Home » Opinione » Opinion: ABETARJA FESTIVE…

Opinion: ABETARJA FESTIVE…

Zambaku i bardhë i Prizrenit u skuq pak, ngase nuk arriti të jetë lule e kryeqytetit shpirtëror të bashkimit të shqiptarëve, pikërisht në promovimin e Abetares së njësuar, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryeqyteti shpirtëror i idealit kombëtar të bashkimit të shqiptarëve, Prizreni për promovimin e abetares së përbashkët, kishte harruar t’i ftoj përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.  Pra, nuk ishte, ai, Prizren, që mblidhte, dikur, krerët e viseve shqiptare për të mbajtur ndonjë Kuvend, për t’i bërë nder 100 vjetorit të pavarësisë, për të cilin ne sot rrahim gjoks e krenohemi pa fund.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha me plisin e bardhë mbi kokë, simbolin e identifikimit të shqiptarëve, tha me gojën plot se “Abetarja e përbashkët është kryevepër e dijes, që i dhurohet kombit shqiptar”!, Ndërkaq, homologu i tij Hashim Thaqi, nuk la pa përmendur se: “Sot po promovojmë Abetaren e përbashkët. Kjo është fitore për të gjithë shqiptarët, që mund ta arrijë vetëm një popull i qytetëruar”.

Përpiluesit e Abetares së njësuar Shqipëri-Kosovë, nuk ngurruan të thonë se një abetare e tillë do t’ju ofrohet dhe fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, që jetojnë e punojnë në diasporë, por jo edhe fëmijëve shqiptarë, të cilët jetojnë matanë gardhit politik me Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

 

Qarqe të ndryshme intelektualësh nga viset etnike shqiptare, shprehin hezitim, nëse shkollat e tyre, në nismën e mbarë të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, mund ta përdorin Abetaren për nxënësit e tyre.

 

Kjo ndjenjë zhgënjimi përcillet, që nga viti 2009, kur me një vendim absurd në Maqedoni e Serbi, u hoqën Abetaret dhe në vend të tyre u lejuan Librat e Leximit, për nxënësit e klasave të para të shkollave fillore.

 

Bile, shqiptarët e Luginës së Preshevës, përmes Këshillit Nacional, vitin e kaluar, shkuan akoma më larg, duke e zëvendësuar Abetaren e dikurshme me një Abetare të financuar nga Shqipëria, e të mbështetur nga Ministria e Arsimit të Serbisë, mirëpo pa simbolin historik të shqiptarëve, Flamurin Kombëtar.

 

Prishtina zyrtare në vend se të krijoj lehtësira për bashkëkombësit e saj në Luginën e Preshevës, ajo, mjerisht mban të gjallë tarifat doganore për ta, dhe si duket së shpejti do të aplikoj regjimin e vizave, po qe se Serbia hyn në radhën e atyre shteteve që i ka caktuar Kosova për vënien e regjimit të vizave. Pastaj Kosova nuk po i heq kuotat për pranimin e studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetin e Prishtinës, nuk i bie ndër mend të krijoj dyshtetësi për shqiptarët e krahut të saj lindor, sikur se kanë serbet e krahut verior, por shkon edhe nxjerr Abetare, e cila kush e di se kur do të zbatohet për nxënësit e shkollave shqipe në Luginë…

 

A mbushemi mend, njëherë, ne shqiptarët për të mos u bërë pjesë aktive e komedisë së famshme të Molierit “I ligu për mend!”

 

Drilon Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch