Home » Kulturë » Opinion: BASHKIMI YNË I PARË, AI SHPIRTËROR…

Opinion: BASHKIMI YNË I PARË, AI SHPIRTËROR…

Mendime, pas dy ftesave, nga një koleg gjakovar dhe një arbëresh)

Skicë: MIRAT GECAJ

 

 

 

 

 

 

 

M.Gecaj

Sidomos kohët e fundit, pas festimeve madhështore e të paharruara të  100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, po flitet në vijimësi për një temë “të nxehtë” të ditëve tona, pra për Bashkimin Kombëtar. Në këto çaste, kur po i shkruaj këto radhë, së pari, po më kujtohen vargjet e një kënge-kushtrim, të cilën e dëgjoj shpesh. Atë e kam në një kastetë dhe e vendosu në manjetofonin te koka e krevatit, në dhomën e fjetjes. Nuk më kujtohen tani me saktësi vargjet e saj, por njëra nga ato i drejtohet Europës, me fjalët e një atdhetari shqiptar: “ A i mban mend ti trojet e mia?”, të cilat janë copëtuar në disa shtete te Ballkanit!

Sigurisht, kjo temë shumë e rëndësishme e diteve të sotme për Kombin tonë, kërkon sa e sa shkrime dhe libra. Po unë u nisa për të shkruar këtë skicë nga fakti,  se këto ditë mora dy ftesa për të qenë në veprimtari, që organizohen, njëra në Gjakovë dhe tjetra në Durrës. E di fare mirë se dhe kolegët e mi marrin shpesh ftesa të tilla, për të shkuar në përvjetorë shtypi e ditëlindjesh, në përurime librash, ekspozita të ndryshme e tjerë.

Po, meqenëse këto dy ftesa i “lidha” me njëra-tjetrën, për të ilustruar sadopak mendimin e shprehur, që në titull, po i tregoj ato shkurtimisht. Kështu, u mbushën 5 vjet që, në qytetin e Gjakovës, nisi të dalë revista e ilustruar, me titullin “Gjakova Press” dhe me kryeredaktor Zeki Vehapin. Nuk e kam të saktë numrin e tyre, por mjaft nga ato revista i kam të ruajtura në bibliotekën time. Sepse m’i sjell, herë pas here në Tiranë, kolegu e miku im, arsimtari dhe publicisti Ibrahim Hajdarmataj. Meqenëse ai jeton familjarisht në fshatin Zogaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), pra vetëm  afër 5 km larg Gjakovës, shkon atje dhe kolegët e redaksisë i japin me dashamirësi kopje edhe për mua. Gjej rastin t’i falenderoj nga zemra për këtë gjest të bukur, pasi në ndonjë nga këto revista kanë publikuar edhe shkrime të mijat! Për të festuar këtë ngjarje të gëzuar, ata më dërguan dje ftesë në e-mailin tim, që të marr pjesë në ceremoninë e rastit. Ajo organizohet ditën e martë, datë 22 janar 2013, ora 14.00, në restorantin “Svis Bistri”(te stacioni i autobusëve të Gjakovës).

Rasti i dytë ka të bëjë me një mik paksa më të largët, me profesorin arbëresh, Luiss de Rosa. Së pari, atë e kam njohur përmes lidhjeve me Internet e ai më ka dërguar, rregullisht në PDF, numrat e revistës shqip-arbërisht, me titullin “Kumbora”, të cilën e drejton me dëshirë e profesionalizëm. Ndërsa vitin e kaluar erdhi në Tiranë, ku e takova bashkë me mbesën time të vogël 9-vjeçare, Dorelën. Me atë rast, me shkëmbyem libra tanë, pasi prof. Luiss de Rosa ka botuar disa të tillë, një ndër të cilët është një fjalor i dobishëm, shqip-arbërisht. Ndërsa sonte unë mora prej tij, përmes Internetit, një ftesë interesante. Ai njoftonte se, më datën 21 janar 2013, pra ditën e hënë, do të çelet në Galerinë e Artit Pamor të Durrësit, ekspozita “Fshati im, një fshat arbëresh”.

Sigurisht, dëshira ime është e madhe për të qenë i pranishëm në të dyja rastet dhe i falënderoj ata nga zemra. Por i përmenda këto ftesa për të theksuar mendimin se, kështu, duke marrë pjesë në veprimtari të tilla, kulturore e artistike e tjerë,së pari,  ne shqiptarët do të bashkohemi nga ana shpirtërore. Dhe, kur banorët e cilitdo vend qoftë ai, janë të bashkuar shpirtërisht, nuk ka asnjë focë në botë që t’i ndajë as t’i shkëpusë më ata nga njëri-tjetri. Kështu, në një farë mënyre, kjo është edhe përgjigja ime për kolegun e mikun tim, prof. Hulusi Hako,i cili më ka dërguar për ta lexuar shkrimin e tij me titull: “Me hyrjen në Bashkimin Evropian, a zgjidhet autormatikisht edhe çështja e bashkimit tonë kombëtar?” Se, që të hipësh në një shtëpi, nisur nga ajo më e ulta dhe deri te më e larta, mund e duhet të kalosh, vetëm shkallë-shkallë… Ndryshe, me përvojën e tij të mençur mijëravjeçare, populli ynë shprehet, se atëherë “thyen qafën!”

Tiranë, 19 janar 2013

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch