Home » Opinione » Opinion – Rikthimi i histerisë nacionaliste serbe, një përpjekje retrograde për rajonin dhe Evropën

Opinion – Rikthimi i histerisë nacionaliste serbe, një përpjekje retrograde për rajonin dhe Evropën

Fehmi RamadaniNga Fehmi Ramadani  

 

Ngjarjet e fundit në stadiumin e Partizanit të Beogradit nuk duhet të shërbejnë si alibi për rikthim të përpjekjeve të vjetra nacionaliste serbe, por duhet kuptuar si një fatkeqësi, nga i cili duhet nxjerrin mësime dy popujt tanë. Nga ky incident duhet të dal politika e mirëkuptimit dhe shndërrimit të saj në një marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Sepse, përfundimisht, synimi i fundit i këtyre dy popujve është bashkimi në familjen dhe vlerat evropiane, atëherë nuk mbetet rrugë tjetër për veç trasimit sa më shpejtë dhe shndërrimit të saj vetëm në dobi të popujve të tyre dhe kurrsesi të politikanëve me ambicie të rikthimit të projekteve retrograde

 

***

Ka mjaftuar vetëm një shkas, një ndeshje futbolli ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë së stadiumin “JNA” të Partizanit në Beograd, me ç’rast kishte ardhur deri te dhuna ndaj futbollistëve shqiptar edhe një herë kishte qitur në shesh tërë skenarin e vjetër nacionalist dhe fashist të ashtuquajturit shtetit serb, i cili kurrsesi të lirohet nga kjo patologji retrograde. Ky shtet, edhe njëherë ka vërtetuar se kur janë në pyetje shqiptarët, jo vetëm në sport (me këtë rast në një lojë futbolli) dhe jo vetëm ndaj tyre nuk zgjedhin mjete dhe metoda për të treguar shfrenimin e tyre shovinist, si një kundërpërgjigje, apo hakmarrje kinse për humbjen e Kosovës nga përbërja e saj. Serbët, përkundër obligimeve ndërkombëtare që kishin për të organizuar dhe siguruar ndeshjen, por edhe jetën e futbollistëve shqiptarë, por jo vetëm të tyre nuk e kishin bërë një gjë të tillë. Kjo gjendje kishte eskaluar, sidomos pas preteksit fantom të fluturimit të një droni nëpër qiellin e stadiumit që barte një banderolë të Shqipërisë etnike (që nuk dihet ende autori i saj) dhe ishte shndërruar në dhunë dhe terror. Forcat e sigurisë edhe pse ishin të shumta kishin lënë me qëllim që në fushë të futen tifoz dhe huligan serbë dhe të sulmojnë futbollistët shqiptarë. Ata u qëlluan dhe morën lëndime trupore jo vetëm nga ta, por edhe nga njerëz të Sigurimit të stadiumit, si dhe agjentë dhe polic sekret serb. Një sjellje e tillë e tmerrshme që ishte krijuar, sidomos deri sa futbollistët shqiptarë futen në tunelin për në zhveshtore ishin sulmuar në formë barbare nga njerëz të ndryshëm si të publikut dhe jashtë saj. Ky ishte një linç i vërtet për futbollistët shqiptarë. Kjo ishte një ngjarje makabre, e cila vetëm fal Zotit nuk u shkaktua ndonjë viktimë e panevojshme.

***

Ndërsa, ulurimet, kërcënimet, fyerjet dhe parullat fashiste ndaj shqiptarëve që dëgjoheshin në stadium: “Të therim, të vrasim, të burgosim dhe të zhdukim shqiptarët” kujtonin po të njëjtat klithje, sikur gjatë periudhës së nacional-socializmit të Sllobadan Millosheviqit dhe fillimit të epokës së përgjakshme të viteve 90’ta në ish-Jugosllavi. Thirrjet e tyre raciste të pandërprera, për të prerë dhe vrarë shqiptarë gjatë gjithë kohës deri në minutën 42 të ndeshjes, kur ajo edhe ishte ndërprerë nuk mund të imagjinohen kurrsesi në kohën e këtij shekulli. Tentimi për linçim, si ndaj futbollistëve, njerëzve të pjesës teknike, gazetarëve, si dhe atyre pak tifozëve shqiptarë që ishin në lozhën e VIPA-ve duke ndjekur ndeshjen nuk mund të shpjegohet ndryshe, por vetëm si një mësim i keq i historisë për ngjarjet e nacional-fashistëve gjerman gjatë përmbysjes së Republikës së Vajmarit. Nacionalizmi dhe fashizmi serb nuk ka ndonjë dallim të theksuar nga nacionalizmi dhe fashizmi hitlerian. Dallimi kryesor i tyre qëndron vetëm në gjykimin e tyre. Derisa, fashizmi gjerman e kishte marrë përgjigjen dhe gjykimin e merituar nga e gjithë bota përparimtare dhe demokratike, fashizmi serb, përkundër disa të akuzuar në Hagë, nuk ka arritur ende të gjykohet dhe të marrë përgjigjen e duhur.

***

Kjo, çfarë kishte ndodhë në stadiumin e Partizanit në Beograd, gjatë një ndeshje futbolli ka një kohë të gjatë që nuk kishte ndodhur në ndonjë stadium tjetër të botës. Një masë prej rreth 35 mijë vetash të ngrihet kundër 11 futbollistëve dhe disa vetave tjerë vetëm pse ishin të një kombi tjetër nuk mund të imagjinohet dhe lëre më të shpjegohet. Nuk mund të kuptohet koreografia e kësaj ngjarje që nga tifozët e deri te politika zyrtare, e cila kishte një veprim të bashkërenditur. Derisa vetë presidenti serb Nikoliq, ishte në mesin e këtyre tifozëve dhe përcillte ndeshjen nuk shfaqte ndonjë brengosje për pasojat e mundshme. Ky në vend që të kërkonte falje dhe të gjykonte këto akte të dhunshme të serbëve ndaj futbollistëve shqiptar kishte deklaruar se shqiptarët kishin nxitur një gjendje të tillë dhe se Shqipërisë i duhen dekada, apo shekuj të bëhet një shtet normal. Njëzëshmëria e reagimit të politikës serbe për të gjykuar shqiptarët për shkaktimin e këtyre ngjarjeve duke filluar nga presidenti Nikoliq, kryeministri Vuçiç, ministri i punëve të jashtme Daçic, etj edhe njëherë kishin nxjerrë në pah histerinë nacional-shoviniste të kësaj politike. Reagimi i tyre të rikujtonte atë tregimin mbi ujkun e lënduar, i cili ishte zënë në argaç të deleve dhe kishte marrë plagë të rënda nga bariu. Ai nga zori kishte kërcyer gardhin duke bërtitur se ishte kall dynjaja. Por, vërtet nuk ishte kall bota, por vetëm bishti i ujkut dhe tani nuk mund të duronte plagët dhe nuk donte të kuptonte një gjë të tillë. Politika serbe në shumësinë e saj, përjashto grupe dhe individ të ndryshëm edhe kësaj here është treguar se është ai ujku i moçëm, i cili qimen e ndërron, por zanatin nuk e harron. Atëherë, pas kësaj shtrohet pyetja çfarë mendoni, sa kohë i duhet Serbisë të bëhet një shtet normal, por pa urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve? Në vend që politika serbe të printe në shtendosjen e situatës së krijuar, këtë punë padyshim e kishin bërë deri di ku futbollistët e saj, një pjesë e të cilëve kishin dalë në mbrojtje të futbollistëve shqiptarë duke u munduar të ruajnë sidokudo nderin e një sportisti, por edhe nderin nacional të tyre. Në këtë fatkeqësi, vetëm kjo nuancë ishte ana e ndritshme e saj, sepse vetëm me meritën e tyre nuk kishte ardhur deri te një tragjedi me pasoja fatale. Në këtë kaos, vetëm sjelljet e disa futbollistëve serb ishin politika e vërtet racionale dhe humane e Serbisë dhe jo sjelljet e tifozëve dhe politikanëve të tyre fashist, këta të fundit të cilët janë mësuar të mbijetojnë në kurriz të fatkeqësisë së popullit të tyre. Kjo sjellje e futbollistëve serb të përkujton edhe anën tjetër të medaljes së pikëtakimeve të mira të këtyre popujve gjatë së kaluarës. Kështu, personalitete dhe individ të ndryshëm nga këta dy popuj kishin kontribuar mjaftë në zhvillimin e kulturës dhe historisë së tyre. Personalitete të ndryshme serbe si: Dimitrije Tucoviq, Svetozar Markoviq, Bogdan Bogdanoviq, Svetozar Stojanoviq, Sonja Biserko dhe shumë intelektual tjerë serb, gjithmonë ishin përpjekur për një fqinjësi të mirë me shqiptarët. Kontributi i tyre në raport me shqiptarët ishte shumë korrekt dhe racional. Ndërsa, në anën tjetër kontributi i Bekim Fehmiut, Faruk Begollit, Enver Petrovcit dhe të disa intelektualëve tjerë shqiptarë në zhvillimin e kinematografisë së ish-Jugosllavisë, asnjëherë nuk mund të vihet në pikëpyetje. Padyshim, se edhe kontributi i sportistëve shqiptar ishte i jashtëzakonshëm.

***

Të vetëdijshëm për të kaluarën konfliktuoze ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por ky tërbim nacional-fashist serb në këtë ngjarje futbolli nuk mund të arsyetohet për asnjë shkak apo shkas. Tashmë, është më se e njohur botërisht, sidomos pas periudhës së viteve 90’ta, që serbët ishin fajtorët kryesorë të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dhe përgjegjësit kyç të shkaktimit të katër luftërave me pasoja të mëdha për popujt e kësaj krijese. Agresioni i tyre në Slloveni, Kroaci, Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë, padyshim se ishte kulmi i një politike shkatërruese dhe të çmendur. Përkundër, shkatërrime të mëdha që kishin përjetuar kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët, patjetër se çmimin më të madh të saj e kishte paguar mu kjo politikë duke i shndërruar serbët në gogol të rajonit dhe Evropës. Serbët, vetëm pas një intervenimi ushtarak ndërkombëtar ishin ndal në përpjekjet e tyre shoviniste. Angazhimet e politikës ndërkombëtare për të nxjerrë këtë shoqëri nga kjo krizë e rëndë nuk kishin të ndalur. Për 15 vjet investime të ndryshme për transformimin shoqëror të saj nuk kishin dhënë rezultatet e duhura. Vetë serbët, të infektuar nga nacionalizmi dhe shovinizmi, përkundër përpjekjeve të tyre nuk kishin arrit të transformojnë shoqërinë e tyre, sidomos pas luftërave të fundit. Ata e humbën rastin që pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti të bëjnë denacifikim shoqëror të saj. Politika e tyre nuk pati guxim të bëjë ndryshime rrënjësore, përkundër disa ndryshimeve kozmetike. Ajo, ende ka mbetur në kursin e vjetër nacionalist. Të rikujtojmë se kryetar i shteti serb është Tomisllav Nikoliq, një ish-zëvendës i Vojislav Sheshelit, një krimineli dhe fanatiku ortodoks serb, kryetar i një partie fashiste serbe, i cili është duke u gjykuar në Gjykatën e Hagës për krime ndaj njerëzimit në ish-Jugosllavi. Nikoliq, si zëvendës i tij ishte pjesëmarrës direkt në krime ndaj boshnjakëve dhe kroatëve dhe ende nuk ka një akuzë të ngritur ndërkombëtare, përkundër dëshmive të shumta që ka ndaj tij. Ndërsa, Aleksandër Vuçiç është kryeministër i tanishëm dhe po i njëjti më herët ishte një bashkëpartiak ultrashovinist i Sheshelit dhe Nikoliqit, të cilët kishin mbështet politikën e Millosheviqit gjatë fushatës së tij kriminale në ish-Jugosllavi. Ky ishte edhe zëdhënës i kësaj Qeveria, sidomos në fushatën e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Kurse, ministër i jashtëm e shteti serb është Ivica Daciç, një bashkëpartik socialist dhe bashkëpunëtorë i ngushtë i Millosheviqit, i cili ka të njëjtën përgjegjësi për krimet e bërë gjatë konflikteve të fundit në ish-Jugosllavi. Shtrohet pyetja, po çfarë historie duhet të kenë këta që të kuptosh se kush janë këta njerëz që udhëheqin me politikën serb dhe çfarë është ajo në esencë!?

***

Tani, kur sheh dhe dëgjon këtë korë udhëheqësish serb në krye të këtij shteti në deklaratat e tyre shoviniste kundër shqiptarëve, atëherë pa mëdyshje të krijohen dilema të mëdha për rrezikun e stabilitetit dhe paqen në rajon. Këtu, nuk mund të anashkalohet faji i një pjesë të politikës së faktorit ndërkombëtar, të cilët janë bashkëpërgjegjës për mbylljen e syve ndaj një politike të tillë. Burokratët dhe teknokratët ndërkombëtar janë përgjegjësit kryesor pse kemi udhëheqës fashist në një shtet problematik në rajon, të cilët nuk meritojnë të jenë në skenën politike. Si mund të shpjegohet fakti, që pas kësaj ndeshje të vazhdojë ende sulmet ndaj lokaleve dhe pronave të ndryshme të atyre pak shqiptarëve që jetojnë në këtë vend për një kohë të gjatë? Si mund të shpjegohet vrasja e një furrtari në Vojvodinë, i cili edhe pse ishte i përkatësisë maqedonase, por ky krim ishte kryer me pretekstin se duhet të ishte shqiptar. Çfarë emri duhet dhënë tentim djegies së xhamisë në Beçej të Vojvodinës? A nuk është ky racizëm dhe fashizëm?

Ndërsa, sa i përket organizatave civile, mediumeve, elitave intelektuale si dhe disa mekanizmave tjerë të kësaj shoqërie ende nuk kanë arrit të luftojnë këtë të keqe të kësaj shoqërie, përkundër investimeve dhe përpjekjeve të tyre të vazhdueshme. Shërimi i shoqërisë serbe nga sëmundja e saj e vjetër nacionaliste shumë ngadalë po ndodh. Serbët, gjithmonë kishin tentuar të ndryshojnë, por për fat të keq të nxitur nga Rusia dhe qarqet e ndryshme, siç kishim edhe vizitën e Vladimir Putinit në Beograd, vetëm dy ditë pas këtyre ndodhive tregon lidhmërinë e tyre politike jo të rastësishme. Serbët, në përpjekje të përfaqësimit të projekteve demokratike tragjikisht kishin humbur dy kryeministra, të cilët ishin vrarë nga po këto forca fashiste. Politika dhe shoqëria serbe ka nevojë të madhe për ndihmë si nga fqinjët dhe faktori ndërkombëtar, por jo nga burokratët e korruptuar ndërkombëtar, të cilët në Serbi zhvatin vetëm mjete financiare. Ky shtet ka nevojë për ndryshime radikale duke filluar nga ekonomia e saj e cila është para një kolapsi total, por vetëm fal ndihmave ndërkombëtare është duke u mbajtur në këmbë. Ky shtet ka borxhe të mëdha rreth 16 miliard euro, ndërsa vetëm për kamata vjetore paguan rreth 800 milionë euro. Ky shtet ka nevojë urgjente të ndryshoj shumë në mendësinë e saj duke filluar nga sistemi shkollor, edukativ, sigurisë, ekonomisë dhe politik. Ky shtet nuk mund të ekzistojë që në njërën anë të mbahen parada ushtarake të demonstrimit të forcës ndaj fqinjëve dhe të bëhen shpenzime të panevojshme, kurse në anën tjetër të kërkohen ndihma të huaja financiare. Në këtë shtet nuk duhet të mësojnë nëpër shkolla mbi urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe kombeve tjera në këto hapësira. Ky shtet ka nevojë për një katarsis të përgjithshëm shoqëror e politik. Këtij shteti i duhet politikë e moderuar, me vlera të vërteta demokratike dhe evropiane dhe jo politikë e rikthimit të histerisë nacionaliste. Fqinjët e këtij shteti si: boshnjakët, kroatët, shqiptarët, e tjerët duhet të ndihmojnë në përpjekjet e tyre demokratike. Ata nuk duhet t’i gëzohen fatkeqësisë së politikës së tyre, sepse kjo nuk është humane dhe as njerëzore. Shtetet për rreth duhen të kenë kujdes për të ndihmuar, sepse kështu e kërkon nevoja dhe koha.

Në vazhdën e ndihmës ndaj këtij shteti duhet të ndodhë edhe takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama me atë serb Aleksandër Vuçiç. Ky takim duhet të shërbej si pikënisje kyçe për ndryshime të mëdha të politikës rajonale. Vuçiç i frustruar dhe ngarkuar me dozën nacionaliste në fillim donte të mos takohej me Edi Ramën, por me insistimi i këtij të fundit më 11 Nëntor do të vijë deri te ky takim historik. Ky nuk duhet të jetë takim për konfrontime nacionaliste, por përkundër ngjarjeve në futboll duhet të shndërrohet në kthesë historike të raporteve të reja ndërmjet dy popujve dhe shteteve. Sepse, ky takim nuk po mbahet për ta, por për hir të shtendosjen së gjendjes së krijuar, por edhe të zgjidhjes së problemeve të këtyre dy popujve. Bashkëpunimi dhe komunikimi i ndërsjellë ndërmjet tyre duhet të jetë i përhershëm, sepse të përcaktuar jemi fqinjë dhe është e vetmja mënyrë që lidh dhe mundëson dy popuj të kenë zhvillim dhe prosperitet. Deri sa synimi i fundit i këtyre dy popujve është bashkimi në familjen dhe vlerat evropiane, atëherë nuk mbetet rrugë tjetër për veç që kjo rrugë sa më parë të trasohet dhe të shndërrohet vetëm në dobi të popujve të tyre dhe kurrsesi të politikanëve me ambicie të rikthimit të projekteve retrograde. Kjo nuk është e njëjtë me parullën “Ra ky mort e u pamë”, por për hir të gjeneratave të mëvonshme duhet t’i vihet një pikë e madhe bashkëpunimit dhe raporteve të mira ndërmjet dy popujve tanë.

Është koha përfundimtare, që preteksi i incidentit në stadiumin e Beogradit të shërbejnë si pikë kthese në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje historike në mes tyre.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch