Home » Opinione » Opinion: Jorgani i Nasradinit, lapidari dhe bisedimet e Brukselit

Opinion: Jorgani i Nasradinit, lapidari dhe bisedimet e Brukselit

 

 

 

 

 

 

Shkruan Mr.Nehat Hyseni

Dikur Nasradin Hoxhën e kishte zgjuar nga gjumi një tollovi që zhvillohej para shtëpisë së tij. Si i trishtuar nga rrëmuja e tillë, ai kishte harruar fare të vishet, por kishte dalur në rrugë me jorganin mbi supe. Mirëpo, pasi mbaroi tollovia dhe  u qetësua situata, ai e pa veten të zhveshur dhe pa jorgan mbi supe. Atëherë, konstatoi me dëshprim se “kjo paska qenë hallakamë e jorganit”. Sa duket, tek ne “hallakama” e lapidarit e ka zhvendosur vëmendjen tonë nga negociatat politike për statusin e serbëve të veriut të Kosovës në Bruksel, pa u përmendur fare Lugina e Preshevës, duke u ofruar atyre pakon “Ahtisari Plus”, kurse Luginës as “Ahtisarin Minus”.

Situata e tendosur reth Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë ka ngritur tensionet politike  me përmasa shqetësuese. Gjuha kërcnuese ndaj shqiptarëve të Luginës që përdoret nga ana e kreut të  Qeverisë serbe Daçiq, si dhe nga presidenti Nikoliq, për nga ashpërsia dhe tonet kërcnuese ia kalon edhe Millosheviqit.

Rivalitetet  politike në Serbi dhe lapidari

Rivaliteti politik midis tyre paraqet garë politike për “bajrakun” e antishqiptarizmit që gjithnjë u ka sjellur mbështetje dhe vota tek elektorati dhe votuesit e tyre.

Pozita tejet e “fortë” e Daçiqit, sa duket është duke me sjellur në siklet SNS-in e Nikoliqit, meqë Daçiqi është duke i prirë bisedimeve me Thaçin në Bruksel, Nikoliqi ngutej që “t’ia trasoj rrugën” dhe t’ia presë rrobat sipas masës së tij me të ashtuquajturën Platformë mbi Kosovën.

Kjo punë disi nuk është duke i shkuar sipas qejfit, sepse as punët e Vuçiqit me arrestimet dhe burgosjen e “tajkunëve” serb, ose magnatëve ekonomik, është duke u sfiduar nga Daçiqi. Deri më tani sukseset pa problem të theksuara janë duke u vjelur vetëm ndaj DS-it që është hedhur në opozitë dhe në konsolidim të ngadalshëm, për t’u “rikuperuar” me nduti dhe për t’i konsoliduar radhët që në zgjedhjet eventuale të jashtëzakonshme, të hyjnë me çdo kusht në qeveri, me qëllim që t’i shpëtojnë kaudrot e veta që janë në “listën” e Vuçiqit.

Ndërkaq, kuadrot e SPS-it të Daçiqit janë duke i rrezistuar me sukses deri më tani, duke e sfiduar projektin e Vuçiqit, që është duke i sjellur mbështetje të madhe, krahas luftës së tyre ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe Luginë.

Kjo garë e tyre synon të çoj në zgjedhje të parakohëshme parlamentare Serbinë,  për t’a “xhveshur” Daçiqin nga pushteti dhe ndoshta për ta risjellur DS-in, me liderin e ri Gjillasin (e afërt me Vuçiqin),  sërish në pushtet. Sinjalet janë dhënë tanimë dhe beteja politike do ta shndërroj Serbinë në arenë të vërtetë politike gjatë këtij viti që disa e quajnë “ters” meqë mbaron me numrin “baksëz” 13. “Tersllëku” i këtij viti ka hasur në ambientin sfidues të negociatave për “djepin e serbizmit” që duan të përfundojnë në qershor. Dhe këtu duan  t’i ngasin kuajt për ta bindur  sa është e mundur më tepër votuesin serb me peshën e “serbizmit” që e kanë secila nga ato.

“Djepi” dhe foshnjëria politike serbe

Lufta në Serbi bëhet mes ëndrrave se “Kosova është Serbi” dhe se ajo “duhet të kthehet në shtetin e vet Serbinë”, pa çka se as president i saj nuk mund ta vizitoj Kosovën pa lejen e Prishtinës zyrtare. Dhe ky “djep” i serbizmit është duke i sjellur telashe këtij kombi meqë nuk e lent të “piqet”  kurrësesi politikisht, duke synuar gjithënjë “djepin” e vet për t’u përkundur në ëndrrat e veta antishqiptare të “foshnjërisë”ultranacionaliste e shovniste.

Kjo “foshnjëri” politike e serbëve ka qenë dhe mbetet akoma si burim i rrëmujave politike dhe skenës gjithnjë të tensionuar politike, që aktualisht manifestohet me lapidaromaninë që e ka kapluar Serbinë fillim e mbarim në tërë hapsirën e saj territorial, duke ndërtuar dhjetra përmendore të përmasave gjigante Drazha Mihajlloviqit si kryekriminel serb që u dënua me vdekje dhe u pushkatua në vitin 1945, meqë akuzohej se ishte fajtor për vrasjen e qindra mija serbëve, kroatëve, muslimanëve, hungarezëve, shqiptarëve etj. E tillë ishte edhe përmendorja e xhandarëve serb të rënë në luftë kundër shqiptarëve në Luginë.

Kryqi gjigant  si “dekor”domosdoshëm i lapidarëve serbë

Dhe dekorit të lapidarëve në Serbi, e veçanërisht atyre që i ndërtuan serbët në Luginë nuk i mungon në asnjë rast kryqi i përmasave gjigante, i cili doemos duhet të jetë i pajisur me drita të fuqishme që mund të shihen nga largësia. I tillë është edhe lapidari serb në afërsi të fshatit Lluçan, i cili mund të shihet nga autostrada ditën, kurse natën edhe shumë më larg.

Ndërkaq, ndodhi paradoksi. Derisa Serbia është e përfshirë nga histeria e “lapidaromanisë” dhe “kryqomanisë” anembanë territorit të vet, ajo bënë luftë të “pakompromis” kundë lapidarëve joserbe. Kështu, në korrik 2012 u ngrit kundër lapidarit të Aqif Efendisë (me origjinë shqiptare), i cili ishte kryetar i  komunës së Novi Pazarit dhe organiozoi mbrojtjen e popullatës nga sulmet e hordhive çetnike kah fund i Luftës së Dytë Botërore. Ky lapidar qëndron i palëkundur edhe sot e kësaj dite.

Pasta, erdhi në rend edhe lapidari i Preshevës. Këtu sulmi ishte edhe më i “furishëm”, duke koinciduar me afërsinë e datës së bisedimeve për Mitrovicën e veriut  dhe për komunat tjera në veri të Kosovës. Me këte u zhvendos vëmendja nga bisedimet e Brukselit  tek lapidari i Preshevës. Kurse, Lugina e Preshevës nuk u përfshi fare në agjendën e bisedimeve të Brukselit. Pra, ra lapidari dhe e “harruam” Brukselin!

A është e rastësishme kjo situatë e tensionuar reth lapidarit ?

Gjykuar sipas hapave të bërë dhe “hizmetit” që ia kanë bërë kësaj pune, këtu vend për rastësi nuk ka. Pra, Serbia me kohë kishte filluar ndërtimin e lapidarit për xhandarët e rënë  serb , duke zënë një hektar tokë në bregun e malit mbi Lluçan, me çka ka zaptuar tërë horizontin hapsinor që sidomos natën imponohet me dritat e kryqit gjigant nga largësia dhjetra kilometrash.

Pastaj Serbia kishte ngritur “peshë” tërë rajonin për t’a ndaluar lapidarin e dëshmorëve shqiptarë me qëllim që ta fshehë nga opinion imponimin e lapidarit serb që vendosej si provokim ndaj popullatës shqiptare, meqë aty nuk jeton asnjë serb i vetëm.

Ndërkaq, premieri i Kosovës Hashim Thaçi dhe premieri i Serbisë  Ivica Daçiq me ndërmjetësimin e kryediplomates së BE baroneshës Eshton realizuan dje bisedimet mbi pesëorëshe. Aty oferta e Kosovës ishte pakoja “Ahtisari Plus”, duke ofruar një shportë të madhe ndihmash ekonomike dhe pranimin e situatës faktike të strukturave paralele serbe, të cilat sipas Thaçit “do të hiqen”, kurse sipas Daçiqit ato u “legalizuan”. Për Luginën e Preshevës nuk u tha asnjë fjalë e vetme, duke e lënë atë krejtësisht jashtë agjendës së bisedimeve.

Derisa temperatura politike në Luginë është ngritur aq shumë dhe është duke vluar reth lapidarit në Preshevë, si dhe atij serb në Lluçan, “treni” i bisedimeve të karakterit gjeopolitik në Bruksel, ku është duke u vendosur fati i Kosovës si shtet dhe statusi politik i serbëve të Kosovës, Lugina po mbetet në stacion duke pritur “trenin” tjetër, e mbërthyer në zhurmën dhe tensionet politike me rrezik real të shpërthimit të edhe një konflikti të armatosur, duke bërë “sehir”  qytetarët e shqetësuar demonstrimin e forcës ushtarake të shtetit serb dhe të rimilitarizmit të çdo pëllëmbe tokë të kësaj treve tonë stërgjyshore.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch