Home » Lajme, Opinione » Opinion: GJYKATA E HAGËS NGA NJË ORGAN I DREJTËSISË NË NJË SHËRBIM POLITIK

Opinion: GJYKATA E HAGËS NGA NJË ORGAN I DREJTËSISË NË NJË SHËRBIM POLITIK

“Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje ose arsye në sallat e diplomacisë. Djali jem, ti nuk e di se me sa pak mëshirë  qeveriset bota” –George Fred Williams

 

Dje, pikërisht më 25 qershor 2012 duke përcjellë fjalën përfundimtare të Prokurorisë së Gjykatës së Hagës në rastin e akuzës së ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Isak Musliu, duke dëgjuar për akuzat e Prokurorit ndaj tyre të krijohet përshtypja sikur ne këtu në këtë vend nuk kemi parë asgjë, nuk po dimë asgjë, nuk kemi përjetuar hiçgjë, bile edhe sikur nuk po dimë edhe përse po jetojmë. Çfarë u pa, çfarë u fol dhe çfarë u dëgjua në këtë Gjykatë, të krijohet bindja sikur ne njerëzit e kësaj toke kurrë nuk paskemi jetuar në këtë planetë!? Atëherë, me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Çfarë është kjo Gjykatë? A është organ i drejtësisë ndërkombëtare, apo mekanizëm manipulativ politik, i cili shërben për interesa të ndryshme? A është ky organ i drejtësisë, apo në shërbim të politikës së grupeve të ndryshme të interesit?

 

Gjykata e Hagës si organ politik

 

Duke mos u futur në analizë më të zgjeruar mund të themi se pas luftës së vitit 1999 në Kosovë pjesa dërmuese e shqiptarëve kishin një opinion pozitiv për fillimin e punës së saj. Hetimet që zhvilloheshin ndaj kriminelëve dhe krimeve serbe në hapësirat e Ballkanit ishin të mirëpritura, por me kalimin e kohës erdhi deri te ndryshimi i kursit të saj për çka kishte filluar.

 

Tani, kur kjo Gjykatë ka shqyrtuar dënime të ndryshme, si ndaj kroatëve, boshnjakëve, serbëve dhe së fundmi shqiptarëve, kursi i saj faktmbledhës dhe hetimit të krimeve sidokudo kishte devijuar në masë të madhe dhe nga një organ i drejtësisë ka rrëshqitur në një mekanizëm politik. Rastet e mëhershme të dënimit të disa pjesëtarëve të UÇK-së për kinse krime kundër njerëzimit në Kosovë mund të konsiderohen më shumë raste spekulative, raste me karaktere politike, apo të një balance politike për hesap të periudhës postkonfliktuoze. Rasti më i fundit i ripërsëritjes së akuzës ndaj Ramush Haradinajt dhe dy shokëve të tij, edhe përkundër lirimit të tyre të mëhershëm, padyshim se ka irrituar pjesën dërmuese të opinionit në Kosovë duke ngjallë mosbesim në drejtësinë dhe korrektësinë e saj. Pas rastit të djeshëm të këmbëngulësisë së Prokurorit të kësaj Gjykate që me çdo kusht Ramush Haradinaj me shok të dënohet maksimalisht prej 20 vjetësh burg qiti në shesh synimin parësor të saj, e cila më shumë është shndërruar në vegël politike se sa instrument i drejtësisë. Tashmë, edhe më shumë, kjo Gjykatë është shndërruar në një organ fals të drejtësisë për përfitime politike. Krejt kjo punë është duke ndodhë për kinse të një pajtimi ndërmjet popujve të Ballkanit, të cilët në të kaluarën ishin në konflikt.

 

Akuza me standarde politike

 

Kjo drejtësi i standardeve të ndryshme është një sinjal i keq për të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare. Krimet dhe kriminelët duhet gjykuar, pamarre parasysh nacionalitetin e tyre, por kjo çështje kaq shumë të politizohet dhe të deformohet në dëm të një populli të vogël, ndaj të cilët gjatë një shekulli, jo vetëm që ishin zhvilluar krime të llahtarshme, por kishte edhe përpjekje për gjenocid dhe shfarosje totale. Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij kishin një vizion të qartë për çlirimin e Kosovës dhe jo kot vetes i kishin shtruar këtë obligim.

 

Tani, kur ky qëllim është realizuar dhe Kosova përgjithmonë hoqi zgjedhën e robërisë ka mbetur në detyrë të tjerëve të mbrojnë kauzën e saj çlirimtare, por edhe të njerëzve të saj, të cilët dhanë mjaftë për të. Por, akuzat e Prokurorit të Gjykatës së Hagës ishin të rënda edhe përkundër mbrojtjes së duhur. Politika në Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu shumë pak ka punuar në mbrojtjen e kauzës çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të njerëzve të saj. Këtu nuk po gjykohet Ramush Haradinaj me shok, por po gjykohet një faqe e një historie të lavdishme të popullit shqiptarë. Çdo vendim jo i drejt ndaj këtij rasti do të ishte një betejë e humbur e kauzës shqiptare. Kjo nuk do të duhet të ndodhte, por me që ky organ tashmë ka rënë në ndikim të politikës, atëherë gjithçka është e mundur.

 

Dashtë Zoti që Ramushi dhe bashkëluftëtarët të tij të lirohen përfundimisht si të pafajshëm dhe t’i kthehen familjeve të tyre, në të kundërtën kjo do të ishte një padrejtësi shumë e madhe, si ndaj tyre, familjeve të tyre, por edhe ndaj popullit shqiptar në përgjithësi. Dhe në fund, jo më kot në vitin 1914 ambasadori amerikan George Fred Williams për Greqi dhe Mal të Zi duke pa padrejtësitë e mëdha që i bëheshin shqiptarëve nga fuqitë e atëhershme ishte shprehur: “Drejtësia dhe e vërteta nuk janë mbrojtje ose arsye në sallat e diplomacisë. Djali jem, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset bota”.

Shkruan: Fehmi Ramadani


Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch