Home » Opinione » Opinion: RA KY “MORT” E U PAMË

Opinion: RA KY “MORT” E U PAMË

Shkruan: Mr. Nehat Hyseni

Kumti ishte: ”E HOQËN !!!”. Dhëmbja, mllefi dhe pikëllimi që përfshiu dhe mbushi me helëm e pikëllim zemrat e të gjithëve, pothuajse ia kaloi momentit kur ata dhanë jetën për liri. Por, për hirë të së vërtetës, puna e lapidarit, sa duket, pati shumë “pretendentë” për të fituar poena të lirë politik. Në vend të deklaratave të pamatura,  megalomane, të pavend dhe boshe, askush nuk mori mundimin e organizimit të një kujdestarie të denjë në ruajtjen e lapidarit. Ekzistonin kushtet ideale për ta bërë këtë. Ky ishte një obligim kombëtar dhe njerëzor i kryetarit të komunës z. Ragmi Mustafa, i cili edhe kryesonte grupin e unitetit. Kështu u lëshua një rast historik për të gjithë shqiptarët e Luginës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, me të drejtë na “qortoi” se pse nuk e mbrojtëm lapidarin, kurse duket fare qartë se as ai vet  nuk mësoi nga serbët se si  mbrohet shteti.  Shqipëria duhet  ta hap Zyren Konsullore, si përfaqësi diplomatike për Luginën. Hashim Thaçi duhet ta heq “haraçin” (20 euro) për hyrje në Kosovë. Ky do të duhej të ishte fundi i mosinteresimit të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, duke u kënaqur dhe mjaftuar vetëm me deklarime verbale për mbështetje „vëllazërore“ dhe fjalë të tjera boshe.

Nesër bëhet një javë nga grabitja “spektakulare”e lapidarit

Po i afrohemi një jave të plotë nga  mëngjezi më i hidhur në jetë për shqiptarët e Luginës së Preshevë, por edhe për shqiptarët e tjerë kudo që janë, si dhe për botën e civilizuar dhe demokratike , kur të gjithë u zgjuan të befasuar dhe të trishtuar kur panë aktin makabër të heqjes dhe grabitjes së Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.

Ankthi i shkaktuar nga kërcnimet e vazhdueshme, herë të premierit Daçiq, e herë-herë të zëvendësit të tij në qeveri, Vuçiqit, të cilëve ngandonjëherë u bashkohej edhe vet presidenti Nikoliq, krijonin atmosferë të padurueshme tensionimi dhe pasigurie tek shqiptarët e Luginës.

Ky trishtim ishte edhe më ogurzi nga fakti se shteti në të cilin jetojnë shqiptarët e mbetur në Serbi, din vetëm të shfaqet dhe performoj me dhunë të organizuar shtetërore, e cila sa e sa herë u pa edhe në trojet e ish Jugosllavisë dhe në Kosovë gjatë kohës së Millosheviqit.  Kësaj radhe demonstrimi i “muskujve” shtetërorë ishte më tepër se “mbresëlënës”, të cilët e “ngulfatën” qytetin dhe ia mbyllën rrugën dhe gojën derisa e kryen këtë vepër makabre të heqjes së Lapidarit me eskavatorin e rethuar dhe të ruajtur nga xhandarmeria e armatosur deri në dhëmbë me armatimet më modern, duke u kujdesur që të lënë “përshtypje” sa më spektakulare.

Lajmi i trishtuar: “LAPIDARIN E HOQËN”- 20 janar 2013, ora 7:00

Qytetarët morën lajmin kush e kush si ka arritur të zgjohet nga gjumi pas orës shtatë, por zhurma dhe atmosfera e padurueshme dhe vrastare, e veshur me petkun e zezë dhe hierëndësinë mbytëse, nuk i la për ta vazhduar ëndrrën asnjë fëmie, apo të riu të rritur. Kumti ishte: ”E HOQËN !!!”.

Dhe dhëmbja, mllefi dhe pikëllimi që përfshiu dhe mbushi me helëm e pikëllim zemrat e të gjithëve, pothuajse ia kaloi asaj kur ata dhanë jetën për liri.

Grabitja e lapidarit e ndëpreu dialogun

Grabitja e lapidarit e ndëpreu dialogun dhe bisedimet e shqiptarëve të Luginës dhe  të përfaqësuesve të OSBE-së për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe të pranueshme për të gjithë. Me këtë Serbia tregoi qartë se nuk është për dialog me shqiptarët, por vetëm për dhunë dhe terror ndaj tyre.

Të befasuar në sinqeritetin e tyre gadi fëmijëror, se “kanë mësuar politikë” dhe pritnin me padurim të filloj vazhdimi i konsultave dhe bisedave në orën 11:00, me spektrin e gjerë të akterëve të jetës politike e qytetare, si dhe të familjarëve të dëshmorëve, emrat e të cilëve ishin skalitur në Lapidarin i cili “luhatej” nga kërcënimet shtetit. Edhe kësaj here ky shtet ia  “përkujtoi” kësaj popullate të mjerë , të braktisur, të trishtuar e të pambrojtur, dhunën si sinonim për shtetin në të cilin jetojnë. Dhe kjo dhunë ishte e përmasave tmerruese edhe për shikuesit e atyre skenave në ekranet televizive, e të mos flasim për popullatën që e përjetoi.

Lapidari si pretekst për të fituar poena politik

Por, për hirë të së vërtetës, puna e lapidarit, sa duket, pati shumë “pretendentë” për të fituar poena sa më të lire politik. Në rend të parë, i pakonkurrencë në këtë drejtim ishte Kryetari i qeverisë Ivica Daçiqi, i cili duke i terrorizuar këta shqiptarë u bë premier,  i shoqëruar nga Nikoliqi, në rivalitetet e tyre politike për të marrë edhe ndonjë poen politik në kurriz të këtyre shqiptarëve të pambrojtur. Pranaj, atyre lapidari i shërbeu si “dhuratë”.

Pastaj kryeprotagonisti i kësaj afere, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafës, i cili  plot një vit më pare kishte filluar këtë aktivitet reth lapidarit, pa e ditur asnjë parti apo subjekt tjetër politik, për të mos i ndarë poenat politik me asnjenë, duke përkrahur nismën e OVL të UÇPMB-së. Kurse, kur i hasi “sharra në gozhdë”, ai iu mbështetë “unitetit” të shqiptarëve.

Pra, kjo punë u nisë krye në veti. Se këtë çështje nuk e kishte të menduar mire, ose nuk e kishte me sinqeritet, u ofrimi medial dhe publik i dorëheqjes dhe tërheqja pas rrënimit të lapidarit, duke u arsyetuar se partia, kryetar i së cilës është ai vet, “s’po e len”.

Fjalët si Demushi, e punën…

Por, kur tensionet filluan, atmosfera “nxehej” nga gara e paparë e “trimërisë” dhe megalomanisë sa qesharake, poaq trishtuese të ish komandantëve që bënin gara se kush më trim po del. Kur ia shtojmë edhe emisionet e RTK-së më 15 janar të UÇK-së dhe tjetra të UÇPMB-së, krijuan një pasqyrë të shtrembëruar, duke e shndërruar çështjen e lapidarit nga “çështje për të drejtat e njeriut”, në “çështje ushtarake”, duke u deklaruar publikisht se janë të gatshëm që lapidarin “ta mbrojnë  me armë”.

Ndërkaq, në vend të krekosjes dhe kërcnimeve megalomane dhe të pavend e boshe, askush nuk mori mundimin e organizimit të një kujdestarie të denjë në ruajtjen e lapidarit nga pushteti, që të mos e rrënoj apo grabis në mënyrë të papritur dhe tinzare, si ndodhi në mëngjezin e 20 janarit.

Vet akti i kujdestarisë, kishte  kushte të volitëshme, do të thoja ideale të ambientit që e rethonte lapidarian, meqë gjendet në qendër të qytetit, mu aty ku frekuentojnë më së tepërmi qytetarët. Gjithashtu, edhe zyra e kryetarit të komunës, i cili ishte kryeprotagonisti i rastit të lapidarit, është në afërsi të drejtëpërdrejtë të lapidarit, duke qenë vetëm disa metra larg dhe nga dritaret mundëson një shikim dhe monitorim të shkëlqyeshëm të tij. Pra, ekzistonin kushtet ideale për ta bërë organizimin e suksesshëm të kujdestarisë së ruajtjes së lapidarit. Pastaj, hapsira para lapidarit mundëson vendosje të çadrave, si dhe të grumbullimit të qytetarëve. Është ky vend pra, ku organizohen të gjitha tubimet e qytetarëve, si për solemnitete e fushata zgjedhore dhe raste të tjera.

Mosorganizimi i kujdestarisë tek lapidari ishte akt i pafalshëm

Sigurisht se ky ishte një obligim kombëtar dhe njerëzor i kryetarit të komunës z. Ragmi Mustafa, i cili edhe kryesonte edhe grupin e unitetit. Por, mjerisht, ky veprim i domosdoshëm nuk u bë. Kështu u lëshua një rast historik për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës për ta mbrojtur në mënyrë paqësore, të kulturuar dhe civilizuese, dinjitetin e heronjëve të UÇPMB-së dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e cenuar rëndë autoritetin e kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, të cilën shumë medie dhe subjekte politike shqiptare e quajtën tradhëti kombëtare.

Andaj, ky rast historik u shndërrua në zhgënjim të qytetarëve dhe të opinionit mbarëkombëtar, të cilit i kishin sytë, mendjen dhe zemrën e shpirtin kah Lapidari, i cili ishte shndërruar në sinonim të dinjitetit tonë kombëtar.

Ishte e pakuptueshme se si ndodhi e gjithë kjo, kur dëgjonim mburrje e kërcnime megalomane e të pakuptimta nga njëra anë, kurse në anën tjetër nuk u bë as sa “lavra e minit” për ta mbrojtur dhe ruajtur Lapidarin.

Në histori shpeshë ndodhë që mosshfrytëzimi i shansit dhe momentit të caktuar, në vend të përparësive, kthehet në të kundërtën. Druaj se neve na ndodhi kjo e dyta. Sepse, ekipi që nuk i shfrytëzon shanset, ai e humb lojën.

Arsyetimet e rrahagjoksave dhe “luanëve” para grabitjes së lapidarit, u shndërruan në deklarata të trishtuara se gjoja paska pasur me u derdhë gjak poqese ne në mënyrë të padhunëshme do ta mbronim lapidarin. Dhe në vend që të derdhnim pages mund e djersë, duke marrë mundimin që të rrijmë në mot edhepse jo shumë të ftohtë për këtë kohë, megjithatë ishte i vështirë. E lusim Zotin e Madhëruar dhe popullin tone të shumëvuajtur shqipëtar që të na falë këtë rast të pakthyeshëm të historisë sonë kombëtare bashkëkohore.

Faleminderit Kosovë e Shqipëri, “na keni ndihmu…”

Pashmangshmërisht na shtrohet pyetja se a na ndihmoi Kosova dhe Shqipëria në këtë situate dramatike për menaxhimin dhe tejkalimin e susksesshëm të kësaj krize. Përgjigja do të ishte më se zhgënjyese. Sepse, fjala e urtë popullore thotë se “dashi nuk majet natën e kurbanit”.

Së pari, Qeveria e Kosovës në këtë lidership që ka është në pushtet mbi pesë vjet dhe për herë të parë tani kryeministri i pranoi ata në një takim në zyren e tij. Ndërkaq, kjo qeveri deri më sot nuk ka bërë asnjë aktivitet lidhur me Luginën, qoftë edhe simbolik! Pastaj, në aspektin e ndihmës materiale, gjithashtu nuk ka investuar asnjë cent.

Hashim Thaçi duhet ta heq “haraçin” (20 euro) për hyrje në Kosovë

Shqiptarët e Luginës, edhepse ishin të indinjuar nga ky qëndrim mospërfillës ndaj tyre, megjithatë shkoi në takim. Por, nga ajo se si u soll këto ditë kryeministri Thaçi, pamë se ai reagoi në formën më fyese dhe më poshtruese ndaj lidershipit të Luginës dhe nuk u mjaftua me kaq.

Ai iu vërsulë edhe popullatës shqiptare, duke e quajtur ate si “pa ndjenja kombëtare”, etj., sepse nuk e paskan mbrojtur lapidarian me trupat dhe jetët e tyre?! Kurse, hiç ma larg se sot, mediet njoftojnë se në territorin e Kosovës, gjithashtu kanë hyrë xhandarmeria serbe  dhe ka qëndruar disa orë, shumë rahat, si në bahçe të babës!

Pra, Hashim Thaçi nuk mundet ta mbroj shtetin e vet nga po e njejta xhandarmëri e Serbisë që e hoqi lapidarin në Preshevë, edhepse ka polici dhe (gjysmë)ushtri të veten!? Pra, ai na “qortoi” se pse nuk e mbrojtëm lapidarin si serbët në Mitrovicë, kurse duket fare qartë se ai vet  nuk mësoi nga serbët se si  mbrohet shteti.

Mbetet enigmë se pse ai iu vërsulë Luginës së Preshevës me kaq tone dhe urrejtje poshtëruese: a thua për ta mbrojtur fajin e vet dhe turpin pse nuk është marrë kurrën e kurrës me këtë pjesë të gjeografisë sonë kombëtare?

Një analizë “kokëftohët”, sado sipërfaqësore të jetë, na qet në sipërfaqe  turpin e pafalshëm para historisë së një padrejtësie të Qeverisë së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës, e cila ka vendosur “haraçin” në kufi për hyrjen e shqiptarëve të Luginës në Kosovë. Shyqyr që ra ky mort (kriza e lapidarit) dhe u pamë se kush  jemi dhe si jemi.

Shqipëria duhet  ta hap Zyren Konsullore për Luginën

Nga Shqipëria filluan të na vijnë premtime të mëdha, por dhe toni ngritej vazhdimisht i deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, i cili i bënte apel qeverisë serbe që të ket kujdes nga shqiptarët e Luginës, duke u kërcnuar madje për “rishqyrtimin  e marëdhënive diplomatike” midis dy shteteve, si dhe anulimin e vizitës zyrtare të ministrit të shëndetësisë, që ishte caktuar më parë. Këto tone “të fuqishme”, megjithatë nuk e ndaluan qeverinë serbe që ta rrënoj lapidarian, kurse shqiptarët e Luginës nuk përfituan asgjë nga kjo, kurse Shqipëria u “qortua” edhe nga miqtë ndërkombëtarë për qëndrimin e tij “nacionalist”.

Ndërkaq, nisma jonë e para pesë-gjashtë vitesh për hapjen e një zyre konsullore, si përfaqësi diplomatike e shtetit shqipëtar pë Luginën e Preshevës, që do të merrej me ndihmën konkrete kësaj treve, më në fund duhet realizuar. Me hapjen e kësaj zyre dhe me formimin e një fondi të caktuar për realizimin e projekteve të ndryshme për përmirësimin e gjendjes së cultures dhe  arsimit, në rend të parë furnizimit me tekste dhe mjete mësimore, Shqipëria do të na jepte ndihmë konkrete dhe reale, me çka do të na ndihmonte shumë më tepër se sa me deklarata  kërcnuese.

Krijimi i “Grupit të unitetit”

Lidershipi i Luginës ishte bërë “unik” dhe kishte filluar aktivitetet reth informimit dhe senzibilizimit të opinionit lidhur me problemin e lapidarit, duke marrë pjesë edhe në emisionet televizive nacionale të Kosovës, në RTK, TV21 më 12 janar dhe në KTV të nesërmen. Meqë i shoqërova pas emisionit në byfenë e RTK-së, i përgëzova se “ishin të mrekullueshëm sepse nuk u grindën”. Pra, ishte ndër emisionet e ralla që u zhvillua pa grindje. Nga e kaluara e dijmë se shpeshëherë kishte fyerje dhe etiketime banale, saqë ta sillnin gërdinë. Kurse, kësaj radhe i kishte bashkuar “zori” i Lapidarit. Dhe të jem i sinqertë, edhepse ishte nga “zori”, më pëlqenky unitet i arritur dhe me gjithë shpirt e inkurajoj. Pastaj u mbajt emisioni në TV21, ku kryesisht u përsëritën gjërat.

Kurse, të nesërmen, në emisionin Rubikon të cilin e udhëheq me shumë sukses Adriatik Kelmendi, aty gjërat paksa ndyshuan. Sepse, aty ai insistonte të merr përgjigjen në pyetjen e të shtruar për të tretën herë:

Çka do të bëni nëse eventualisht pushteti e heq Lapidarin?

Fitohej përshtypja se ishin të papërgatitur për këtë pyetje. Ragmi Mustafa, sa duket nën dëshirën për të lënë përshtypje sa më impressive, deklaroi haptas dhe e përsëriti disa here se, poqese hiqet lapidari, ai do të jep “dorëheqje të parevokueshme”, të cilën e “refuzoi” partia e tij pas heqjes së lapidarit. Ky akt i pamatur, së bashku me mosorganizimin e kujdestarisë tek lapidari, gjithashtu e dëmtoi imazhin dhe autoritetin e të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Dëshmorët e UÇPMB-së janë më të gjallë se kurrë në mendjen dhe ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Ata, me flijimin e jetës së tyre, ashtu si janë të vdekur dhe prehen në amshim, më tepër se asnjëri nga ne të gjallët na mbannë orën e madhe të historisë. Dhe ky mësim i tyre duhet të na mësoj se nuk guxojmë që t’i (keq)përdorim ata për nevoja të ndryshme, shpeshëherë edhe politikaneske të dikujt.

Duhet shfrytëzuar  fokusimin e vëmendjes së opinionit mbarëkombëtar, por pse jo dhe ndërkombëtarë për ta senzibilizuar dhe avancuar çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në rend të parë duke insistuar dhe duke bërë „presion“ mbi Qeveribnë e Kosovës që të ndaj një pozicion të veçantë në Buxhetin e Kosovës, që të shfrytëzohej si Fond  për Luginën e Preshevës. Me këtë Hashim Thaçi do t’i ndihmonte më tepër Luginës dhe do t’i kontribuohej ndaljes së shpërnguljes së shqiptarëve dhe boshatisjes së këtyre trojeve tona stërgjyshore.

Gjithashtu, duhet insistuar që të „nxirret nga sirtarët“ projekti i Qeverisë Haradinaj për hapjen e Zyres për shqiptarët e Luginës pranë Qeverisë së Kosovës. Me shkuarjen e  tij në Hagë, këtë projekt e „mbuloi pluhuri“, meqë Qeveria Kosumi dhe Qeveria Çeku e hoqën nga agjenda e tyre.

Pra, ra Lapidari i UÇPMB-së dhe duhet ta kuptojmë se ky do të duhej të ishte fundi i mosinteresimit të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, duke u kënaqur dhe mjaftuar vetëm me deklarime verbale për mbështe4tje „vëllazërore“ dhe fjalë të tjera boshe. Kjo na obligon edhe neve nga Lugina që të hartojmë projekte dhe t’i identifikojmë dhe specifikojmë qartë nevojat dhe planet tona që do të duhej mbështetur nga dy shtete shqiptare që kemi aktualisht në Ballkan.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch