Home » Opinione » Opinion – DIALOGU I KONTAMINUAR!

Opinion – DIALOGU I KONTAMINUAR!

Liderët politikë shqiptarë të Luginës së Preshevës, kanë marrë qëndrim unikë, për t’i ndërprerë bisedimet me Beogradin.

Marifet! Ata edhe ashtu nuk është dashur të iniciojnë një dialog të tillë me Serbinë, kur janë qytetarë lojalë të saj, paguajnë taksa e kontribute, marrin pjesë aktive në zgjedhjet lokale e parlamentare, drejtojnë pushtetet lokale në Preshevë e Bujanoc, participojnë në Trupin Koordinues dhe kanë formuar Këshillin Nacional, me ligjet e Serbisë. Prej nga atëherë ideja për t’i ndërprerë bisedimet me Beogradit?!

Por, problemi qëndron krejt diku tjetër. Kur filloi dialogu në Bruksel midis Prishtinës dhe Beogradit, Lugina e Preshevës mbeti pa u përfshirë në këto procese. Të dy kryeministrat: Thaçi dhe Daçiq për t’i hequr qafe kërkesat e pandërprera të liderëve politikë në Luginë, që edhe ata të jenë pjesë e këtyre bisedimeve, ata e shpikën një minidialog mes përfaqësuesve të shqiptarëve të Luginës dhe Qeverisë së Serbisë, kuptohet,në prani të OSBE-së.

Që në start, bisedimet filluan të çalonin, ngase nuk dinën nga t’ia nisnin. Pala shqiptare kishte ofruar një plan prej shtatë pikësh për zgjidhjen e problemeve në Luginë të Preshevës, por Beogradi si gjithherë manipulonte e shantazhonte me veprimet e pakoordinuara dhe të çakorduara të bashkëbiseduesve të vetë.

Mbi të gjitha, epilogu i ndërprerjes së bisedimeve Luginë-Beograd, erdhi si pasojë e mospërfilljes nga ana e Parlamentit të Serbisë, të pesë ve të deputetit popullor Riza Halimi, lidhur me miratimin e ligjit të ri për rrjetin e drejtësisë.

Sherri plasi, kur me këtë ligj përfitoi vetëm Bujanoci, por jo edhe Presheva e cila ngeli pa gjykata dhe prokurori, pasi “Enti statistikor republikan serb, gjatë regjistrimit të fundit e konsideruar Bujanocin komunë me vetëm 214, Preshevën me 461 dhe Medvegjën me 521 shqiptarë, duke mohuar në këtë mënyrë ekzistimin e mbi 60 mijë shqiptarëve tjerë”.

Këto shënime statistikore, natyrisht se minimizojnë kompetencat e deputetit të vetëm shqiptar në parlamentin serb dhe zvogëlojnë kompetencat e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës të administruar nga Beogradi. Këto dy institucione të udhëhequra nga një parti e gjysmë, si mund të thirren në emër të shqiptarëve të Luginës, kur ata zyrtarisht i njohin vetëm 1196 shqiptarë dhe vetëm për kaq shqiptarë u dëgjohet zëri në institucionet serbe dhe për vetëm kaq shqiptarë mund të marrin buxhet nga Serbia.

Në këtë drejtim nuk mbetet pa u ankuar edhe kryetari i Komunës së Preshevës, i cili ndërprerjen e dialogut me Beogradin e sheh edhe si arsyetim i “mos kthimit të lapidarit në Preshevë, konfiskimi teksteve shkollore shqipe, mos largimi i lapidarit të paramilitarëve mbi fshatin Lluçan të Bujanocit si dhe vendimi i fundit i Qeverisë, i cili shkurton buxhetin e komunave shqiptarë në mënyre drastike, duke u dedikuar ato mjete për komunat serbe në Kosovë”.

Këto padrejtësi dhe vdekja në rrethana të paqarta të Reshat Bajramit, në burgun e Vranjës, e kanë sjell dialogun Luginë-Beograd, para aktit kë kryer.

Nuk është vështirë të ndërpritet dialogu Luginë-Beograd, ngase ai ishte artificial dhe i panevojshëm. Ky dialog është më se i domosdoshëm mes liderëve shqiptarë, të cilat janë bërë pikë e pesë. Ata lëre që nuk bashkëpunojnë, por edhe e pengojnë njëri-tjetrin në rolin pozitë-opozitë.

Liderët e Luginës nëse kanë qëndrim unik për ndërprerjen e dialogut me Beogradin, ata duhet ta pezullojnë edhe bashkëpunimin “intern”, me disa organe shtetërore: policia, gjyqi etj me të cilat i koordinojnë punët për dënimin e shqiptarëve me para e me burg. Shumë kallëzime penale iniciohen nga pushteti lokal dhe përmes organeve shtetërore gjobiten dhe burgosen shqiptarët. Ngjashëm ndodh edhe me Këshillin Nacional, i cili ankohet se nuk ka bashkëpunim me Beogradin a në anën tjetër “pëlqimet” e tij merren në konsideratë nga ministritë përkatëse për t’i bllokuar projektet e mirëfillta kombëtare në favor të atyre multietnike si dhe për të penguar emërimin e drejtorëve profesionistë.

Dialogu i kontaminuar nga liderët e Luginës së Preshevës, është pritur me jehonë nga mediat dhe disa qarqe në Kosovë e me gjakftohtësi nga Beogradi. Njeriu i parë i Qeverisë së Serbisë, kryeministri Ivica Daçiq, rreth paralajmërimit për ndërprerjen e bisedimeve Preshevë-Beograd, tha shkurt: “Nëse nuk duan të bisedojnë me ne për zgjidhjen e problemeve, me kë atëherë ata duhet të dialogojnë?!

Lidership i Luginës, vërtetë, ka nevojë për një rehabilitim dhe përmirësim të raporteve messhqiptare njëherë e mirë, e mos të harlisen pa nevojë, ngase çdo gabim i tyre po paguhet nga qytetarët e pafajshëm, të cilët bien viktimë e poenave të lirë politikë të kësaj politike provinciale.

Ndërprerja e bisedimeve të kontaminuara e ka edhe një defekt tjetër! Deputeti popullor Riza Halimi dhe kryetari i Këshillit Nacional, Galip Beqiri, drejtues të Partisë për Veprim Demokratik, ishin të parët që trumbetuan ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin. Pse?! Sepse kanë ngelur në opozitë. Këtë që e bëjnë sot ata kanë mundur ta bëjnë para dy vjetësh. E njëjta situatë e cila është sot në Luginë, ka qenë edhe para dy vjetësh kur ata ishin në pozitë, kishte të burgosur e të vdekur në burgje, por ata nuk kërkonin të ndërpresin bisedimet në kuadër pushtetit lokal, Trupit Koordinues dhe Këshillit Nacional. E tashti kur janë në opozitë kërkojnë ndërprerje të dialogut, prishjen e pushtetit multietnik në Bujanoc dhe bllokimin e projekteve kapitale në Bujanoc.

Nëse kështu vazhdohet, me avazin e vjetër të inateve dhe ngërçeve politike, në Luginë të Preshevës, zor se do të ketë përparim qytetar e kombëtar, do të ketë probleme të natyrave të ndryshme politike dhe ekonomike, do të ketë arrestime e të arrestuar, të kidnapuar e të vdekur nëpër burgjet e Serbisë.

Ja, pra, kjo është Lugina jonë e kontraditave, inateve dhe ngërçeve politike, apo jo?!

/Jehona Press /

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch