Home » Opinione » Opinion – FORMIMI I TRIBUNALIT, FYERJE E RËNDË PËR KOSOVËN!?

Opinion – FORMIMI I TRIBUNALIT, FYERJE E RËNDË PËR KOSOVËN!?

 Fehmi RamadaniNga Fehmi RAMADANI

 

“Drejtësia dhe e vërteta nuk janë në mbrojtje, ose arsye në sallat e diplomacisë. Djali im, ti nuk e din se me sa pak mëshirë qeveriset bota”- (George Fred Williams)

 

Iniciativa e fundit diplomacisë së BE-së për formimin e një Tribunali Evropian për krime kundër njerëzimit në Kosovë, paraqet kulmin e një politike skajshmërisht të padrejtë dhe shumë hipokrite të BE-së karshi Kosovës.

 

Formimi eventual i këtij Tribunali, përfundimisht po i heq të gjitha maskat e politikës së BE-së kundër shtetit të Kosovës dhe po tregon fytyrën e vërtet të saj, e cila ende nuk po lirohet nga paragjykimet e saj të vjetruara në raport me shqiptarët. Deklarata e famshme e ish-ministrit të jashtëm gjerman Joshka Fisher në vitin 1999, i cili  bombardimet e NATO-së ndaj ish-Jugosllavisë i kishte cilësuar si dëshirë e Medlin Allbrajt për luftën e saj kanë zbuluar në esencë politikën joparimore dhe jo të drejtë të BE-së karshi gjenocidit serb në Kosovë.

 

U dashtë të kalojnë rreth 15 vite pas lirisë së Kosovës dhe BE-ja të “zbulojë” sihariqin e radhës se në Kosovë edhe shqiptarët paskan kryer krime kundër njerëzimit, sidomos ndaj pakicave nacionale, përkatësisht serbëve, romëve, etj. Kjo politikë anakronike ndër shqiptarët assesi nuk po kuptohet. Dilema është e madhe, se si është e mundur, që të formohet një Tribunal Evopian, kur tashmë edhe puna rreth Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë është në përfundim e sipër.

 

Atëherë, shtrohet pyetja, çfarë ishte gjykimi kundër Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj, Idriz Balaj dhe Haradin Bala? Çfarë ishte Tribunali i Hagës, a ishte një gjykatë e drejtësisë, apo një farsë politike, e cila më shumë shërbeu për balancime të fajësisë dhe kusuritje politike? Fatkeqësisht, tashmë realiteti po dëshmon se drejtësia ndërkombëtare shpeshherë po gjendet në lajthitje duke e ndryshuar kursin dhe mision e saj.

 

Opinioni demokratik dhe liridashës i rajonit nuk po mund të kuptoj se si është e mundur që të gjykohen njerëzit të cilit nuk kishin ku të shkonin për tej pragut të shtëpisë së tyre, të cilët me dhunë detyroheshin të shpërnguleshin nga vatrat e tyre nga një politikë vërtet gjenocidiale, siç kishte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

 

Alternativa ndërmjet vdekjes dhe jetës ishte zgjidhja e rezistencës së populli shqiptar, sidomos me formimin e UÇK-së, një formacion ushtarak me vlera më të avancuara guerile të njohura deri më tani në historinë e formacioneve ushtarake botërore. Një ish-administratori i UNMIK-ut në Kosovë, z. Bernard Kushner për familjen e Adem Jasharit dhe luftën e UÇK-së, jo rastësisht i kishte vlerësuar se po të kishte një çmim Nobel për këto vlera, padyshim se do të duhej ndarë kësaj familje dhe luftës së tyre. Dhe, më shumë diplomatë, por edhe ushtarak të karrierës, UÇK-në dhe luftën e saj e kishin vlerësuar si të drejtë, por edhe si ushtri e cila kishte respektuar kriteret dhe konventat ndërkombëtare të luftës.

 

Si mund të justifikohen faktet e shkatërrimit të rreth 120 mijë shtëpive, mbi 24 mijë viktima të luftës, mbi 1800 luftëtarëve të lirisë, me mijëra vajza dhe gra shqiptare të dhunuara, si dhe me qindra milionë dëme tjera materiale e shpirtërore, të cilat në mënyrë të planifikuar i kishte bërë Serbia në Kosovë? Si mund të arsyetohet vendimi i NATO-së, përkatësisht SHBA-ve për bombardim të caqeve ushtarake e policore serbe, të cilat në Kosovë kryen krime të tmerrshme kundër popullatës? Cila është ajo drejtësi evropiane që do të shkelte mbi këto sakrifica sublime të një populli, por edhe të një mbështetje ndërkombëtare ushtarake dhe të krijoj balance të krimit, në mënyrë të përfitimeve të ndryshme politike?

 

Formimi eventual i Tribunalit Evropian për krime kundër njerëzimit në Kosovë do të duhet të kuptohet si një tentim i politikës së BE-së për rrënim të këtyre vlerave, por edhe kundër politikës së SHBA-ve, të cilët ishin vendimtarë për shpëtimin e Kosovës dhe politikës së shtet-ndërtimit të saj.

 

Kjo nuk ndryshe nuk mund të kuptohet, andaj Tirana, Prishtina dhe Shkupi kësaj politike të mbrapsht evropiane për Kosovën duhet dhënë përgjigjen e duhur dhe të merituar. Politikanët shqiptarë të këtyre qendrave, përfundimisht BE-së duhet t’i japin përgjigjen e përbashkët sepse kjo punë nuk do të duhej të tolerohet dhe nuk do të gjej zbatim në Kosovë.

 

Këtu në Kosovë, askush nuk është kundër drejtësisë ndërkombëtare të çfarë do lloj niveli, sepse ky vend tashmë ka nevojë të madhe për ndihmë e saj, si në zbatimin e ligjit, por edhe të shumë akteve tjera ndërkombëtare. Për këtë qëllim është edhe EULEX-i, pikërisht ky mision evropian, i cli padyshim se po jep ndihmën e tij. Por, çfarë i duhet Tribunali për krime Kosovës, kundër kujt duhet të shërbej, kundër atyre që mbrojtën veten, familjen, pragun e vet, nderin, lirinë etj, atëherë vërtet kjo nuk do të duhej të pranohej për asnjë çmim. Përgjigjja e njëjtë do të duhej t’i jepet BE-së, sikur Tirana që veproi kohë më parë me të ashtuquajturat “armëk kimike” të Sirisë, për të cilët insistonte SHBA-ja, por përkundër miqësisë së madhe me këtë shtet kjo nuk u pranua. Politika shqiptare për herë të parë pas viteve 1990 kishte arritur të dalë nga gëzhoja e paternalizmit, servilizmit dhe nënshtrimit të huaj dhe të marrë një vendim autonom dhe sovran në interes të popullit dhe vendit të vet.

 

Politika shqiptare, në fund duhet thënë BE-së faleminderit për të gjitha ndihmat tuaja, por formimi i Tribunali Evropian për Kosovën nuk është i nevojshëm, sepse Kosova tashmë i ka të gjithë mekanizmat, si ndërkombëtar, por edhe drejtësinë e saj dhe është e aftë të veproj si shtet, në rast të ndonjë shkelje të drejtash, apo të ndonjë padrejtësie që ka mund të ndodh në të kaluarën e saj.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch