Home » Opinione » Opinion: Kosova Lindore në fokus – BARRIKADAT POLITIKE

Opinion: Kosova Lindore në fokus – BARRIKADAT POLITIKE

Ndryshimet klimatike në vend, kanë sjellë të reshura të dendura të dëborës, të cilat kanë bllokuar fshatra të tëra të Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe të Medvegjës.

Këto barrikada të papritura metorologjike, ngjajnë nga pak me ato politike, që do të vendosen së shpejti në krahun lindor të Kosovës. Ndonëse të gjitha barrikadat, qoftë ato metorologjike, qoftë ato politike janë të përkohshme. Ato, thjesht, nuk kanë jetë të gjatë, të gjithë e dinë. Por, një është e vërteta. Për poena të lirë politik, nuk duhet ta vësh popullin para një situate të padurueshme: siç është modeli i barrikadave e bllokadave, të cilat tashmë janë të demoduara.

Nuk ka vend në botë përveç Kosovës, e cila pranon që në territorin e saj Sovran e të mëvetësishëm, të vej barrikada, pragje artificiale, gardhiqe politike, për t’i ndarë me vetëdije apo pavetëdije vëllezërit e vet të gjakut dhe fisit.

Është gabim i rëndë politik nëse imitohen barrikadat serbe në veri të Kosovës. Ky është një imitim i zbehtë, nga se serbët vejnë barrikada në tokën e Kosovës, jo Brenda në Serbi. Krejt normale do të ishte sikur shqiptarët të vejnë barrikada në Ristoc, afër Bujanocit, kufiri i vjetër me Serbinë.

Shqiptarët e Komunës së Bujanocit, gjatë vitit 2003, e vënë një barrikadë në Konçul, ku me orë të tëra u paralizua rruga Kosovë-Serbi, dhe vetëm ata e dinë se çfarë pësuan nga presionet e Beogradit dhe ndërkombëtarët.  

Takimet

Përfaqësues e Lëvizjes Vetëvendosja, kanë takuar në Prishtinë, disa nga përfaqësuesit insitucionalë dhe opozitarë për të kuvenduar rreth barrikadave të paralajmëruara më 14 janar, në pikat kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Në këtë takim ishin të pranishëm vetëm disa përfaqësues të Partisë për Veprim Demokratik, opozitare në Preshevë dhe pushtetare në Buajnoc, pastaj përfaqësuesit e krahut të djathtë të këtij subjekti politik, i ndarë kohë më parë në parti të re Partia Demokratike dhe gabimisht i painformuar mirë një përfaqësues i Partisë Demokratike shqiptare.

Për të qenë ky takim më burrëror, më vëllazëror dhe më vetvendosës është dashur të thirren përfaqësuesit e gjithë spektrit politik shqiptar i Kosovës Lindore, i cili nuk përbëhet prej dy-tri partish, madje edhe pa Medvegjën legjendare.

Nuk ka të keqe aspak nga përfaqësuesit e Luginës së Rizës, në këtë takim, por këta zotërinj nuk janë në gjendje ta pastrojnë borën në oborrin e vetë, t’i zhbllokojnë nga izolimi i borës fshatra të tëra të këtij rajoni, madje-madje as ta largojnë “macen nga përsheshi”, e lëre më të kryejnë ndonjë vepër madhore me përmasa ndërrajonale!

Pavarësisht nga këto takime dhe reagime, shqiptarët e Kosovës Lindore, vazhdojnë ta kalojnë kufirin Kosovë-Serbi, duke paguar taksën obliguese prej 60 euro dhe më shumë, si dhe duke kaluar këmbë!

Vizita

Këto ditë, për shqiptarët e Kosovës Lindore, shkrepi edhe një lajm kurioz.  Në fund të kësaj jave, në këtë rajon vjen për një vizitë dyditore, Ministri i Diasporës Ibrahim Makolli.

Kjo vizitë, me siç thuhet, është në kuadër të programeve të qeverisë për ta vizituar jo vetëm diasporën, por edhe trojet tjera etnike, ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarë etnikë jashtë kufijve administrativ të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Preshevë z. Makolli i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të afaristit Bexhet Pacolli,  do të takohem me liderë: si Riza Halimin, deputetin jolegjitim të Parlamentit të Serbisë, kryetarin e Komunës së Preshevës z.Ragmi Mustafën, me kryetarin e Bujanocit z.Shaip Kamberin, Galip Beqirin, kryetarin jolegjitim të Këshillit Nacional Shqiptar, si dhe liderët e subjekteve tjera politike e shoqërore.

Këtë vizitë z.Makolli, për shkak motit të keq, më mirë ka qenë ta zhvilloj në Beograd, i cili edhe ashtu e mori me kënaqësi përkrahjen e Serbisë. Këta përfaqësues politikë, institucionalë dhe deputeti, edhe ashtu më shumë kanë qejf të takohen në Beograd sesa në Preshevë.

Këta përfaqësues të lartthekësuar, kohë më parë, kërkuan t’i vizitojë krerët institucionalë të shteteve amë: Shqipëria dhe Kosova, dhe tash kënaqen me vizitën e një ministri që përfaqëson Diasporën. E Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si duket po bëjnë hajgare me ndjenjat atdhetare të shqiptarëve të Kosovës Lindore, në mungesë të prezencës së tyre në këto hapësira etnike, ata dërgojnë përfaqësues jo kënaqshëm për shqiptarët e Kosovës L;indore,  të cilët veten nuk e llogarisin diasporë, për t’i vizituar një ministër diaspore, ashtu siç ngjau para disa viteve me vizitën e Ilir Metës në Preshevë.

S’është çudi! Kohëve të fundit ka zëra nga Kosova, që shqiptarët e krahut të saj lindor i quajnë shqiptarët e Serbisë. E shqiptarët e Serbisë, me Referendum e luftë e treguan se janë të Kosovës Lindore dhe kanë me qenë gjithmonë pjesë natyrale të saj, pavarësisht nga kualifikimet dhe epitetet, që mund të vijnë shpesh edhe nga vëllezërit e tyre kosovarë.

Nga Tërnoci PRESS

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch