Home » Opinione » Opinion – LUGINË, VEÇ MOS THUAJ MBAROVA!?

Opinion – LUGINË, VEÇ MOS THUAJ MBAROVA!?

Fehmi RamadaniÇfarë koincidence, rrafsh 100 vjet më parë rilindësi ynë Vaso Pashë Shkodrani në poezinë e tij “O Moj Shypni” e kishte përshkruar gjendjen e mjeruar në të cilën kishte rënë Shqipëria, si për fajin e pushtuesve të huaj, por edhe të udhëheqësve të vet. Ai shkruan kështu: “Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po, sikur lisi i rrxuem përdhe. Ke pas qenë veshun, sot je me crule. E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë”.

 

Luginë, ngjarjet e fundit që po zhvillohen në pragun tënd po ngjallin mendime të ndryshme mbi këto vargje të Vaso Shkodranit. Çfarë po ndodhë këtyre ditëve me Ty? Po vijnë lajme të këqija nga vendi Yt! Kush po punon keq për Ty? Nuk të mbajmë mend si me faqe të zezë! Gjithmonë ke qenë ndër shoqe…Tani po më thuaj, si je? Çka u bë me Ty? Luginë, shumë kontradikta janë shfaqur për Ty! Dikush po ta fut thikën në shpinë. A je në dijeni për këto? Këto dhe shumë dilema që po shfaqen rreth teje do të duhen të kenë një emër. Koha është të zbulohen ata dhe të japin përgjegjësi.

 

Luginë, dorën në zemër me fajin tënd ke mbet aty ku ke qenë gjithmonë. Ke mbet në një udhëkryq ende të pazgjidhur. Ngjarjet e fundit të ndodhura në tokën tënde, sidomos kjo bastisja dhe arrestimi i Fatlum Jonuzit, djalit të Jonuz Musliut, ish-udhëheqësit politik të UÇPMB-së dhe 12 shqiptarëve tjerë, japin shenja të këqija se këtu puna është larg së mirës dhe paqes në rajon. Ky presion i pushteti serb nuk po ndalet edhe për kundër se ky shtet deklaron se është demokratik dhe i respekton të drejtat e qytetarëve të saj. Ky shtet bile po pretendon të bëhet pjesë e një demokracie evropiane dhe kjo sjellje e tij nuk përkon me këto standarde evropiane. Në agun e mëngjesit të futen forca të mëdha policore dhe xhandareske serbe nëpër shtëpitë e shqiptarëve të arrestohen ata dhe të trishtohen fëmijë, gra e pleq nuk do të duhej të tolerohej nga ky shtet.

 

Luginë, a je njoftuar se çdo cep i tokës sate është e mbuluar me ushtar, xhandar, polic dhe lloj lloj zbulimi dhe kundërzbulimi në një territor kaq të vogël. Këtu qëndrojnë mijëra forca ushtarake e policore, dhe vetëm baza ushtarake “Jug” në Cepotinë të Bujanovcit ka mbi 1500 ushtarë dhe xhandarë të armatosur deri në dhëmbë. Luginë, ke mbet në duart të pasigurta edhe pse përpjekjet tua ishin vazhdimisht të çlirohet nga pushtuesit, por sërish të lanë keq. Lufta e fundit nuk u zhvillua për të mbetur në këtë gjendje, edhe pse nuk mund të thuhet se nuk e ndali eksodin total të popullit të saj të cilin donte ta bënte Serbia. Ajo pjesërisht kishte arrit të zbrazte Luginën, por nuk mundi t’i zhbënte krejtësisht.

 

Luginë, për këtë faj edhe të politikanëve tuaj, të cilët nuk po punojnë për vatan, por vetëm për interesa të ngushta meskine e kemi një gjendje të rëndë. Kjo punë po na dëmton shumë. Edhe pse të mungojnë mijëra banorë tuaj, të cilët për fajin e represionit serb ishin larguar, por një pjesë të fajit kanë edhe udhëheqësit tuaj të cilët nuk po punojnë për ta. Vetëm një fakt, Lugina është rajoni më i diskriminuar në Evropë. Mbi 70 për qind, kryesisht e të rinjve të saj janë pa ekonomi, papunë, paperspektivë. Këtë krizë me qëllim e ka krijuar Beogradi, por një pjesë të fajit e bartin edhe politikanët tuaj, të cilët nuk po e zbusin këtë problem. Për këtë shkak dhe shumë të tjerëve nga ky rajon tashmë janë larguar mbi 30 mijë banorë të saj.

 

Luginë, si mund t’i nxirret karari i punës së vizitës së kryeministrit të Serbisë Aleksander Vuçiq në Preshevë ditë më parë dhe pritja e tij shumë miqësore nga udhëheqësit e Komunës, por edhe dhënia e një mirënjohje për nder të kësaj vizite, e cila vërtet ishte tejet skandaloze. Ende nuk po dihet a kishte ardhur Vuçiq me dëshirë, apo me forcë? Tek e fundit ai këtu mund të vijë kur të dojë, sepse këtë nuk mund ta pengojë askush, por këta kishin mundësinë të mos e takojnë njeriun i cili është sinonim i një politike shumë tragjike në rajonin tonë. Të gjitha argumentet ishin në anën e politikanëve të Luginës që ta refuzonin një takim me të. Ai nuk ishte personi, i cili do të duhej të merrte mirënjohje nga Lugina, sepse për Luginën kishte punuar keq në të kaluarën e tij. Ky mëkat i politikanëve të Luginës nuk do të falet gjatë historisë, sepse gjithmonë do t’i ndjekë hija e dëshmorëve të luftës së fundit, të cilëve, po nga këta politikan u lejuan t’u shkulet lapidari m’u në vendin ku ishte pritur Vuçiq. Këta politikan nuk mësuan nga ngjarja e Srebrenicës në Bosnjë dhe Hercegovinë, me ç’rast hijet e kufomave të të vdekurve boshnjak e kishin ndjekur me gurë këtë njeri ditë më parë. Kjo nuk është politikë, mos të flasim për moral, apo përgjegjësi publike. Ky është fundi i një politike të një plejade hipokritësh politik dhe shumë të dëmshëm kombëtarisht.

 

Tash pas kësaj Luginë, të mbetet ta shohësh veten në pasqyrë. Ku je dhe ku të kanë katandisur? E di që tash në vatrën tënde kanë ardhur shumë njerëz tu, shumë gurbetqarë që kishin lëshuar këtë vend dikur, për halle dhe shkaqe më të ndryshme dhe tani janë kthyer për pushime, por puna me Ty dhe rreth Teje nuk është mirë! Rasti i arrestimeve të 12 shqiptarëve nuk tregon rehati dhe stabilitet në këtë rajon. Beogradi ditë e natë punon kundër Luginës, ndërsa politikanët e saj nuk dëgjohen fare. Luginë, si të njoftojë, këta dy deputetë shqiptarë, të cilët për t’u zgjedhur në Parlamentin e Serbisë nuk kishin lënë gurë pa lëvizur vetëm e vetëm të bëhen deputet edhe atë me vota të vjedhura. Por, a e pa Luginë më 11 korrik të këtij viti kur krejt bota i nderonte viktimat e gjenocidit serb në Srebrenicë, këta dy burra nuk guxuan asnjë fjalë ta bëzajnë në Kuvendin serb. I vetmi që kishte guximin ishte deputeti boshnjak Enis Imamoviq nga Novi Pazari, i cili i bëri horë të gjithë deputetët në Kuvendin e Serbisë për mosgjykimin e gjenocidit. Kjo nuk do koment, këta kanë dhënë prova se janë larg vatanit dhe përgjegjësisë që kishin marrë ata. Kjo ishte një çështje dëshpëruese, poshtëruese, ofenduese dhe turpëruese, si për viktimat e Srebrenicës, por edhe për nderin dhe respektin e kombit tonë ndaj tyre.

 

Luginë, pas këtyre telasheve, sërish nuk guxon të dorëzohesh. Punuan, apo nuk punuan këta politikanët tuaj, koha do t’i largojë nga skena, ata do të zhduken sikur s’kanë qenë kurrë, por do të zhduken me faqe të zezë sikur e thotë Pashko Vas Shkodrani. Aty do të vijnë njerëz të rinj, që vërtet meritojnë të punojnë për ty. Kjo kohë ndoshta pak vonon, por do të arrij patjetër, sepse nuk durohet më kjo gjendje e rëndë dhe e padurueshme. Prandaj, Luginë politikanët tuaj e kanë fëlliqur punën (e kanë dhirë punën-ambasadorja e SHBA-ve Xhekobson- liderëve të Kosovës). Tashmë do vijnë gjenerata të reja, të shkolluara, të emancipuar, të ngritur, të pa korruptuara, të cilat do të prijnë vallen tënde. Luginë, kurrë mos thuaj mbarova, sepse gjeneratat e reja nuk do të lejojnë një gjë të tillë, sepse ata janë e ardhmja jote, e cila do të përkujdeset që t’i kthehesh njëherë e përgjithmonë qetësisë, stabilitetit dhe gjirit tënd ku ishe më herët.

Fehmi RAMADANI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch