Home » Opinione » Opinion: SHUPLAKA DIPLOMATIKE

Opinion: SHUPLAKA DIPLOMATIKE

Fillimi i këtij viti për shqiptarët në përgjithësi në hapësirat etnike e posaçërisht, për shqiptarët e Kosovës Lindore, nuk po ecën suksesshëm dhe me fat, ashtu siç u shkëmbyen mesazhet e urimit, gjatë natës së hareshme të Vitit të Ri.

Këto pengesa të natyrës politike dhe ekonomike, kësaj radhe nuk vijnë vetëm nga Beogradi, por edhe nga qarqe, mjerisht, shqiptare, të cilat pavetëdijshëm po futen në një qorrsokak e ngërç politik, pasojat e të cilave janë të rënda dhe shumë të rrezikshme.

Urtia popullore thotë: “Qeni i keq ta bie ujkun në torishtë!”

Defekti i një pjese të skenës sonë politike shqiptare e cila nuk ka arritur atë që e ka ëndërruar dhe dëshiruara gjatë fushatave zgjedhore, përpiqen të shohin me syze  vetëm zi dhe provojnë:  “Për një plesht me e djeg jorganin”!

Afera e rrugëve për t’i bllokuar dhunshëm ato, është një model i keq i imituar nga rebelët serbë të Kosovës. Integrimet dhe perspektiva evropiane nuk arrihet me bllokada rrugësh, por me hapjen e tyre.

Kufiri Kosovë-Serbi, dalëngadalë po e humb kuptimin klasik që kishte dikur, por këto telashe që kanë lindur me lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave do të tejkalohen një ditë.

 

(Keq)kuptimi

 

Një letër pa adresë e intelektualëve shqiptarë nga Presheva, politizoji tej mase vizitat e mundshme të krerëve institucionalë të Tiranës dhe Prishtinës në Kosovën Lindore.

Kujt i ka ra hise t’i lexojë komentet e disa liderëve nga Kosova e Serbia, lidhur me vizitat e ndërsjella, këputet njeriu duke qeshur.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, para se të shkel në pikën kufitare të Serbisë, pati thënë se do të hyjë në Bujanoc, me tagra të Kosovës, pa lëshuar pe në këtë drejtim.

Deputeti jolegjitim në Parlamentin e Serbisë nga Presheva, Riza Halimi, e siguroi Ministrin Makolli, se ai, serbes mund ta vizitoj Luginën e tij, bile deputeti vetë do të dal për ta pritur me suitën e tij politike.

Për dallim nga deputeti dhe ministri shqiptar, zyrtarët nga Beogradi, një vizitë të tillë e vlerësuan krejt normale.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi se “çdo kush nga Kosova mund të vjen në Serbi si qytetar i zakonshëm, e jo si ministër dhe kjo është definuar me marrëveshjen e delegacioneve mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel”.

Ministri Makolli u mashtrua keq nga disa politikanë shqiptarë të papërgjegjshëm me në krye deputetin jolegjitim Riza Halimi, i cili dy ditë më parë ka dërguar përfaqësuesit e tij në takimin e Vetëvendosjes për bllokimin e rrugëve Kosovë-Serbi.

Kur është në pyetje interesi i shtetit, Beogradi nuk e njeh as deputetin e vet, i cili me kravatë të kuqe solemne kishte dalë në kufi për ta pritur mysafirin e ftuar.

 

Protesta

 

Lëvizja Vetëvendosja, ka filluar të hutohet rreth reagimeve të faktorëve relevantë të Tiranës dhe Prishtinës dhe faktorëve ndërkombëtarë se bllokimi i rrugëve prish imazhin e Kosovës dhe zbeh perspektivën evropiane të shqiptarëve.

Përkundër zërave të ashpër të Qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës rreth iniciativës së Vetëvendosjes, Beogradi lejon që protestuesit të bllokojnë vetëm njërën “trakë” të rrugës dhe të vijnë deri te pika kufitare e Konçulit, për t’u fotografuar ashtu siç ngjau me vizitën e Ministrit Makolli.

Vetëvendosja e gjendur në siklet,  ka ftuar në ndihmë vëllezërit nga Shqipëria Kuqezinjtë dhe vëllezërit nga Kosova Lindore Këshillin për të Drejtat e Njeriut.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut, nga Kosova Lindore, ka dalë me një kumtesë për shtyp se mbështet fuqishëm iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, që më 14 janar 2012, t’i bllokoj rrugët me Serbisë, për zbatimin e vendimit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar.

KDNJ, fton qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, që t’i bashkohen iniciativës së Vetëvendosjes për bllokimin e rrugëve!

Pavarësisht nga këto lëvizje, brenda dhe jashtë kufirit me Kosovën, në këtë fillim viti, shqiptarët e Kosovës Lindore, janë mbyllur si në një karantinë, duke pritur ndihmën nga qielli e nga toka. Faktorët ndërkombëtarë, janë të vetmit, që ata i ushqejnë me optimizëm përmes sloganit: “Shqiptarët e bashkuar, në Evropën e bashkuar”!

Nga Tërnoci PRESS

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch