Home » Opinione » Opinion: GETOIZIMI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS

Opinion: GETOIZIMI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS

Që nga 26 Dhjetori i vitit 2011, pikërisht me fillimin e zbatimit të së ashtuquajturës “Marrëveshje për lirinë e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave” në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së, qytetarët e Luginës së Preshevës në vend që t’i gëzohen kësaj, ata janë futur edhe më shumë në izolim dhe geto.

 

Kjo ka ardhur si pasojë e kësaj marrëveshje, për të cilën më herët palët ishin pajtuar në Bruksel, por në realitet kjo nuk është ajo të cilën qytetarët e dy vendeve e kishin pritur, që vërtet të kenë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në mes veti pa kushte paraprake. Duke mos i mohuar edhe anët pozitive të saj, sidomos me njohjen e tabelave dhe dokumenteve të Republikës së Kosovës, kjo marrëveshje dobësinë më të madhe e ka në vënien e taksës së lartë mbi polisat e sigurimit të makinave, të cilat janë shumë të larta dhe të papërballueshme për pjesën dërmuese të popullatës së Luginës.

 

Vlen të theksohet, se për çdo hyrje me automobil me targa të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës duhet të paguhet polisa e sigurimit prej 60 eurosh për një qëndrim 14 ditësh. Kurse, brenda 1 muaji qëndrim duhet paguhet shuma prej 120 eurosh dhe ky haraç, për fat të keq paguhet vetëm nga ana e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe jo nga serbët e Kosovës, të cilët pa asnjë problem lëvizin në drejtim të Serbisë, edhe pse në makinat e tyre edhe pas 12 vjetësh pas luftës bartin tabelat e strukturave paralele serbe dhe nuk paguajnë asgjë. Bile, kohën e fundit me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës këto tabele të vjetra serbe janë vazhduar dhe ende trajtohen si tabela valide në territorin e Republikës së Kosovës.

 

Përkundër, kundërshtimit të faktorit politik shqiptarë të Luginës për këtë marrëveshje diskriminuese dhe në kundërshtim me të gjitha normat dhe standardet evropiane mbi lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, kjo nuk është përfillur as nga Beogradi, por as nga Prishtina. Prishtina po arsyetohet se kjo është një kundërmasë ndaj shtetit serb, i cili ka aplikuar masa të njëjta ndaj shtetasve të Kosovës. Derisa politika serbe është e njohur për masat diskriminuese, sidomos ndaj shqiptarëve dhe pakicave tjera që bëhen në këtë shtet, nuk mund të kuptohet roli i Prishtinës në këtë lojë, e cila me vetëdija ka pranuar një ndëshkim të tillë kundrejt bashkëkombësve të vet, të cilët edhe ashtu janë të privuar nga shumë të drejta në shtetin ku jetojnë.

 

Por, jo vetëm kaq, nga kjo marrëveshje nuk janë dëmtuar vetëm 70 mijë banorët shqiptarë të Luginës, por edhe rreth 50 mijë banorë me origjinë nga Kosova, të cilët jetojnë dhe punojnë, si në Beograd, por edhe në territorin e ngushtë të Serbisë. Të gjithë këta njerëz një ose dy herë në vit vijnë në Kosovë dhe janë të detyruar që për një muaj qëndrimi të paguajnë nga 120 euro taksë sigurimi.

 

Po ashtu, këtë haraç për këtë “lëvizje të lirë” tani janë duke e paguar edhe rreth 50 mijë boshnjakë të Sanxhakut, të cilëve u është kufizuar kjo lëvizje për shkak të mos-mundësisë së pagesës për të ardhur në Kosovë. Dihet se një pjesë e madhe e tyre kanë lidhje, si farefisnore, biznesi dhe të tjera me Kosovën, andaj kjo u ka krijuar vështirësi shtesë si në lëvizje dhe komunikim.

 

Nga këto fakte që përmendëm po shihet se nga kjo marrëveshje më shumë janë dëmtuar jo-serbët, të cilët në një mënyrë apo tjetrën janë të lidhur me Kosovën. Tani, kur në shumicën e shteteve evropiane edhe kufijtë janë hequr dhe njerëzit e këtyre vendeve lirshëm mund të lëvizin nga një vend në vendin tjetër pa ndonjë problem, për fat të keq në rajonin e Ballkanit ende po vazhdojnë të vihen barriera të reja dhe të ndryshme ndërmjet këtyre vendeve.

 

E keqja e kësaj marrëveshje është se pikërisht BE-ja, e cila ne vendet e saj zbaton krejt standarde tjera, ndërsa në raport me Kosovën dhe rajonin marrin vendime me kritere anakronike. Kjo politikë e standardeve të dyfishta duhet të ndalet, si nga Serbia dhe BE-ja dhe të pranojnë të njëjtat standarde si të gjitha shtet tjera të Evropës. Politikën e getoizimit dhe barrierave të panevojshme duhet lënë të së kaluarës dhe duhet gjetur marrëveshje që vërtet mundësojnë lëvizje të lirë në të gjitha aspektet, por edhe bashkëpunim dhe mirëkuptim reciprok për të gjithë popujt e këtyre hapësirave.

 

Nëse vërtet vendet e Ballkanit kanë për synim BE-në atëherë duhet përqafuar medoemos standardet më të larta për qytetarët e tyre dhe në të ardhmen të mos kenë pengesa, si në lëvizje, qarkullim, komunikim dhe raporte të mira fqinjësore. Kështu do ta kenë më lehtë jetën e tyre, të cilën pa mëdyshje e dëshirojnë popujt e rajonit.

 

 

Shkruan: Fehmi Ramadani

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch