Home » Opinione » Opinion – VIZITA “NACIONALE” …

Opinion – VIZITA “NACIONALE” …

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në Serbi, Galip Beqiri, i bëri një vizitë “nacionale” Tiranës zyrtare.

 

Kjo vizitë, është paksa më ndryshe nga të parat, meqë Beqiri, ksaj radhe ishte tek fishek, nuk shoqërohej nga deputeti republikan i Serbisë Riza Halimi e as nga ndonjë shoqërues tjetër. Shumë e qartë, sot, më lehtë është të bisedosh në katër sy, se sa në shumë sish. Kështu mendojnë disa nga blloku pro “nacional” të këtij Këshilli, por ka edhe të atillë që mendojnë se kryetarit të këtij institucioni të njëanshëm, jo gjithëpërfshirës e më pak kombëtar, kanë filluar t’i batallisen “shokët” e partisë opozitare.

 

Këshilli Nacional i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në Serbi, nuk gëzon legjitimitetin e plotë të shqiptarëve, nuk mbështetet nga institucionet komunale e as nga spektri i gjerë politik dhe shoqëria civile. Këtë institucion kinse kombëtar e mbështet vetëm Qeveria e Serbisë me ministritë e Trupin Koordinues, të cilat e ndihmojnë atë financiarisht për t’i zhveshur shqiptarët nga të drejtat legjitime kombëtare e qytetare. Rast konkret kemi financimin e Abetares pa identitet, ndryshimin e Flamurit Kombëtar e vepra të tjera të pamira e të pakëndshme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

 

Si ka sy e faqe, një drejtues i Këshilli Nacional, si Galip Beqiri, t’i vizitoj institucionet e reja shqiptare në Tiranë, në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e të flas për hallet e tyre në arsim e kulturë, kur i njëjti bënë “allashveresh” me institucione të tilla Beograd. Është po ky Këshill Nacional, e po ky Galip Beqiri, i cili bashkë me deputetin republikan të Serbisë, nuk japin “pëlqim” për projekte të shoqërisë civile, të cilat nuk janë me ta e që në thelb nuk janë multietnike, pastaj “pëlqimet” vazhdojnë si në kohën e “shokut” Tito e të Sllobos, për drejtorët dhe kuadrot e afta shqiptare e në vend të tyre sillen ata të përkëdhelurit, të dëgjueshmit, pakurrizorët, servilët e matrapazët e kulturës dhe arsimit shqip etj. Këto poshtërsi vazhdojnë të shtrihen edhe te regjistrimi i studentëve në Tiranë e Prishtinë.

 

Deri sa nuk ishte i formuar Këshilli Nacional, kurrë shqiptarët e Luginës së Preshevës, nuk kanë pasur telashe me listat e regjistrimit të studentëve, e tashti me formimin e tij, janë ngatërruar gjërat janë bërë lesh arapi.

Autoritetet universitare të Tiranës dhe Prishtinës, janë në hall. Cilat lista me kandidatë për regjistrim në Universitete, duhet t’i marrin për bazë: ato të pushteteve lokale apo të Këshillit Nacional?!

 

Gjithë këtë rrëmujë rreth regjistrimit të studentëve e bënë Këshilli Nacional, në bashkëpunim me qarqe të ndryshme beogradase, për t’i irituar prindërit e nxënësit shqiptarë të Luginës rreth këtyre dallavereve, për të zgjedhur pastaj ndonjërin nga Fakultetet për regjistrim, të cilat po hapen në Preshevë dhe Bujanoc, madje po financohen bursa të majme nga Trupi Koordinues, për studim në Novi Sad e Beograd.

 

Këto manovra të rrezikshme të Këshillit Nacional, bashkë me Trupin Koordinues vazhdojnë organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës serbe, ndonëse ajo është e detyrueshme, që nga shkollimi fillor, pastaj kohëve të fundit edhe të kurset për mësimin e turqishtes, anglishtes, gjermanishte, e asnjë kurs për praktikum gjuhësor shqip, e cila mjerisht, gjithnjë po bastardohet,varfërohet e po katandiset pa fund.

E kryetari i Këshillit Nacional, përse ka shkuar në Tiranë, në çka është ankuar e mese është lavdëruar?!

 

Pse ky kryetar i Këshillit Nacional, kërkon ndihmën e institucioneve të reja të Shqipërisë, kur, ai, vet bashkë me deputetin Riza Halimi, iku për në Tiranë, në kohën e vizitës së Edi Ramës, të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Pandeli Majko, dhe një grupi deputetësh të Parlamentit të Shqipërisë, në Preshevë, gjatë shkurtit të këtij viti, në organizim të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, me rastin e ekspozitës së 100 Vjetorit të Shtetit Shqiptar, të autorit Artan Lame. Ata shkuan te ish kryeministri Sali Berisha për të bërë “davë” se Rama na paska ardhur në Preshevë për të bërë kampanjë parazgjedhore e duke premtuar projekte për maternitet e shkolla….

 

Kështu folën edhe mediat në Shqipëri: “Vizita e Ramës në Preshevë ka dy anë të së njëjtës medalje. E para padyshim është pozitive, për faktin se kryetari i Opozitës shqiptare viziton për herë të parë një zonë krejtësisht shqiptare, e cila me dashje ose pa dashje, le të themi, se kohët e fundit është harruar nga bota tjetër shqiptare. Kjo vizitë bëhet në një moment të vështirë si për Kosovën ashtu edhe për banorët e Preshevës. Vetëm pak kohë më parë u ndalua një ministër i Republikës së Kosovës që të bënte një vizitë në këtë zone”, (Alban Daci: Vizita e Ramës në Preshevë është thjeshtë çështje votash).

 

E Këshilli Nacional, vazhdon pa ujë në sy, ta luaj lojën e strucit, të kërkoj ndihëm e atyre, që deri dje i përbuzi, shantazhoi e i injoroi padrejtësisht. Kështu e ka politikën ky Këshill Nacional i Shqiptarëve të Luginës, i administruar nga Serbia./Jehona Press/

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch