo.

 

Ata nuk janë aq naivë që të pranojnë këtë propozim,por një gjë është e sigurt që edhe qendrat e tyre të vendosjes nuk do ta kishin lejuar këtë kombmohim.

 

Duhet bërë një dallim mes mes kombit, shtetit dhe shtetësisë: Unë jam shqiptar i shtetit të Kosovës dhe kam një shtetësi të vetme, atë të Kosovës.

 

Në kohën e Bashkimit Sovjetik, aty ishin në mënyrë federative 18 shtete, por në atë kohë as Stalinit famëkeq nuk i shkonte mendja të formonte kombin sovjetik. Shqiptarët dikur në Federatën jugosllave nuk e patën pranuar apo nuk ishin mashtruar të deklaroheshin si “jugosllavë”, që ishte një lloj mashtrimi në mënyrë që “pakicat” (e edhe ne me ta) të zhdukeshim në jugosllavizëm.

 

Nëse mendohet, kur them mendohet,mendoj në atë se po shkruhet që me krijimin e kombit kosovar i ndihmojmë shqiptarizmit, them se jo, por po punojmë në zhbërjen e 2 milionë shqiptarëve të Kosovës. Kosova është emërtim gjeografik i një territori shqiptar. Është emërtim i një shteti të ri që banorët e tij e kanë shtetësinë e Kosovës.

 

Të shikojmë nga të tjerët, nga ata që vendosin vetë për veten dhe vendin e tyre: një shtetas zviceran gjermanofolës kurrë nuk e pranon të mohojë identitetin e tij gjerman,gjë e cila nuk i imponohet e as nuk pranon të vetëmohohet. Mendojmë ne, që një francezi të Zvicrës t`i themi se nuk je francez, por je vetëm një zviceran me gjuhë zvicerane, do ta pranonte këtë? Jo.

 

Si po mendojmë që Kosova e bëri shtetin dhe e bëri kombin kosovar e ka më lehtë të…?

 

Çka më lehtë? Më lehtë drejt humbjes së identitetit shqiptar,më lehtë drejt shlyerjes së historisë shqiptare, apo më lehtë drejt humbjes në gjithësinë e kombeve të padefinuara?

 

Kombi është një shpirt i vetëm ,në të janë dy gjëra që në të vërtetë e bëjnë një: njëra është e kaluara dhe tjetra është e ardhmja. Njëra është prona e përbashkët e së kaluarës dhe tjetra është bashkëndjenja e tashme, dëshira për të jetuar së bashku, dëshira për të bërë trashëgimi për pasardhësit, të cilën e morëm nga të parët tanë.

 

Kombi është kulmim i një të kaluare të gjatë, i një flijimi të gjatë për të jetuar e mbijetuar. Kulti i të parëve është gjithmonë legjitim, të parët na kanë bërë atë që sot jemi. Lindja dhe rritja e kombit është një proces natyror. Kombi nuk ka afat qëndrueshmërie edhe pse është i vjetër me shekuj dhe mileniume. Kombi është një e kaluar heroike dhe historike e njerëzve tanë të mëdhenj. Ky është kapitali shoqëror mbi të cilin mbështetet kombëtarja. Duke pasur një të kaluar të përbashkët e kemi edhe një vullnet të përbashkët për të tanishmen, të krijuarat e përbashkëta , dhe dëshira e obligimi për të krijuar një të ardhme për ata që vijnë.

 

Kombi kosovar është një ide degjeneruese, sepse krijon konfuzion dhe nxjerr jashtë funksionin të gjitha forcat kohezive që mbajnë Kosovën të qëndrueshme.

Të shkordhurit mbi popullin tënd nuk është tjetër pos një incesti që e denon historia- lindjen e një identiteti të pa qenë. Të shkordhurit pa mëshirë mbi gjuhën tënde ,kulturën tënde dhë të kaluarën tënde , s`është gjë tjetër pos  një humnerë kombëtare  e përgatitur mirë.

 

A ka  Gjuhë Kosovare?

Sulltan Abdul Hamiti II,”Ligj kundër gjuhës shqipe” Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31.maj.1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14.korrik.1999). Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe. Kështu që shqiptarët shkolloheshin në shkollat fetare që ishin në gjuhën turke, greke, sllave, italiane, gjermane. Dhe ata që shkolloheshin nuk e dinin mirë gjuhën shqipen. Fëmijët myslimanë duhet të shkonin në shkollën e xhamisë, ku mësonin turqisht, fëmijët e krishterë duhet të mësonin greqisht.

Fanatikë fetarë ortodoksë dhe myslimanë injoronin gjuhën shqipe, filluan të ndryshonin emrat e fshatrave ku banonin shqiptarët. Osmanët i quanin shqiptarët të “pa fe” dhe të “paudhë”, priftërinjtë grekë e quanin gjuhën shqipe “gjuhë barbare”.

Pse e ceka këtë? Vetëm e vetëm për  të parë se sa e rëndësishme është gjuha shqipe. Kjo  është edhe e vlerëshme të rikujtohet e të shërbenë si një përkuejtues se mund të ndodhë një ditë që mund ta ndalojmë edhe gjuhë shqipe duke e përjetësuar Kosovarishten ; një gjuhë që nuk egziston .

Mos t`a përbuzim gjuhën shqipe:” E lashtë si “pellazgët hyjnorë”, në buzët e të cilëve ajo lëvrinte kur ata, të parët, përshkonin lirisht Evropën e virgjër, gjuha shqipe mund të pretendojë për lavdi, që ka ndikuar në formimin e fjalorit Helen. “Një gjë e sigurt, thotë Louis Benlowe, është se numri i fjalëve gjeografike të Greqisë së vjetër që shpjegohen me ndihmën e shqipes duket çdo ditë më i madh”.(Faik Konica) . Gjuha shqipe është gjuha e bijve të shqipes.

 

“Ajo që mund të themi është se, të çliruar nga çdo frymë propaganda, të lirë në qetësinë e vëzhgimeve për së largu, nëse ndonjëherë na ndodh të ngrejmë zërin tonë, me më shumë forcë se zakonisht, në dobi të një populli të zot e të mirë, që  ndonjë idiot i pandërgjegjshëm kërcënon ta zhdukë si gjuhë(F.K)” , dhe të mbjellë paturpësisht   ndonjë idiotësi “kosovare” kjo duhet  të bëhet vetëm me ligj , dhe me ligj të mbrohet në këtë shtetin tonë të ri, të mrekullirave  dhe të  sadizmave vetëshkatërruese.

 

 

Fahri Xharra

09.06.12

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch