Home » Opinione » Opinion – PARALAJMËRIMET PËR TRONDITJE SOCIALE, NJË LAJM I KEQ PËR KOSOVËN

Opinion – PARALAJMËRIMET PËR TRONDITJE SOCIALE, NJË LAJM I KEQ PËR KOSOVËN

Fehmi RAMADANIQeveria e sapozgjedhur e Republikës së Kosovës me në krye z.Isa Mustafa, që në fillim të punës së tij e presin sfida të mëdha që kërkojnë zgjidhje, ose sadokudo zbutjen e tyre.

Eksodi (largimi) i shumë të rinjve nga Kosova për në shtetet perëndimore të Evropës, kryesisht për shkaqe ekonomike dhe të paperspektivës, nuk ka dyshim është çështje me prioritet dhe kjo Qeveri duhet të ndërmarrë masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi.

Qeveria e z. Mustafa, patjetër duhet të ketë prioritet zbutjen e papunësisë, sepse papunësia e madhe ka thelluar edhe më shumë krizën në Kosovë dhe kjo shumë shpejt mund të shndërrohet në bombë sociale, e cila në rast të shpërthimit mund të ketë pasoja shumë të rënda për një shtet edhe ashtu të brishtë si në aspektin ekonomik, demokratik, të sigurisë, por edhe politik.

Kohë më parë, paralajmërimet e disa organizatave sindikale për protesta masive në rast të mospërmbushjes së premtimeve për ngritje pagash gjatë vitit të ardhshëm janë sinjalet e para të një tronditje sociale në radhë të parë të punëtorëve të Kosovës. Edhe pse e drejta e tyre është lufta për përmirësimin e kushteve dhe standardit të punëtorëve në të gjitha aspektet, por këto sindikata po harrojnë se një pjesë e udhëheqësve të tyre janë  bashkëfajtorë për krizën e krijuar në vend, sepse së bashku me udhëheqës e liderë politik ishin korruptuar dhe bënë shumë pak në dobi të punëtorëve dhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Këta udhëheqës sindikal më mirë do të ishte t’i kishin ofruar llogari punëtorëve për aferat e shumta korruptive, sidomos me rastin e privatizimeve të ndryshme dhe të dyshimta, të cilat i lanë shumë punëtorë pa punë. Më e udhës do të ishte që këta udhëheqës sindikal të ndërrohen dhe në vend të tyre të vijnë njerëz të dinjitetshëm dhe përfaqësues të vërtet të punëtorëve, të cilët në fokus të veprimit të tyre kanë të drejtën e punëtorit dhe jo synimet tjera.

Udhëheqësit e tanishëm sindikal e patën rastin të mbrojnë punëtorët, të ndihmojnë të papunësuarit duke ofruar Qeverisë projekte dhe plane për punësime të reja, të hartojnë projekte sociale për pensionime që punëtori në Kosovë të gëzoj pension të dinjitetshëm dhe jo lëmoshë, por këto punë nuk i bënë, apo më mirë me thënë shumë pak i bënë.

Dihet fakti se një pjesë bukur e madhe nëpër ndërmarrjet publike janë punëtorë të moshuar të cilët me ndonjë projekt social do të mund të shkonin në pension dhe të lironin vendin e tyre të punës për ndonjë të ri, por në këtë drejtim deri më tani nuk është punuar. Qeveria e re, këso projekte sociale duhet në të ardhmen të hartojë dhe sa më shpejt t’i vë në funksion të realizimit të saj, sepse kjo është edhe një formë e shtimit të të punësuarve.

Ndërsa, premtimet megalomane të liderëve politik për punësime të rreth 200 mijë e më shumë vende pune gjatë fushatës elektorale, padyshim se në radhë të parë sfidojnë papërgjegjshmërinë e tyre politike ndaj këtij problemi.

Por, jo vetëm kaq premtimet e tyre si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe lëmi tjera ku preken direkt kushtet dhe standardi i qytetarëve të Kosovës do të jenë barometri kryesor i përgjegjësisë së tyre politike dhe nga kjo do të varet edhe ardhmja e tyre politike.

Shumica e analistëve vendorë prognozojnë një kohë të vështirë për Kosovën në të ardhmen, në rast të moszgjidhjes së këtyre prioriteteve të lartshënuara. Kjo Qeveri i ka të gjitha mundësitë të jap maksimumin për zgjidhjen e këtyre problemeve, ndryshe do të ketë një tronditje të thellë sociale, por edhe fundin e saj si një Qeveri e Koalicionit të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

Nga Fehmi RAMADANI

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch