Home » Opinione » Opinion: Problemi i veriut të Kosovës, si mundësi reale për reciprocitet me Luginën e Preshevës

Opinion: Problemi i veriut të Kosovës, si mundësi reale për reciprocitet me Luginën e Preshevës

Pas zhvillimeve të fundit të arrestimit të 20 shqiptarëve dhe terrorit shtetëror ndaj familjarëve të tyre, si dhe të arrestimit të 8 shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kryesisht pjesëtar të ish-UÇPMB-së nga pushteti kriminel serb, padyshim se këto ngjarje tragjike dhe të dhimbshme kanë tensionuar edhe më shumë situatën edhe ashtu të tensionuar politike dhe të sigurisë në rajon.

 

Këto dy ngjarje, jo vetëm që janë të lidhura ndërmjet veti, edhe pse janë zhvilluar në dy vende të ndryshme, por kanë të njëjtin autor Beogradin, i cili së bashku më pinjollët e tyre sllavomaqedon, sërish tentojnë të destabilizojnë rajonin.

Planet e errëta sllave, sidomos ndaj shqiptarëve janë të njohura dhe deri më tani kanë pësuar disfatë të njëpasnjëshme, por me pasoja të mëdha, si ndër popujt e tyre, por edhe ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve.

 

Burgosja e 20 shqiptarëve në FYROM-it nga pushteti shovenist sllavomaqedon, si dhe 8 shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga pushteti kriminel i Beogradit janë ngjarjet më të shëmtuara që nga periudha paskonfliktuoze në këto vende. Pas përpjekjeve ndërkombëtare për ta paqësuar rajonin, padyshim se shqiptarët ishin të parët që lanë armët dhe në formë demokratike po japin kontributin e tyre edhe përkundër mosrealizimit të kërkesave të tyre kryesore.

 

Mirëpo, përkundër saj politika nacionaliste dhe luftënxitëse serbe, si dhe ajo shoviniste sllavomaqedone po bënë përpjekjet e saj të fundit të krijimit të krizave të reja në rajon. Ivica Daçiq, një pinjoll i Kryekriminelit Millosheviq, dy ditë para zgjedhjeve serbe të mbajtura më 6 maj 2012 arrestoi 8 shqiptarë të Luginës me preteks të njohur për terrorizëm. Ky kriminel serb, i cili në vend që të përgjigjet për krimet e së kaluarës ndaj popujve joserbë, në ditën e sodit po lejohet të zhvillojë spektakle të arrestimeve, si policëve të Kosovës, shqiptarëve të Kosovës, por edhe të shqiptarëve të Luginës, që tashmë janë qytetar të integruar në jetën e këtij vendi.

 

Fatkeqësisht, kjo tragjikomedi ndaj shqiptarëve po ndodh para syve dhe hundëve të faktorit politik të Prishtinës dhe Tiranës, por edhe faktorit ndërkombëtar. Përveç reagimeve selektive dhe të zbehta të disa subjekteve politike në Prishtinë dhe Tiranë kundër politikës terroriste shtetërore të Shkupit dhe Beogradit, ky faktor nuk ka nxjerrë ndonjë reagim të fortë, por edhe nuk ka ndërmarrë ndonjë masë kundër këtyre akteve të shëmtuara, si ndaj Beogradit dhe Shkupit. Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk janë në detyrën e mbrojtjes së bashkëkombësve të vet, edhe pse këtë e kanë obligim kushtetues, por politika e tyre më shumë është një politikë e nënshtruar dhe e pakurriz ndaj të tjerëve dhe faktorit të huaj.

 

Politika e Tiranës dhe Prishtinës, dita ditës po dëshmojnë, jo që nuk kanë në interes për mbrojtjen e shqiptarëve nga rreziku, por këta i shtrojnë edhe barriera të ndryshme duke ia vështirësuar edhe më shumë jetën e tyre në ato troje. Ky absurditet politik po ndodh me të ashtuquajturën “lëvizje e lirë”, e cila e kufizon këtë lëvizje edhe më shumë, sidomos për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Këtë absurditet politik të Prishtinës zyrtare nuk duhet komentuar më shumë, dhe për arsye të këtij absurditeti në të cilin është politika shqiptare, tashmë në rajon kemi një ngritje të forcave të së kaluarës, të cilat janë duke u forcuar më shpejtë dhe më shumë.

 

Politika e së kaluarës serbe u pa, sidomos në zgjedhjet e 6 majit të këtij viti, ku Partia Socialiste e të akuzuarit për krime në Kosovë dhe rajon Sllobodan Millosheviqit ka fitur rreth 20 për të votave duke demonstruar zhvillime jo të mira për politikën dhe stabilitetin e rajonit. Ky subjekt politik është forcuar mjaftë dhe pritet që roli i saj në Qeverinë e re serbe të jetë vendimtar.

 

Tani, shtrohet pyetja, çfarë është plani i politikës shqiptare, sidomos kur kemi krizën e pjesës veriore të Kosovës, sidomos dialogun e kamotshëm të  paralajmëruar nga Bashkësia ndërkombëtare, pastaj krizën e Luginës së Preshevës dhe diskriminimin e shqiptarëve të FYROM-it?

 

Politika shqiptare duhet të zgjohet nga jokoshienca historike. Ajo duhet të mobilizohet me tërë kapacitetin e saj duke lënë  përgjithmonë interesat grupore dhe profitereske. Kjo politikë, përfundimisht duhet të kuptoj seriozitetin e problemeve që kanë shqiptarët në rajon dhe të merren me to dhe jo tjerët të merren me problemin e tyre.

 

Kjo politikë ka edhe një shans të përmirësimit të saj, kjo është dialogu i ardhshëm për tri komunat veriore të Kosovës me Beogradin dhe kjo duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Hartimi i Planit për këto tri komuna serbe në veri, si Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, si dhe marrëveshja me Beogradin do të duhet të kushtëzohet me kërkesat e njëjta të tri komunave shqiptare të Kosovës Lindore, si Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Politika e parimit të reciprocitetit dhe vetëvendosjes do të ishte zgjidhja më reale, si për pakicën serbe të pjesës veriore të Kosovës, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Të gjitha të drejtat që do të kenë serbët e këtyre tri komunave duhet të kushtëzohen me të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Ndërsa, sa i përket qytetit të ndarë të Mitrovicës, ky realitet nuk guxon të pranohet dhe përfundimisht pjesa veriore e qytetit duhet të bashkohet me pjesën jugore, si dhe me fshatrat shqiptare për rreth. Por, edhe në të duhet të kthehen rreth 12.000 banorë të saj shqiptarë, të cilët në vitin 2000 ishin dëbuar me forcë nga kriminelët serbë me qëllim të spastrimit etnik.

 

Ky rast nuk guxon të humbet Tirana dhe Prishtina zyrtare, sepse me zgjidhjen e këtyre dy problemeve, Kosova, përfundimisht do të jetë një rajon i qetë, stabil dhe me një perspektivë më të mirë euro-atlantike. Çdo sjellje e papërgjegjshme e kësaj politike do të ketë pasoja edhe më tragjike, si për Kosovën, Luginën e Preshevës, shqiptarët e FYROM-it, Shqipërinë, por edhe për rajonin. Prandaj, ky moment nuk guxon të kapërcehet lehtë pa një plan të mirë.

Shkruan: Fehmi Ramadani

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch