Home » Opinione » Opinion: DIÇKA PO NDODH NË RTV “BUJANOCI?!”

Opinion: DIÇKA PO NDODH NË RTV “BUJANOCI?!”

Kriza mediale

 

DIÇKA PO NDODH NË RTV “BUJANOCI?!”

 

Nga Alush Presheva

 

Pas ndryshimeve që erdhën në strukturat udhëheqëse të Radio Televizionit të Bujanocit, problemet në këtë shtëpi informative, sa vijnë e shtohen.

Nuk kalon ditë, që shkallëve të këtij mediumi të mos ngjiten inspektorë republikanë, përfaqësues të kriminalitetit ekonomik e zyrtarë të tjerë komunalë për t’i hetuar rastet e keqpërdorimeve në këtë ndërmarrje publike.

Në këto procedura nuk ka mbetur pothuaj asnjë punëtorë i RTV “Bujanocit” pa u prekur, jo vetëm në vendin e tyre të punës, por edhe në zyret e SPB-së të Bujanocit.

Në këto rrethana çfarë gjendet aktualisht ky medium, askush nuk ka disponim për të punuar në misionin e gazetarisë, por të gjithë vijnë e shkojnë nga punë me vesh në krah se kush do të pësoj nga këto afera.

Kjo gjendje alarmante çfarë është krijuar në këtë medium, na kujton periudhën e para 3 vjet e gjysmë, kur nga punëtorët e sigurimit shtetëror merreshin në të të ashtuquajturat biseda informative gazetarë e ish drejtues të kësaj shtëpie mediale me pretekstin se në programin televiziv ishin dhënë emisione kushtuar tubimit tradicional “Ditët e Komandant Lleshit”.

Për ta aktualizuar dhe internacionalizuar këtë rast, punëtorët e këtij mediume me ndihmën e pushtetit lokal dhe organizatave joqeveritare, bënë presione jo vetëm te faktorët zyrtar të Beogradit, por edhe te ambasadat e huaja të akredituara në Serbi.

Kohët po ndryshojnë, tashti disa kolegë të këtij mediumi zyrtar të lartë të partisë në pushtet, heshtin para këtyre dukurive, nuk solidarizohen me kolegët e tyre, si duken kënaqen me shqetësimet e krijuara, në shenjë hakmarrje për qejfet partiake.

Kjo hasmëri nuk është evidente vetëm në marrëdhëniet midis gazetarëve të redaksisë në gjuhën shqipe, por edhe të asaj në gjuhën serbe. Këto afera nëse kështu vazhdojnë do të ngrisin tensione edhe mes gazetarëve të dy redaksive, të cilat deri dje kanë qenë një shembull bashkëpunimi.

Tensionet mund të ngriten edhe rreth sistematizimit të punëtorëve dhe nivelizimit të pagave të tyre. Nuk mund të barazohen pagat në mes disave që kanë filluar punën para 10 vitesh e disa që kanë hyrë në punë para një vitit, kuptohet niveli i mesëm i shkollimi, ose ai i larti.

Absurdi shkon edhe më larg, kur një gazetar me shkollim të mesëm bëhet kryeredaktor e kryeredaktori i deritashëm edhe ai me shkollim të mesëm bëhet portier!

Derisa udhëheqësia e re e këtij mediumi lokal, bashkë me inspektorët republikan dhe komunal merren me rastin e keqpërdorimeve në këtë ndërmarrje, Agjencia republikan për privatizim ka filluar të grumbulloj shënimet për privatizimin e RTV “Bujanoci”, i cili vështirë se do t’i shpëtoj këtij procesi.

E pushteti lokal, themelues i këtij mediumi, do të marrë frymë më lirshëm, ngase do të shkarkohet nga barra financiare për sigurimin e pagave, jo më shumë se të 42 punëtorëve, të cilët pas privatizimit do të rekrutohen në Entin Nacional për Punësim!

I njëjti problem u pat shfaqur dikur me RTV “Presheva” erdhi kryetari i ri i ndërmarrjes publike, provoi të bëjë zhurmë kinse për ta mbrojtur këtë medium a nga ana tjetër e drejtonte drejt greminës së sigurt. U desh të ngriten institucionet më të larta vendore dhe ndërkombëtare për ta nxjerrë nga kriza. Ishalla këtë fat nuk e pëson RTV “Bujanoci”, i cili po u mbyll njëherë jo vetëm institucionet komunale, por gjithë Evropa nuk mund ta ngritin më në këmbë.

 

( Autori është publicist dhe analist politik nga Lugina e Preshevës)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch