Home » Opinione » Opinion – Mbi peticionin për “Shqipërinë Natyrale”

Opinion – Mbi peticionin për “Shqipërinë Natyrale”

Shkruan: Nehat Hyseni

 

Ky Peticion fillon pikërisht në kohën kur në Shqipëri përfunduan zgjedhjet parlamentare dhe forcat politike që kishin liderë dhe program nacionalist, u ndëshkuan nga votuesit shqiptarë. Nuk ka kurrëfarë dileme se shqiptarët kanë dëshirë, ashtu si edhe të gjitha kombet tjera, që të jenë të bashkuar në një shtet unik. Por, problemi qëndron tek “hapja e Kutisë së Pandorës”, dmth të ekspanzionizmit serbomadh për krijimin e Serbisë së Madhe, si “xhandar” në Ballkan.

Peticiioni i paralajmëruar për grumbullimin e një milion nënshkrimeve për deklarim në pyetjen se “A jeni për të jetuar të gjithë shqiptarët në një shtet”, i prirë nga publicisti i mirënjohur Koço Danaj, është bër me dije se do të filloj së shpejti dhe pretendohet të përfundoj në vjeshtë.
Sigurisht se bota demokratike ndërkombëtare, por edhe vet shqiptarët e kudondodhur,  do të befasohen me faktin se pse të filloj pikërisht në diasporë  edhe ate në shtetin më të madh dhe më të fuqishëm ekonomik të Europës, i cili ka rol dominues në BE dhe në politikën Europiane, si dhe është mbështetëse e fuqishme e interesave shqiptare në përgjithësi, e veçanërisht i  atyre kosovare. Kjo vjen në shprehje sidomos tani kur është duke u zhvilluar intenzivisht dialogu Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton në Bruksel.
Gjithashtu është interesant fakti se ky Aksion fillon pikërisht në kohën kur në Shqipëri përfunduan zgjedhjet parlamentare dhe forcat politike që kishin liderë dhe program nacionalist, u ndëshkuan nga votuesit shqiptarë.
Pra, PD mbeti në opozitë, edhe përkundrejtë sukseseve kolosale në modernizimin e sidomos rrjetit rrugorë që ka rëndësi të madhe, jetike për lidhjen e Kosovës me Shqipërinë, si dhe vazhdimi i këtij aktiviteti për t’u lidhur me Maqedoninë, duke e përgjysmur gadi largësinë me Shkupin dhe Luginën e Preshevës.
Madje, humbjen e PD-së shumica e analistëve ia referuan qasjes nacionaliste të liderit të saj Sali Berisha. Deklarata e tij me rastin e kremtimit të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Shkup, se të gjithë shqiptarët kudo që janë duhet që pandërprerë të punojnë për bashkim kombëtarë, e shqetësuan Ballkanin dhe politikën ndërkombëtare. Kjo deklaratë e tij, si dhe veprimet dhe prononcimet e tija të vazhdueshme në këtë drejtim, e izoluan në masë të madhe atë në planin ndërkombëtarë. Por, as votuesit shqiptarë nuk e mbështetën, duke e larguar me votë në opozitë.
Ndërkaq, partia e sapoformuar e Kreshnik Spahiut Aleanca Kuq e Zi ishte kryekëput nacionaliste dge kishte si objektiv të proklamuar parësorë, pikërisht krijimin e Shqipërisë Etnike në Ballkan. Sidomos vlen t’i përkujtojmë skenarët impozantë me flamuj kuq e zi dhe tubimet impozante me një numër tejet të madh pjesëmarrësish.

 

Kjo prani e madhe e militantëve krijoi bindje të gabuar se kjo parti do të jetë njëra ndër fituesit më të mëdhenjë dhe se pas zgjedhjeve do të del si forcë politike parlamentare nga më kryesoret. Madje lideri i saj Kreshnik Spahiu deklarone, mbase edhe ishte i bindur se do ta çoj PD-në dhe Sali Berishën në opozitë. Kurse pretendimet e tyre nuk ishin të mëdha nga tabori i majtë, meqë dihet se e majta shqiptare kurrë nuk ka qenë dhe nuk është nacionaliste.
Por, se çka ndodhi me zgjedhjet e 23 qershorit 2013, të gjithë e pamë. AK e Kreshnik Spahiut nuk arriti të merr asnjë mandat parlamentar! Pra mbeti pa asnjë deputet të vetëm!
Ndoshta pak e zgjata me analizën e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri, por kjo mu duk e domosdoshme për ta kuptuar disponimin e votuesve të Shqipërisë lidhur me çfarëdo aksioni apo objektivi për Shqipërinë Etnike.
Pra, mbase ky do të ishte sqarimi se pse do të filloj ky Aksion i paralajmëruar në krye me Koço Danajn në Gjermani, si dhe në vende të tjera të Europës,  e jo në Shqipëri. Sepse, në Shqipëri do të dështonte, përafërsisht  ashtu si dështoi AK e Kreshnik Spahiut.
Pastaj ata paralajmërojnë se këtë Aksion do ta vazhdojnë në Mal të Zi, dmth. pikërisht aty ku elementi shqiptar është më i brishtë, pas atyre në Serbi, përkatësisht në Luginë të Preshevës.
Poqese e lëmë anash dyshimin e shumëkujtë për aspektin demagogjik të kësaj nisme, meqë nuk fillon nga “koka” por nga “bishti”, pra nuk fillon nga Shqipëria, por nga Europa, ku do të jipej një mesazh i gabuar, që mund të ket pasoja për statusin e emigrantëve shqiptarë në Europë, si dhe mobilizim politik  antishqiptarë në ofenzivën e tyre për ta alarmuar Europën se shqiptarët po përgatiten për t’i prishur kufijtë ndërshtetërorë në Ballkan, që do të kishte pasoja për stabilitetin politik në mbarë Europën.

Dua ta hjekë çdo dyshim te të gjithë shqiptarët se vallë, a thua ne nuk dojmë të jetojmë në një shtet, ashtu si të gjithë popujtë normalë në Europë dhe në botë? Pra, si Gjermanët që u bashkuan, por edhe si shumë kombe dhe shtete të tjera të Europës që realizuan bashkimin kombëtar në shekullin XIX dhe XX.
Pra, nuk ka dhe nuk mund të ket kurrëfarë dileme se shqiptarët kanë dëshirë, ashtu si edhe të gjitha kombet tjera, që të jenë të bashkuar në një shtet unik, i cili do të ishte më i madh dhe më i sigurtë, meqë do të krijonte një balancë forcash të barabarta gjeopolitike në rajonin e Ballkanit, si parakusht i garancës së stabilitetit politik në rajon.
Por, problemi qëndron tek “hapja e Kutisë së Pandorës”, dmth të ekspanzionizmit serbomadh për krijimin e Serbisë së Madhe, si “xhandar” në Ballkan.

 

Pikërisht nga ky synim dhe pretendim i kahmotshëm serbomadh u krijua Jugosllavia e Versajes, pra Mretëria Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1918 me në krye mbretin serb Aleksandar Karagjorgjeviq. Pas dhjetë vitesh, ky shtet u shndërrua në Mbretëri të Jugosllavisë, ose Serbosllavisë, pas Luftës së dytë Botërore e ndërroi regjimin dhe u bë shtet socialist dhe si i tillë mbeti deri në vitet 90-ta të shek. XX , kur Sllobodan Millisheviqi nisi aksionin vdekjeprurës për suprimimin e autonomisë së republikave Jugosllave, duke krijuar luftëra të përgjakëshme në Kroaci, Bosne dhe në Kosovë.

 

U nevoit intervenimi ushtarak i aleancës më të madhe ushtarake në botë NATO-s, të prirë nga superfuqia botërore numër një, pra SHBA-së për ta ndalur atë.
Synimet ekspansioniste serbe nuk kanë pushuar akoma. Pavarësinë e Kosovës nuk e ka pranuar Serbia, duke synuar që veriun e Kosovës ta shkëpusë nga Kosova, ose së paku ta ruaj ndikimin vendimtarë të saj në këtë pjesë, duke sfiduar dhe cënuar rëndë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe duke e bërë atë skajshmërisht shtet jofunksional.

Gjithashtu edhe në Bosne Serbia ka pretendime të hapura territoriale, duke synuar dhe punuar vazhdimisht për bashkëngjitjen e Republikës serbe të Bosnes  Serbisë.
Nuk duhet harruar as pretendimet e Serbisë ndaj Maqedonisë veriore, ku jeton një pjesë e komunitetit serb.
Pra, synimet ekspansioniste të Serbisë janë problem i stabilitetit në rajon, meqë ato kanë dhe kanë pasur gjithëmonë mbështetje nga politika pansllaviste e Rusisë, që gjithënjë ka synuar daljen në detin Adriatik.

Si qëndron puna te partitë politike shqiptare në Ballkan. Sa prej tyre e kanë në programet e tyre politike çështjen e bashkimit kombëtar ose të krijimit të Shqipërisë Etnike?
Në Shqipëri e ma vetëm AK e Kreshnik Spahiut, e cila, siç thamë më lartë, pësoi humbje të thellë, debakëll të plotë në zgjedhjet e fundit parlamentare. As PD e Sali Berishës nuk kaloj mirë, meqë u detyrua të kalojë në opozitë. As në Kosovë nuk ndryshon shumë situata. Vetëm  Vetëvendosja nga partitë parlamentare dhe disa parti minore e kanë në program bashkimin kombëtarë.

Andaj, mund të konudojmë se bashkimi kombëtarë dhe krijimi i Shqipërisë Etnike është dëshirë e kahëmotshme e shqiptarve kudo që janë. Por kjo mbetet akoma vetëm një dëshirë dhe përveç manifestimeve folklorike, kjo ide akoma nuk është shndërruar në program politik mbarëkombëtarë. Së paku kështu na del nga analiza e përmendur e programeve politike të partive politike të shqiptarve.
Aktualisht mendoj se nuk na mbetet detyrë më e rëndësishme se sa ta thellojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin e gjithanshëm kulturorë, ekonomik e politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, në rend të parë. Sepse ky bashkëpunim është nën çdo nivel dhe kjo gjendje nuk është dhe nuk mund të jetë e pranueshme nga askush.
Pastaj, duhet intensifikuar bashkëpunimin me shqiptarët e Maqedonisë, Serbisë-Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi.
Vetëm qasja e sinqertë, pa parulla dhe floskula demagogjike, do t’i ndihmojë shqiptarve që të kenë të ardhme më të sigurtë, duke u bashkuar të gjithë si një komb në Bashkësinë Europiane, ku do të humbin efektet ndarëse dhe izoluese të kufijve aktualë midis shteteve, duke jetuar në paqe, standard të lartë dhe mirëqenie.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch