Home » Lajme, Opinione, Vendore » Opinion – Bujanoci para sfidave të reja

Opinion – Bujanoci para sfidave të reja

Shaip Kamberi

Ende pa u shpallur zyrtarisht kryeministër, mandatari për formimin e qeverise se re serbe, Ivica Daçiq, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, ka nisur ndërmarrjen e masave speciale të barrikadimit të policisë së Serbisë në kufirin me Kosovën, në disa vendbanime shqiptare të komunës së Bujanocit.

Ivica Daciq, ashtu siç në prag të zgjedhjeve të 6 majit, demonstroi mizorisht forcën policore ndaj 8 shqiptarëve, duke i akuzuar ata për krime lufte kundër njerëzimit dhe duke i terrorizuar familjet e tyre, për t’i lënë pastaj ata të lirë si të pafajshëm, kësaj radhe po krijon tensione të reja në Luginë të Preshevës, ende pa u shpallur zyrtarisht kryeministër.

Me pretekst të “mbrojtjes nga terrorizmi shqiptar që po eksportohet nga Kosova”, policia e Serbisë, po barrikadohet në venkalimet në Dobrosin, (kohët e fundit ndodhën “dy sulme ndaj policisë” dhe Breznicë), me ç’rast po e rindërton imazhin e luftës në komunën e Bujanocit.

Kur edhe në kushtet e ekzistimit të një qeverie (të kaluar) e cila nga Perëndimi ishte cilësuar si demokratike, shqiptarët kishin qenë objekt i dhunës policore, në kushtet e krijimit të qeverisë nga partitë politike të dëshmuara për qëndrim anti-shqiptar, është edhe më e realshme frika e vazhdimit të politikës ndëshkuese policore ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Vetëm një muaj më parë, me rastin e arrestimit të të tetëve, mandatari i qeverisë së Serbisë kishte kërcënuar publikisht shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik për masa tjera ndëshkuese.

Incidentet e pasqaruara që po ndodhin në Dobrosin, japin të kuptojmë se cila është politika që Beogardi zyrtar do të vazhdojë të udhëhiqë ndaj shqiptarëve të Luginës. Ato lënë të dyshojnë së Bujanoci mund të rrëshqasë në një terren të paqëndrueshem politik.

Në kushtet e ekzistimit të shqetësimeve dhe frikës së realshme të shqiptarëve, në Bujanoc, koalicioni aktual qeverisës i drejtuar nga shqiptarët dhe për herë të parë që pas luftës së UÇPMB-së i varur drejtpërdrejt nga serbët lokalë, vazhdon me politikën e spastrimeve ideopolitike të institucioneve komunale.

Kësaj radhe, në sencën e 2 korrikut ishin gjendur në shënjestër drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve komuale, të cilët u shkarkuan para skadimit të mandatit dhe me shkelje të shumta të dispozitave juridike, për t’u zëvendësuar me kuadro të koalicionit. Që cinizmi të jetë më i madh, kuadrot e shkarkuara shqiptare, akuzohen për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike. Një pretkst i ri për arrestime të shqiptarëve. Thua se preteksti i “luftës kundër terrorizmit shqiptar” është i pamjaftueshëm për Ivica Daçiqin.

Pavarësisht kësaj, për të gjithë në Bujanoc është e qartë se vetadministrimi lokal në Bujanoc nuk mund të krijohet pa participimin e serbëve, por, ama ky vetadminstrim nuk guxon të varet nga vullneti politik i serbëve lokal, aq më tepër nga grupimet ultranacionaliste politike të serbëve, çfarë është njëri ndër partnerët e kryetarit aktual të komunës, “Sveti apostolli Petar dhe Pavle” e as nga SPS e Ivica Daçiqit. Një e ardhme e këtillë për Bujanocin është e zymtë.

Sido qëtë jetë, dalngadalë po i vjen fundi edhe „muajit të mjaltit“ të koalicionit aktual. Ai shumë shpejt do të duhet të ballafaqohet me problemet jetike të qytetarëve, me premtimet e veta për dy mijë vende pune të reja, por edhe me iniciativat për emërtimet e institucioneve lokale në gjuhën shqipe.

Nga këto teste konkrete, por, edhe nga qëndrimi i qeverisë qendrore ndaj Bujanocit dhe Luginës së Preshevës do të varet edhe qëndrueshmëria e koalicionit aktual për vëllazërim-bashkim në Bujanoc.

Apo, fundi do të jetë në stilin e një aforimzi që daton që nga Lufta e Trojës „Mos u beso grekëve edhe kur sjellin dhurata“.

(Autori është kryetar i Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch