Home » Opinione » Opinion: Beogradi të ndal kërcënimet ndaj Luginës

Opinion: Beogradi të ndal kërcënimet ndaj Luginës

Shkruan: Fehmi Ramadani

Kërcënimet e kreut serb për rrënimin e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Preshevë janë të menduara të shërbejnë vetëm si pretekst për efekte të politikës serbe. Por, pas kësaj shqiptarëve të Luginës nuk i mbete tjetër, për veç të kërkojnë me këmbëngulje të përfshihen në dialogun e ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

 

Përkundër, investimeve të mëdha ndërkombëtare në rajon dhe kontributin e tyre në paqësimin e tij, zhvillimet e fundit në Luginë, përkatësisht kërcënimet e kreut serb për rrënimin e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Preshevë me synim të destabilizimit të rajonit paraqet një fakt tjetër shqetësues të politikës serbe, e cila po tenton të rikthej proceset regresive në rajon.

 

Dihet se nga politika nacionaliste dhe fashiste serbe, shqiptarët e Luginës nuk mund të presin ndonjë ofertë, e cila është në interes të avancimit të drejtave të tyre, apo për të mirën e tyre, sepse kjo politikë ka një kohë të gjatë që ka të rrënuar kohezionin e saj moral dhe njerëzor dhe kishte prodhuar pasoja të shumta në të kaluarën jo të largët në hapësirën e Ballkanit.

 

Përkundër saj, nuk mund të jemi nihilist dhe të themi se në Beograd nuk ka ndryshuar asgjë, ka ndryshime pozitive dhe nuk mund të krahasohet me vitet 90’ta, sepse ka një monitorim ndërkombëtar, por e keqja e saj është se kjo politikë shpesh din të dal nga vëzhgoja e saj e vjetër nacionaliste dhe tenton të bëjë përpjekje të kohë pas koheshe për rikthim të skemave të krizës, si në raport me shqiptarët, kroatët, boshnjakët e Sanxhakut, apo edhe pakicave tjera që jetojnë në këtë vend.

 

Beogradi po harron se kthimi e herëpashershme në retorikën nacionaliste dhe kërcënuese në rajon do të mund t’i kthehet si bumerang kësaj politike, mu ashtu siç iu kishte kthyer politikës pan-sllaviste serbe në ish-Jugosllavi me shkatërrimin e saj dhe padyshim se Serbia duhet të llogarisë për pasojat e saj të mundshme.

 

Fakti se ky shtet ka një krizë të thellë shoqërore dhe ekonomike; një ekonomie në bankrotim e sipër, papunësi të madhe, ikje të trurit nga vendi, ikje të një pjese të bukur të popullatës jashtë vendit, përkatësisht kërkim azili nëpër vendet perëndimore dhe më gjerë, krizë të përhershme financiare, arsimore, sociale, korrupsioni, krimi, nepotizmi, morbiteti i madh i popullatës, etj  janë vetëm disa nga këta faktorët që e bëjnë këtë shtet jo stabil dhe me një të ardhme jo të sigurt.

 

Llogaria e politikës së Beogradit se me denigrimin e vlerave kombëtare të shqiptarëve të Luginës do të arrihen efekte të dyfishta, së pari, duke minimizuar problemin e Luginës deri në minimum dhe ikja e saj nga obligimet ndërkombëtare dhe së dyti, nxjerrja e shumë atuve politike për serbët e Kosovës, sidomos në vigjilje të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel.  Kjo politikë e mbrapshtë serbe duhet të ndalet, sidomos nga faktori ndërkombëtar, sepse ata tashmë e kanë të qartë një lojë të tillë.

 

Bashkësia ndërkombëtare, por edhe faktori politik shqiptar, përfundimisht duhet bërë të qartë Beogradit agjendën me të cilën duhet të merret në raport me Luginën siç janë: demilitarizimi i zonës, lejimi i simboleve kombëtare, liria në shprehje dhe arsim, lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, sidomos me Kosovën dhe Maqedoninë, lirimi nga taksat për sigurimin e veturave me Kosovën, investimi ekonomik më i madh dhe hapja e më shumë vendeve të punës, integrimi i shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës institucionale, hapja e një Universiteti, Qendre Spitalore, Materniteti, zhvillimin e kulturës, sportit dhe segmentet tjera të jetës.

 

Këto janë disa nga problemet urgjente që Beogradi duhet të tregoj mirëkuptim në zgjidhjen e tyre, sepse e ka edhe obligim ndërkombëtar edhe me Marrëveshjen e Konçulit të viti 2001, me ç’rast kishte ardhur deri te ndërprerja e konfliktit ndërmjet shqiptarëve të Luginës dhe regjimit të atëhershëm serb.

 

Tani për tani, shqiptarëve të Luginës nuk i mbetet tjetër për veç vazhdimit të qasjes konstruktive dhe integruese në rajon. Ata duhen të jenë këmbëngulës në mbrojtjen e vlerave të tyre, sepse ato janë të tyre dhe të mos lejojnë Beogradin në rrënimin e Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Preshevë. Ata duhet të kërkojnë në vazhdimësi mbështetje nga Prishtina, Tirana dhe Bashkësia ndërkombëtare në mbështetje të kërkesave të tyre, por njëherësh duhet të kërkojnë me çdo kusht që problemi i tyre të shtrohet urgjentisht në agjendën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që po zhvillohet në Bruksel. Ky rast nuk duhet lëshuar, sepse vazhdimi i krijimit të krizave të kohëpaskohshme në rajon nuk është në dobi as të Beogradit, por as të Luginës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Beogradi, tashmë ka filluar ta kuptojë se pa zgjidhjen e problemit shqiptaro-serb nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në rajon. Politika shqiptare duhet të tregohet e guximshme dhe përfundimisht të fillojë të hapet “Kutia e Pandores”, sepse pa asnjë dyshim të gjitha faktet dhe argumentet janë në dobi të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch