Home » Opinione » Opinion – Fitorja e ultranacionalistëve në Serbi, sfidë e re politike për rajonin

Opinion – Fitorja e ultranacionalistëve në Serbi, sfidë e re politike për rajonin

Fehmi RAMADANINga Fehmi RAMADANI

 

Politika serbe e “përkëdhelura” e demokracive evropiane, në zgjedhjet e 16 marsit 2014 kishte arritur një fitore absolute të forcave ultranacionliste, kështu duke anashkaluar plotësisht frontin demokratik. Me fitoren e këtyre forcave të së kaluarës në Serbi do të ketë sfida dhe implikime të reja në rajonin e Ballkanit. Pas kësaj, faktorit politik shqiptar nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të hartojë Planin rezervë për bashkim në një shtet shqiptar, sepse kjo do të jetë imperativ i kohës.

 

Zgjedhjet e 16 marsit 2014 në Serbi kanë ndryshuar rrënjësisht skemën politike të këtij vendi, sidomos pas fitores absolute të forcave ultranacionaliste serbe dhe dështimin përfundimtar të forcave demokratike. Fitorja bindëse e Partisë Përparimtare Serbe, e shndërruar nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit, i cili po gjykohet në Hagë për krime kundër njerëzimit, si dhe ajo e Partisë Socialiste të Sllobodanit Millosheviqit, i cili po ashtu gjykohej, por për shkak të vdekjes së tij nuk kishte arritur të përfundoj, padyshim paraqet një kthim mbrapa të një ideologjie të sprovuar dhe me pasoja të mëdha gjatë së kaluarës jo të largët.

 

Këto forca politike, Parlamentin e ri Serb tashmë e përbëjnë me rreth 66 për qind të deputetëve të tyre, ndërsa vetëm rreth 34 për qind janë forca tjera demokratike duke përfshirë edhe ato të pakicave nacionale.

 

Aleksandar Vuçiç, një ish-zëdhënës në Qeverinë e Millosheviqit, gjatë krizës së viteve 97-99, shquhej për urrejtje patologjike ndaj popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe pikëpamjet e tij fashiste, si ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve. Tani, ky shovinist serb, i cili vetëm brenda natës kishte “ndërruar lëkurë”, duke u “përkëdhelur” dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtar, përkatësisht nga BE-ja, ka arrit që të fitojë pushtetin absolut në Serbi, shtet i cili kinse ka për synim inkuadrimin në Bashkimin Evropian.

 

Kjo fitore e këtyre forcave, në radhë të parë mund të thuhet kishte ardhur si pasojë e investimit jo të duhur dhe jo adekuat, pikërisht nga demokracitë e BE-së, por edhe nga një situatë shumë e rënduar ekonomike e cila po mbretëron në këtë vend. Përkundër, disa investimeve të disa kompanive të mëdha evropiane në këtë shtet, të cilët për veç përfitimit të tyre nuk kishin arritur të paktën të zbusin papunësinë dhe të ngritin standardin jetësor. Nga këto investime kishin përfituar vetëm disa individë, të cilët në një mënyrë apo tjetrën ishin të lidhur me pushtetin duke krijuar edhe monopolin e tyre politik.

 

Fakti tjetër i rritjes së simpatisë ndaj forcave ultrashoviniste është edhe përkrahja dhe mbështetja e politikës ruse, sidomos pas rastit të invadimit rus në Ukrainë, përkatësisht në Republikën Autonome të Krimesë. Një pjesë e këtij opinioni duke e parë se fuqitë e mëdha demokratike botërore nuk po bëjnë asgjë që të pengojnë këtë invadim rus dhe prishjen e rendit ndërkombëtar janë inkurajuar dhe kanë filluar të ushqejnë ëndrrat e tyre për kthim të Perandorisë Sllavo-Orthodokse dhe ndryshim të hartës gjeopolitike botërore.

 

Po ashtu, mbështetja e ‘tepruar” e BE-së ndaj politikës serbe karshi Kosovës dhe rajonit, por  dhe “lëshimi pe” ndaj tyre për hir të një inkuadrimi të shpejtuar në strukturat e saj ka dhënë mesazhin më të keq të mundshëm se këto forca vetëm në formë kanë ndryshuar dhe kurrsesi në përmbajtjen e tyre.

 

Kjo situatë e re politike e krijuar në Serbi të lë të kujtosh edhe njëherë se kjo është “politika e sëmurë” serbe, e cila mund të ketë implikime jo të mira edhe në politikën e vendeve të rajonit.

 

Me të drejtë janë disa deklarime të analistëve të rajonit, të cilët theksojnë shqetësimin e tyre në rastin e Kosovës. Padyshim, se në të ardhmen do të kemi komplikime të mëtutjeshme dhe këto forca do të shtojnë apetitet e tyre për implikime edhe më të mëdha ndaj shtetit të Kosovës.

 

Tani, nëse marrim në konsideratë edhe zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Kosovë dhe Maqedoni gjatë këtyre muajve, por edhe të ndërrimit të mëhershëm të pushtetit në Tiranë, mund të themi se rajonin tonë në të ardhmen mund ta presin sfida të panjohura politike.

 

Prandaj, do të ishte e udhës që në radhë të parë, Tirana, Prishtina dhe Tetova të punojnë intensivisht për Planin rezervë të politikës së tyre, ndryshe mund të ballafaqohemi me pasoja të mëdha. Hartimi dhe unifikimi i një Plani të përbashkët kombëtar i hapësirave shqiptare do të ishte përgjigja më e mirë ndaj ekspansionizmit dhe shovinizmit serb. Plani i bashkimit të Kosovës dhe trojeve tjera etnike shqiptare  me Shqipërinë do të ishte ilaçi më i shërueshëm kundër “sëmundjes” së ekspansionizmit serb, por do të ishte edhe një ndihmesë e madhe që Serbia të shuaj njëherë e përgjithmonë ëndrrën e saj të aneksimit të tokave shqiptare. Kjo do të jetë edhe një ndihmesë e madhe edhe për Evropën, e cila edhe ajo do ta ketë më lehtë me një shtet të reformuar dhe pa pretendime territoriale ndaj fqinjëve, nëse vërtet dëshiron ta ketë në strukturat e saj.

 

Kjo do të jetë edhe më mirë edhe për SHBA-të, e cila më në fund do të ketë një aleat serioz, të unifikuar dhe të fortë, një shtet shqiptar, i cili do të jetë garant jo vetëm e vetvetes, por edhe i stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.

 

Përfundimisht, demokracitë botërore duhet të kuptojnë se pa zhvillimin e këtyre premisave politike, pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan, paqja dhe stabiliteti nuk do të arrihen kurrë. 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch