Home » Opinione » Opinion:RIPËRCAKTIMI I KUFIJVE, SI MUNDËSI RACIONALE PËR STABILITETIN E RAJONIT

Opinion:RIPËRCAKTIMI I KUFIJVE, SI MUNDËSI RACIONALE PËR STABILITETIN E RAJONIT

Shkruan: Fehmi Ramadani

RIPËRCAKTIMI I KUFIJVE, SI MUNDËSI RACIONALE PËR STABILITETIN E RAJONIT

 

Pas krizës së veriut të Kosovës janë shtuar dukshëm zërat për dialog të mirëfilltë, për një ripërcaktim të ri kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë. Modeli i shkëmbimit reciprok të një pjese të veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës do të ishte zgjidhja më racionale dhe reale për një pajtim historik ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, stabilitet, paqe të qëndrueshme dhe afatgjate, si dhe për një perspektivë më të mirë të rajonit.

Kriza politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës, e cila është krijuar kryesisht nga politika e Beogradit, tashmë është shndërruar në një sfidë mjaft të rëndë si për politikën shqiptare, por edhe për Bashkësinë ndërkombëtare. Kjo situatë e krijuar shumë lehtë mund të shndërrohet në konflikt ndërnacional me pasoja mjaft të mëdha, si për Kosovën, për rajonin, por edhe për Bashkësinë ndërkombëtare, e cila edhe pse një kohë të gjatë ka investuar në këtë rajon.

“Balvan revolucioni” dhe “barrikadat serbe” janë shprehje të njohura, të cilat në të kaluarën jo të largët kanë prodhuar vetëm vuajtje dhe tragjedi, në radhë të parë për popullatën serbe, por edhe për të tjerët. Ndërsa, rasti i fundit i vdekjes së të riut serb Savo Mojsiç në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë, pas një tentim vjedhje të shtëpive shqiptare, ky akt kriminal kishte mundur shumë lehtë të shndërrohet në konflikt me pasoja të paparashikueshme.

Pat pozicioni i politikës së Prishtinës, por edhe hezitimi i Bashkësisë ndërkombëtar, që në radhë të parë të heqin barrikadat serbe, sepse janë përgjegjëse për lirinë e lëvizjes për të gjithë, por edhe shtrirja e autoritetit të Kosovës, tani për tani po shfaqen si faktorë që kanë pësuar disfatë kundër bandave të ndryshme serbe në atë rajon.

Padyshim, kësaj gjendjeje të “ngrirë” i ka kontribuar edhe politika jounike, e paqartë dhe jokonsekuente e BE-së ndaj Kosovës, e cila po tregon paaftësinë në menaxhimin e kësaj krize. Edhe pse BE-ja në Kosovë ka EULEX-in, i cili do të duhej të ishte më efikas, sidomos në shtrirjen e rendit dhe ligjit, mirëpo deri më tani këtë punë nuk e ka kryer si duhet.

Mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së është bërë një alibi e mirë që në radhë të parë Beogradi të jetë destruktiv karshi Kosovës, por edhe një mbështetje për bandat serbe në Kosovë që të krijojnë kriza të herëpashershme. Për këtë gabim të BE-së, tani për tani faturat janë duke i paguar qytetarët e Kosovës, por edhe vetë BE-ja.

Tashmë, kur kemi dialogun e obligueshëm në mes Prishtinës dhe Beogradit, edhe pse kishim disa marrëveshje të arritura, por të cilat nuk zbatohen nga kjo e fundit, atëherë çfarë kuptimi ka ky dialog dhe këto marrëveshje. Kjo dëshmon edhe njëherë se me Beogradin është shumë vështirë të zbatohet ndonjë marrëveshje e qëndrueshme dhe afatgjate. Politika e Beogradit, ende nuk po mund të shkëputet nga synimet e saj hegjemoniste.

Me që, politika në Beograd synim parësor në Kosovë ka “grabitjen e territorit”, përkatësisht pjesën veriore të saj, atëherë Prishtina duhet të bëjë të qartë Beogradit, por edhe Bashkësisë ndërkombëtare se kjo gjë për asnjë çmim nuk do të tolerohet.

Politika e Prishtinës, për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, si mundësi racionale dhe reale do të mund të lëshonte pe në ripërcaktimin e kufijve në formë reciproke me Beogradin, aq sa Beogradi do të lëshonte pe në Luginën e Preshevës të merrte territor në veriun e saj. Kjo marrëveshje do të mund të arrihet vetëm pas njohjes së shtetësisë së Kosovës dhe më pastaj do të ketë një traktat shqiptaro-serb. Edhe pse tani për tani, Bashkësia ndërkombëtare është kundër këtij opsioni, por me një marrëveshje të ndërsjellë në mes Prishtinës dhe Beogradit kjo do të mund të arrihet dhe kjo pa dyshim se do të ndikonte shumë në shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe do të mbyllet një kapitull shumë i errët e marrëdhënieve të këtyre dy popujve.

Në mbështetje të këtij opsioni janë shtuar mjaftë zëra, si në Kosovë, Shqipëri, por edhe në politikën ndërkombëtare. Kjo ide ka mbështetjen e ish-koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek, ku ai deklaron se ndarja e Kosovës dhe Serbisë do të ishte zgjidhja më racionale. Kohë më parë z.Busek kishte qëndruar në Beograd dhe në një rast iu kishte mbajtur fjalim deputetëve në Parlamentin serb. Kjo vizitë e tij nuk është e rastësishme dhe kjo tregon se zgjidhja e kontestit në mes Kosovës dhe Serbisë është duke shkuar në këtë drejtim.

I këtij opsioni është edhe kongresistit amerikan nga Kalifornia, Dana Rohrbacher, i cili për vite të tëra ka mbështetur qëndrimet shqiptare në Kosovë. Sipas tij, ripërcaktimi i kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të shpenzimeve të mëdha që jepen për trupat ndërkombëtare dhe ndërmjetësimet politike, si dhe për shkak të mundësisë së shtrirjes së konflikteve nga Kosova në vendet tjera. Ai është i prerë se shkëmbimi i pjesës veriore të Kosovës me Luginën e Preshevës do të ishte zgjidhja më e mirë.

Edhe Qeveria gjermane, si promotor kryesor i BE-së edhe pse është kundër ndryshimit të kufijve, por qëndrimi mund të ndryshojë në qoftë se palët bien dakord, kishte deklaruar, kohë më parë Dushan Reliç nga Instituti për Shkencë dhe Politikë në Berlin. Kjo nënkupton se edhe BE-ja ngadalë po e kupton formulën e zgjidhjes së duhur në mënyrë që ky rajon përfundimisht të shndërrohet në një rajon të qetë e stabil dhe me një perspektivë më të mirë, si për shqiptarët, por edhe për popujt tjerë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch