Home » Opinione » Opinion: MBAJTJA E ZGJEDHJEVE SERBE NË KOSOVË, SFIDA E RADHËS PËR DESTABILIZIMIN E RAJONIT

Opinion: MBAJTJA E ZGJEDHJEVE SERBE NË KOSOVË, SFIDA E RADHËS PËR DESTABILIZIMIN E RAJONIT

 

 

 

 

 

 

Shkruan: Fehmi Ramadani

Pas marrëveshjes së fundit në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ç’rast Beogradit iu ishin hapur dyert për statusin e kandidatit në BE, ndërsa Kosovës (me pranimin e fusnotës, ku përmendet Rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës) iu kishte mundësuar pjesëmarrja e saj nëpër forumet dhe organizatat e ndryshme rajonale, por janë krijuar edhe disa benefite tjera evropiane.

 

Edhe përkundër saj dhe garancioneve ndërkombëtare se Beogradi më në fund do të fillojë të respektoj dhe zbatoj të gjitha marrëveshjet e arritura, me çdo kusht po tenton të sfidojë Kosovën, por edhe Bashkësinë ndërkombëtare duke organizuar zgjedhje lokale dhe parlamentare edhe nëpër vendbanimet serbe në Kosovë, veçmas në veri të Kosovës, të cilat duhet të zhvillohen më 6 maj të vitit 2012.

 

Kjo lojë e dyfishtë politike dhe tejet e rrezikshme e Beogradit, si për Prishtinën, por edhe për Bashkësinë ndërkombëtare ka qitur në shesh sfidën e radhës që ka ngritur Beogradi edhe kësaj radhe dhe po tregon se politika e tyre e “thikës pas shpine” po vazhdon me të njëjtin avaz dhe nuk po ndalet edhe përkundër “karotës”që kishte marrë së fundmi nga BE-ja.

 

Pas këtij kurthi destabilizues politik të Beogradit, si ndaj Prishtinës dhe Bashkësisë ndërkombëtare, përfundimisht është vërtetuar se ky shtet nuk i plotëson assesi standardet demokratike të një vendi normal të kësaj pjese të Evropës. Me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës kanë rënë të gjitha maskat serbe të një konstruktiviteti politik dhe qasjes paqësore e demokratike të proceseve politike në rajon.

Me këtë vendim, Beogradi hapur ka shpallur agresion ndaj një vendi fqinjë i njohur ndërkombëtarisht nga 88 shtete të botës. Jo vetëm kaq, ky vendim paraqet një shkelje flagrante të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura për Kosovën që nga viti 1999 dhe deri më tani. Pas kësaj, tashmë topi është në anën e Prishtinës dhe Bashkësisë ndërkombëtare, edhe për faktin e kundërshtimit të tyre, por që këto zgjedhje do të prodhojnë pasoja negative, si për Kosovën, por edhe për BE-në.

 

Tani, në rast të mos tërheqjes së këtij vendimi nga Beogradi për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë, institucionet e vendit urgjentisht, pa asnjë hezitim duhet të kërkoj nga Bashkësia ndërkombëtare ndalim e tyre me të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë planin e veprim konkret ndaj kësaj ndërhyrje kushtetuese të Serbisë në Kosovë. Në rast të mungesës së tij, atëherë duhet t’iu shërbej shpjegimi i ish-presidentit kroat Stipe Mesiq se si duhet zgjidhur këto konteste, përkatësisht me pakicën serbe në Kosovë. Ai gjatë një vizite që kishte pasur ditë më parë në Kosovë kishte thënë se Kroacia kishte aplikuar dy metoda të zgjidhjes së kontestit me pakicën serbe, asaj demokratike-integruese dhe më pak demokratike, apo me përdorim të forcës policore dhe ushtarake. Beogradi me shpalljen e këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë ka për qëllim të krijimit të një klime destabilizuese për vendin dhe rajonin, atëherë është më se legjitime që ky qëllim të pengohet me të gjitha mjetet e lejuara, duke mos përjashtuar formacionet policore dhe ushtarake të Kosovës, por në mbështetje edhe të forcave ndërkombëtare që janë në Kosovë, dhe që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

 

Prandaj, është koha e duhur kur institucionet e këtij vendi duhet të fillojnë seriozisht të zbatojnë ligjin dhe të funksionojnë si duhet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Tashmë, këtu janë harxhuar të gjitha metodat demokratike që ndaj një agresioni kushtetues të një vendi fqinj dhe të një vendimi jodemokratik të zhvillohet një politikë reciproke në të gjitha aspektet, edhe përkundër çmimit të ndërrimit të pushtetit në Kosovë, por edhe të ndonjë mbështetje evropiane. Përfundimisht, politika destabilizuese e Beogradit në Kosovë dhe rajon duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë dhe kjo politikë duhet të ndryshohet rrënjësisht, dhe nuk guxon që kupa e vlimit të shkojë më lartë, sepse këto valë përvëluese në rast të ndonjë destabilizimi eventual më nuk do ta përfshijë vetëm Kosovën, por rajonin dhe më gjerë. Andaj, për këtë dhe shumë shkaqe tjera duhet thënë përgjithmonë mjaftë më politikës destruktive dhe destabilizuese serbe në Kosovë dhe rajon.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch