Home » Opinione » Opinion: Edhe një zyre në Veri

Opinion: Edhe një zyre në Veri

Albinot MALOKU, politolog

Në mungesë të një plani i cili do ti kënaqte të gjitha palët, Qeveria e Kosovës përmes optikës së vizionit të saj, e që në qasjen ndaj Veriut të Kosovës është dëshmuar i pa-rezultat, hapi edhe një zyre për Mitrovicën të ashtu emëruar të  Veriut.

Siç e dimë, deri më sot Qeveria Thaqi ka hapur edhe dy zyra në pjesën veriore të Kosovës, ku është e koncentruar popullata serbe e cila devotshmërisht funksionon sipas ligjeve të Serbisë, përmes institucioneve të instaluara në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës.

Zyrat e deritanishme, pra Zyra për regjistrim civil dhe zyra Koordinues për Strategjinë e Veriut përveç që u bojkotuan nga pjesëtarët e komunitetit serb, ato patën vetëm një përparësi, u bënë vende pune për disa. Që të dyja zyrat e hapura nga Qeveria e Kosovës, vërtet treguan përkushtimin dhe interesin e Republikës së Kosovës për të shtrirë integritetin shtetëror e institucional në të gjithë territorin shtetëror, por do të duhej të ishin udhërrëfyes që mos të bëhej edhe një hap pa ndonjë efekt siç ishte deri më tani, si ky i hapjes së zyrës së tretë për Veriun.

Zyra Administrative për Mitrovicën e Veriut është hap në vazhdën e zgjidhjeve kreative që ka ofruar shteti i Kosovës, por jo se ishte e paraparë me ndonjë dokument, siç shprehet kryeministri, se “themelimi i kësaj zyre është në përputhje të plotë me procesin e decentralizimit”. Plani Gjithëpërfshirës i Statusit nuk parasheh hapjen e secilës nga këto zyra të dedikuara për Veriun e Kosovës. Sipas këtij Plani, Zyra administrative e UNMIK-ut do të shuhej brenda 120 ditëve dhe më pastaj Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë do të hapte një zyre të tillë për të filluar procesi i formimit të Komunës së Mitrovicës Veriore, e më pastaj kjo Komunë të funksiononte si gjithë komunat tjera të Republikës së Kosovës. Edhe katër vite pas, kjo nuk u pa të ndodhte.

Për të gjykuar drejt, përderisa mos të ndodhë sanksionimi, kufizimi apo kushtëzimi rigoroz ndaj Serbisë nga ana e Bashkësisë ndërkombëtare për defunksionalizimin e institucioneve të saja të instaluara në kundërshtim me ligjet shtetërore të Republikës së Kosovës, çdo vendim i Qeverisë do të ngelet vetëm tentim. Pra, funksionalizimi i mekanizmave artificial e të cilët janë mjaft të kushtueshëm, pa mbështetje nga të gjitha palët do të jenë humbje kohe.

Nisma e Qeverisë për Zyrën Administrative për Mitrovicën e Veriut sikur edhe të tjerat zyre të hapura do të pësojnë dështim, kjo edhe për faktin se Bashkësia ndërkombëtare nuk ka sinkronizuar veprimet për të pas sukses të pritshëm e të dëshiruar. Po ashtu, mund të themi padyshim se Bashkësia ndërkombëtar deri më tani nuk ka pas qasje, por as qëndrim të çartë se çfarë do të bëjë Kosova, çoftë duke lëvizur edhe me gjysmë hapa drejt integritetit të plotë territorial të sajin.

Me tu kumtuar lajmi nga Qeveria e Kosovës për hapjen e kësaj zyre, pala serbe pohoj se “serbët i kanë institucionet e tyre, dhe se hapja e kësaj zyre është provokim nga ana e Prishtinës”, me që gjë hapur i thuhet edhe Bashkësisë ndërkombëtare edhe Qeverisë së Kosovës se përderisa funksionojnë institucionet ilegale serbe në Veri çdo zgjidhje kreative e ofruar nga Kosova do të ngelet  vetëm nismë.

Përveç kësaj, kjo zyrë nuk është zgjidhje e nevojshme, edhe pse do të ketë kapacitet të plotë të një komune, me 7 drejtori dhe mbi 50 nëpunës, nga se është në kundërshtim me procesin e decentralizimit. Në asnjë nga komunat e decentralizuara nuk është përdor formimi i zyrave të këtij lloji. Plus duke shtuar faktin se serbët në Veri të Kosovës janë plotësisht të dirigjuar e të kontrolluar nga Serbia, të cilët e themi prapë, pa një presion të fuqishëm për heqjen e strukturave penguese të integrimit dhe institucionalizimit të plotë të Republikës së Kosovës, nuk do të shtyjnë efektin integrues të serbëve në institucionet e Kosovës.

Fakt tjetër i mos-dobishmërisë së kësaj zyre është edhe te mënyra se si e fillojë jetën ajo Pra, nisma u fillua pa një konsultim me misionin për ligj EULEX, ku siç dihet ky mision është neutral, e përmes këtij neutralitetit më shumë i ka mbajtur anë palës kundërshtues të rendit ligjor në Veriun e Kosovës. Përfundimisht, Zyra Administrative në veri të Mitrovicës do të mbetet vetëm projekt në tentativë i Qeverisë së Kosovës, nga se serbët që e administrojnë aktualisht veriun e nuk e kanë jap pëlqimin për hapjen e saj, dhe se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë mekanizëm që ti shtyjë serbët ta pranojnë këtë zyrë.

 

*www.albinotmaloku.com

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch