Home » Kulturë » PANAIRI I 14-TË I LIBRIT, “TIRANA-2011”

PANAIRI I 14-TË I LIBRIT, “TIRANA-2011”

-Fotoreportazh-

Nga: Murat Gecaj

Publicist-Tiranë

1.

 

Në pasditën e datës 9 nëntor 2011, në kryeqytet u çel Panairi i 14-të vjetor i Librit, “Tirana-2011”, i cili do të vijojë deri më datën 13 të këtij muaji. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë shkrimtarë e poetë dhe studiues të fushave të shkencës, kulturës e artit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, nga media e shkruar dhe ajo elektronike etj. Gjithashtu, ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi; ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve të Republikës së Shqipërisë, Aldo Bumçi; deputetja shqiptare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Ermira Mehmetaj etj.

 

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Tiranë,  Lulëzim Basha, i cili i përshëndeti të pranishmit dhe përfaqësuesit e 90 shtëpive botuese, pjesëmarrës në këtë veprimtari të rëndësishme kulturore. Ai tha se për qytetin e Tiranës kjo është stolia më e bukur. Do përballemi gjatë javëve dhe muajve me sfida, por nuk mund ta imagjinojmë jetën pa librin. Tirana do jetë qendër e rëndësishme rajonale në shuma fusha dhe fakti që është Panairi dhe një takim rajonal i librit, i jep dimensionin e dijes, si dhe të rrezatimit të saj.

 

Pastaj të pranishmit vizituan mjediset e Panairit, i cili ishte zbukuruar si asnjëherë dhe stolinë ia shtonin atij vizitorët e shumtë dhe qindra e mijëra botime, shumica e të cilëve janë publikuar gjatë vitit në vazhdim.

2.

 

Bashkë me kolegun e mikun tim Agim Ibrahimi, sot paradite e vizituam këtë Panair. Që në pamjen e jashtme, ai të tërhiqte me numrin e madh të vizitorëve, ndër të cilët kishte mjaft nxënës e studentë, mësues e pedagogë. Sistemimi i librave nëpër stenda, nga shtëpi të shumta botuese, jo vetëm nga Shqipëria, por  edhe nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi,  të krijonte një ndjenjë të bukur, pasi çdo gjë hijeshonte. Vërenim se mjaft lexues merrnin fletë-palosje ose albume, blenin librat e tyre më të pëlqyer, si nga letërsia, shkenca, publicistika e tjerë. Ndër stendat e Panairit, pamë me kenaqësi edhe ato të shtëpive botuese “Dituria”, “Erik”,“Pegi“, “AIITC“,”Ideart”, “Albas”, “Libri Shkollor” (Kosovë) etj.

Siç është bërë e zakonshme, në mjediset e Panairit ka patur e ka disa përurime librash të rinj. Ne u ndodhëm në një përurim të SHB “Toena”, ku shkrimtari e publicisti Skënder Hasko paraqiti librin e tij jetëshkrimor “Udhëtim nëpër vitet e jetës sime“. Fjalën e hapjes e mbajti Irena Toçi dhe pastaj folën me radhë, shkrimtarët Bardhyl Xhama, Pandeli Koçi e Gjikë Kurtiqi. Ndërsa poetja e publicistja Iliriana Sulkuqi, aktualisht banuese në SHBA, i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta. Në gëzimin e këtij shkrimtari ishin të pranishëm edhe aktorja e shquar Roza Anagnosti, piktorja Flutura Açka, shkrimtarja Vojsava Nelo, shkrimtari nga Prishtina Xhevat Syla, publicisti Sejdo Harka, ing. Sokol Meshi dhe mjaft të tjerë.

 

Një përurim libri sot kishte edhe shkrimtari i letërsisë për fëmijë, Shkëlzen Zalli. Shtëpitë botuese kanë organizuar ose paralajmëruar për përurime të tjera të librave të rinj, që janë paraqitur në këtë panair, ndër të cilët janë dhe nga shkrimtarët M.Zeqo, Gj.Kurtiqi, S.Mato, I.D.Hoxha etj.

 

U larguam nga mjediset e Pallatit të Kongreseve, ku është hapur dhe vijon ky Panair, me ndjenja të bukura e kënaqësi, sidomos për vizitorët më të dëshiruar të tij, që ishin fëmijët e moshave të ndryshme, të cilët sikur e kishin “pushtuar” cep më cep Panairin.

 

Me këtë rast, nga zemra na del urimi i bardhë për të gjithë krijuesit shqiptarë, por dhe me shpresën e besimin se libri do ta gjejë veten, përherë e më shumë, nëpër familjet tona, në shkolla e institucione, në gjithë jetën dhe veprimtaritë tona të përditëshme. Se libri është stolia më e bukur e jetës, pasi ai na bën më të ditur dhe më të aftë për ta përballuar denjësisht çdo sfidë të saj.

 

(Fotot nga: M.Gecaj)

 

Tiranë, 11 nëntor 2011

 

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch