Home » Lajme, Politikë » OSMANI KUNDËR THAÇIT: PO E PËRÇAN SPEKTRIN POLITIK

OSMANI KUNDËR THAÇIT: PO E PËRÇAN SPEKTRIN POLITIK

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklarohet kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rreth procesit të dialogut me Serbinë. Ajo thotë se kreu i shtetit nuk po e luan rolin unifikues të spektrit politik, pasi në konferencat e tij të shpeshta, po akuzon opozitën për mosunifikim.

Osmani që është edhe kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se ndarjen e Kosovës nuk e pranojnë as vendet e BE-së e as SHBA-të, sepse kjo do të kishte më pas efekt domino, sidomos për Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës dhe deputetja Vjosa Osmani, ka kundërshtuar idenë e president Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë. Ajo tha se ndarjen e Kosovës nuk e pranojnë as vendet e BE-së e as SHBA-të, sepse krijon efekte domino në vendet e Ballkanit.

“Presidenti pikërisht këtë e ka bërë gjatë tërë karrierës së tij politike, ka krijuar përçarje në spektrin politik të Kosovës. Rrjedhimisht edhe tani si president kur e ka kompetencë kushtetuese unifikimin qytetarë dhe të spektrit politik, ai po e bënë të kundërtën, me akuza të pabaza, metë pavërtetat që po i thotë qoftë lidhur me partitë opozitare, por mbi të gjitha për procesin e dialogut Kosovë-Serbi”, tha Osmani.

Për temat që pritet të bisedohen në Bruksel, sipas saj, presidenti duhet të jetë i sinqertë me qytetarët e vendit dhe të tregojë cilat kanë qenë temat që i ka biseduar me homologun e tij serb, në takimet që ka zhvilluar herë fshehtas e herë haptas.

“Në fakt në takime të shumta me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar neve na është treguar që Vuqiç e ka paraqitur në tavolinë idenë e rivijëzimit të kufijve, pra të ndryshimit të kufijve. Megjithatë presidenti nuk ka treguar hapur se cila ka qenë përgjigja e tij në raport me idetë e tilla….”, theksoi ajo.

Osmani deklarohet kundër pyetjes së presidentit Thaçi për qytetarët, nëse janë pro bashkimit të Luginës me Kosovën. Sipas saj, dihet fare qartë mendimi i tyre për këtë gjë dhe se askush nuk do të kundërshtonte. Por ajo tha se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan.

“E para, ka të bëjë me faktin se ndryshimi i kufijve në Ballkan assesi nuk do të përfundoj vetëm me Kosovën dhe Serbinë, nëse dikush e tenton ta bëjë. Ju tashmë keni parë deklaratat e shteteve tjera në rajon dhe e dimë që kjo do të kishte efekt domino edhe për shtetet e tjera në veçanti për Maqedoninë edhe Bosnjën. Mos të flasim edhe për shtete të tjera të rajonit dhe kjo mund të shkoj përtej Ballkanit. Pra ndarja në vija etnike, rivijëzimi në vija etnike asnjëherë nuk ka qenë zgjidhje e duhur për Ballkanin dhe fatkeqësisht nuk do të mund të arrihet paqësisht. Sa i përket çështjes së dytë, që mund të lidhen me një lloj autonomie apo me kompetenca ekzekutive për Asociacionin që de fakto do të nënkuptonin autonom, për secilin duhet të jetë e qartë që kjo zgjidhje është një ndarje e vonuar, pra nuk është se e parandalon ndarjen, thjeshtë e vonon”, tha deputetja Osmani.

Ajo këmbëngul se ndarjen e Kosovës nga e cila do të humbej veriu, nuk do të duhej ta përkrahte asnjë nga politikanët në Kosovë.

“Unë besoj që secili që dëshiron ta gjejë përgjigjen e qartë të SHBA-ve rreth kësaj teme mjafton ta lexoj deklaratën e departamentit të shtetit, ku kërkon zgjidhje të qëndrueshme dhe zgjidhje të implementueshme. Dhe deri tani edhe diplomatët amerikan e kanë bërë të qartë se ndryshimi i kufijve nuk mund të jetë zgjidhje e qëndrueshme dhe po ashtu zgjidhje që përfundon me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ajo.

Ndërsa, duke folur për qëndrimin e LDK-së, rreth dialogut, deputetja Osmani tha se nuk do të ndryshojnë qëndrim kundër, sepse as kjo qeveri e as presidenti Thaçi nuk kanë legjitimitet për këtë proces.

“Unë dua t’iu informoj se ky qëndrim është marrë unanimisht në grup parlamentar është votuar, nuk ka pasur asnjë votë kundër, është qëndrim që është marrë edhe në kryesi dhe nuk ka asnjë arsye që ky qëndrim të ndryshoj. Ne kemi po thuajse takime të përditshme me përfaqësues ndërkombëtarë, vizita jashtë vendit ku në kryeqytet kryesore diskutojmë për këtë temë. Natyrisht që dëshira e tyre është që të ketë unifikim të spektrit politik për këtë temë, kjo është dëshirë edhe e jona, por rrethanat aktuale po e parandalojnë unifikimin e spektrit politik”, u shpreh Osmani.

Osmani thotë se Kuvendi nuk mund të nxjerrë platformë për dialogun, sepse kjo i takon Qeverisë dhe jo legjislativit.

/RTK/

Shto koment

Duheni të Logoheni për të komentuar.

© 2018 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch