Home » Opinione » Opinion: MAQEDONIA, SËRISH NË TEHUN E DESTABILIZIMIT

Opinion: MAQEDONIA, SËRISH NË TEHUN E DESTABILIZIMIT

Pas ekspeditës spektakulare dhe ndëshkuese të policisë së FYROM-it për kinse zbulimin dhe arrestimin e 20 shqiptarëve, kryesisht nëpër vendbanimet e tyre etnike çfarë të thuhet? Ekspeditat e tilla spektakulare jo vetëm kaq, por kishin ndjellë frikë dhe tmerr, si ndaj familjarëve të tyre, por edhe ndaj banorëve të tjerë të këtyre vendbanimeve duke ngritur tensionin ndëretnik në përmasa brengosëse dhe duke krijuar një pasiguri të këtij vendi.

 

Padyshim, se ky spektakël Qeverisë së FYROM-it, pothuajse është identik me atë të vitit 2001 të organizuar nga ish-kryeministri i atëhershëm Lube Boshkovski në vrasjen e disa shtetasve të huaj në periferi të Shkupit, kryesisht nga bota islame për të njëjtat motive. Dhe, jo më larg se dy muaj më pas kishte plasur konflikti ndëretnik në këtë vend.

 

Ky reprizim i ngjarjeve, pa mësuar asgjë nga e kaluara rrezikon që përfundimisht këtë vend ta zhbëjë nga harta e gjeografisë së sotme. Por, kurrsesi nuk mund të arsyetohet krimi ndaj pesë të rinjve sllavomaqedonas, por që ky rast të përdoret për manipulime të skajshme nga një Qeveri shumë e papërgjegjshme, kjo nuk duhet të tolerohet, si nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi, por edhe nga pjesa demokratike e botës.

 

Tashmë, mund të thuhet se edhe shurdhmemecët e kanë të qartë tatëpjetën e këtij shteti, i cili për fat të keq po bëhet nga vetë krerët e saj udhëheqës. Ndërsa, politika shqiptare e këtij vendi, përfundimisht duhet pasur planin për veten e tyre dhe jo të përkujdesen për ruajtjen e kësaj krijese artificiale. Nuk mund të mbyllen sytë para një ngjarje të tillë ogurzezë për këtë vend, por edhe për rajonin. Qeveria e tanishme e ashtuquajtur nacionaliste VMRO e FYROM-it, e cila për fat të keq ka në përbërje një parti shqiptare BDI, e cila pretendon se është trashëgimtare e konfliktit të vitit 2001 është shndërruar në një marionetë e pakrye dhe në duar të shërbimeve të fshehta dhe të huaja. Kjo parti është futur në një valle për të cilën nuk ka haber se ku mund ta shkojë. Dalja nga kjo lojë do të ishte sa do kudo një satisfakcion moral për t’i mbrojtur edhe ato pak vlera që kishte ajo në të kaluarën.

 

Tani, kur kemi edhe një arsyetim të Qeverisë së FYROM-it se përgjegjës për  krimin në Smilkovicë është një i ashtuquajtur grupi islamik radikal, të cilët kishin luftuar kundër NATO-së, si në Afganistan, Libi, Irak dhe vendet tjera nuk do shumë mend sa është arsyetim banal dhe pa ndonjë fakt bindës për opinionin e gjerë. Të njëjtat fakte me krimin e shtetit maqedonas të vitit 2001 ndaj të ashtuquajturve muxhahedinë pakistanezë, që kishin ardhur në FYROM për destabilizim të këtij vendi. Kjo tregon se sa është tragjikomike kjo mendje e errësuar e njerëzve që udhëheqin me këtë vend dhe për çfarë pasoja janë të përgatitur këta, të cilët në fund të fundit faturat më shumë do t’i paguajnë vetë qytetarët e këtij vendi.

 

Tani, kur së shpejti kemi Samitin e NATO-së në SHBA kjo Qeveri për të dëshmuar lojalitetin e madh ka prodhuar një spektakël të tillë duke sakrifikuar edhe vetë qytetarët e vet. Një Qeveri që vret njerëzit e vet për shkak të dështimeve të saj integruese në organizmat ndërkombëtar nuk do të duhet të ekzistonte. Pas, kësaj do të ishte e udhës që qytetarët e ndershëm, si sllavomaqedonas, por edhe shqiptarë dhe të tjerë, përfundimisht t’i largojnë nga skena politike këta politikanë ndjellakeq, të cilët për dekada kanë ditur të prodhojnë vetëm fatkeqësi dhe konflikte ndëretnike. Ky vend, përfundimisht duhet të rishikojë politikën e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj pakicave tjera, ndryshe nuk do të ketë të ardhme. Marrëveshja me shqiptarët është alternativë e vetme për ruajtjen e këtij shteti, në të kundërtën ky shtet shumë shpejt mund të shpërbëhet.

Shkruan: Fehmi Ramadani

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch