Home » Opinione » Opinion – VIZITA SPECIFIKE

Opinion – VIZITA SPECIFIKE

Kryetari “legjendar” i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, deputet popullor në Parlamentin e Serbisë, së bashku me “shokun” e tij partiak Galip Beqiri, kryetar i Këshillit “Nacional”, të administruar nga Beogradi, vizituan Tiranën.

Delegacioni i ashtuquajtur nga Lugina, agjendën e takimeve e nisi me Ministrin e Punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë z. Ditmir Bushati, për ta vazhduar me kryeparlamentarin e Shqipërisë, Ilir Metën, pastaj ministren e arsimit Lindita Nikolla etj.

Agjenda e këtij takimi u fokusua te diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Serbi, duke filluar nga shkollimi, punësimi, integrimi etj.

Nuk ka asgjë të keqe, pse këta dy zotërinj, shpesh marrin rrugë për në Tiranë, Prishtinë e Beograd dhe flasin në emër të shqiptarëve dhe institucioneve të këtij rajoni, por defekti qëndron në atë se ata përfaqësojnë vetëm PVD-në, e cila me një këmbë është në pozitë e me tjetrën në opozitë. Ata me ngjyrat partiake të PVD-së, flasin në emër të spektrit politik e shoqërisë civile të Luginës së Preshevës dhe për vizita të tilla askujt nuk i japin llogari.

Dikur sa ishte në pushtet Sali Berisha, Riza dhe Galipi, e injoronin Edi Ramën, kryeministrin aktual, duke mos e përfillur gjatë vizitave të tij në Luginë. Me të njëjtin stil kanë vepruar edhe me PDK-në e Hashim Thaçit, gjithnjë në shërbim të LDK-së së ish Ibrahim Rugovës.

E me të ardhur në pushtet Edi Rama, ata nuk ngurrojnë të kërkojnë pranim te ministrat e tij, duke përkrahur mbështetje politike, morale dhe financiare. Të njëjtin qëndrim e kanë edhe me PDK-së, së cilës po i bëhen “argat” në fushatën e zgjedhjeve lokale të 2013-tës.

Është një karakteristikë e këtyre dy udhëheqësve “legjendarë” të PVD-së, ata me të mbetur në opozitë, kanë filluar ta ndërrojnë kursin politik të veprimit. Tashmë politikat e bashkëpunimit i orientojnë kah partitë, që deri dje i kanë quajtur radikale, kritikojnë pushtetet lokale e harrojnë se vetë me dy këmbë janë të integruar në pushtetin qendror të Serbisë.

Qëllimi i vizitave të deputetit Halimi dhe kryetarit të KN-së, Beqiri, duke filluar nga ky i fundit në Tiranë, kanë një emërues të përbashkët, thithjen e donacioneve. Kërkesat e tyre financiare janë legjitime si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë dhe Tiranë. Me mjetet e vjela në këtë drejtim, nderohen subjektet ose organizatat joqeveritare, të cilat janë përkrahës të tyre, kurse të tjerat mbeten pa “pëlqimin” e rekomanduesit!

Vizitat e ndara sipas pozitave dhe subjekteve politike në Luginën e Preshevës, kanë bërë që ky rajon edhe më tej të mbetet një poligon eksperimental i opsioneve kontraverze për zgjidhjen e çështjes shqiptare në këtë rajon./Jehona Press/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch