Home » Opinione » Opinion: AGIMI I (TH)ARTË…

Opinion: AGIMI I (TH)ARTË…

Agimi i kaltër i nënqiellit shqiptar, në prag të ndërrimit të moteve, u nxiros nga një dritare e faqes zyrtare të Partisë neofashiste greke Agimi i Artë, e cila shqiptarët si komb i vë në bisht të lahutës, i tallë dhe i qesëndisë pa fund.

“Shqiptarët, si një komb kaçakësh të trembur e të leckosur, janë krijuar nga italianët dhe mbështeten nga faktori sionist amerikan. Ata janë një mbeturinë e perandorisë osmane në tokën e lashtë greke të Ilirisë, që mburren me 100 vjet të historisë së tyre dhe mjafton një teshtitje e Greqisë, që të heshtë dhe goja e shqiptarit të fundit në botë”, thuhet mes tjerash në reagimin e Agimit të Artë, i cili kërcënon se do t’i formoj degët e saj në Korçë, Himarë, Delvinë dhe Tepelenë, duke kënaqur, sipas anëtarëve të tij, kërkesën e helenizmit luftarak për Vorio-epirin.

Këto fyerje janë të njohura edhe në fjalorin e shkrimtarit serb Ivo Andriq, i cili shqiptarët i fyen, duke i nënçmuar si njerëz me kokë të qethur e lëkurzinjë si opinga, të njohur si barinj dhe sharragjinjë…

Politika greko-serbe ndaj shqiptarëve si komb, është e vjetër dhe e  kahmotshme e antiqytetëruese. Shqiptarët si popull asnjëherë në fjalorin e tyre nuk e kanë shfrytëzuar zhargonin e rrugaçërisë, me shprehje bizare, kundër fqinjëve të tyre. Kjo është një kulturë, e assesi një frikë a servilizëm ndaj greko-sllavëve, të cilët edhe sot mundohen t’i gllabërojnë tokat shqiptare.

Aleanca Kuq e Zi, reagoi ndaj kërcënimeve të partisë Agimi i Artë, duke nënvizuar se ata mund të trembin vetëm Qeverinë e Sali Berishës e as kë tjetër. Jo, Agimi i Artë, mund ta tremb vetëm vetveten, të përlyer me fjalët nga më të ndytat, më të pistat e më vulgaret.

Agimi i (th)Artë, është zhytur në llucën e injorancës neofashiste dhe me atë politikë që vepro mund t’i shërbej vetëm urrejtjes ndërfqinjësore dhe injorancës grekomane, e cila po përballet me një krizë të madhe politike dhe ekonomike.

Me këto veprime Agimi i Artë, nuk do ta zbeh luftën e drejtë e legjitime të Çamërisë dhe të çamëve për më shumë të drejta në Greqi, të cilët nuk mund të heqin dorë nga identiteti i tyre i të qenit shqiptar, kur dihet se dikur gjysma e Athinës ishte e banuar me shqiptarë.

Fyerjet janë arma e të dobëtit, ndaj nuk duhet të çohet shumë pluhur për atë që thotë një parti neofashiste e cila mezi e mban veten me kopalla e përralla megalomane.  

 

Drilon Hyseni

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch