Home » Lajme » PANAIRI I GJASHTË I BUJQËSISË DHE POTENCIALEVE INVESTIVE NË BUJANOC

PANAIRI I GJASHTË I BUJQËSISË DHE POTENCIALEVE INVESTIVE NË BUJANOC

Komuna e Bujanocit edhe këtë vit organizon aktivitetin e saj tradicional Panairin e bujqësisë dhe potencialeve investive në datat 27-29 maj 2013, në Qendrën sportive “Rinia” në Bujanoc. Grupi punues i emnuar nga kryetari i komunës Dr.Nagip Arifi, i përbërë nga Zyra për zhvillim ekonomik lokal, Agjencioni për zhvillim të Preshevës dhe Bujanocit, Qendra sportive, Radio – televizioni i Bujanocit, Shtëpia e kulturës, Drejtorati për ndërtim, NP Komunalia etj. në koordinim të përbashkët të aktiviteteve, tashmë i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e aktivitetit të panairit. Për dallim nga vitet e kaluara, panairi i sivjetëm është begatuar me disa risi, si për nga karakteri poashtu edhe për nga përbërja.

Viteve të mëparshëm theks të veçantë i është dhënë bujqësisë, duke lënë anash veprimtaritë tjera. Kompanitë lokale përmes veprimtarive të ndryshme po e dëshmojnë suksesin e tyre me prodhimet kualitative, të cilat jo vetëm që po e furnizojnë tregun lokal, por këto kompani po arrijnë t’ia dalin mbarë edhe në tegjet rajonale dhe ndërkombëtare. Pas një analize me kujdes të klimës ekonomike dhe faktorëve tjerë zhvillimor, grupi punues nga institucionet e lartëpërmendura arriti në përfundim që panairi duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke ofruar të gjitha potencialet investive në panairin e Bujanocit.

Përveç kompanive ekspozuese, në panair do të marrin pjesë edhe Odat ekonomike të Serbisë dhe shteteve fqinje si Kosova, Maqedonia Veri-Perëndimore dhe Dhoma e tegëtisë dhe industrisë së Shqipërisë, si dhe përfaqësuesit e ambasadave të akredituara në Beograd, institucioneve shtetërore, organizatave donatore etj. Kjo pjesëmarrje kaq e gjerë institucionale, vie si rezultat i vendosjes së bashkpunimit institucional mes komunës së Bujanocit dhe Odave ekonomike të regjionit. Panairi është veprim konkret për vënien në jetë të marrëveshjeve të bashkëpunimit, përmes të cilit përveç ekspozimit të prodhimeve të tyre, kompanive lokale nga Bujanoci dhe më gjerë, do t’u mundësohet edhe vendosja e kontakteve afariste me kompanitë e regjionit.

Gjatë ditëve të panairit do të mbahen njëzetë ligjerata me tema të ndryshme nga shërbimi i bujqësisë pranë komunës së Bujanocit dhe trajnues të tjerë nga regjioni.

Pjesëmarrja e kompanive në panair por dhe për vizitorët do të jetë falas, pasi organizatorët e panairit i kanë siguruar të gjitha mjetet e nevojshme financiare, si dhe infrastrukturën përcjellëse të nevojshme për realizimin me sukses të panairit. Donator kryesor është Agjencioni për zhvillim i Austrisë ADA, përmes Qendrës për zhvillim të Rrethit të Jabllanicës dhe Pçinjës me seli në Leskoc.

Komuna e Bujanocit i fton të gjithë përfaqësuesit e kompanive lokale, bizneset, afaristët, qytetarët e komunës së Bujanocit dhe më gjerë që të vizitojnë panairin, pasi ky panair ofron ofertë të pasur të veprimtarive dhe artikujve të tjerë që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse në panair. Panairi do të zgjasë tre ditë, kurse hapja solemne do të bëhet ditën e hënë më 27 maj 2013 me fillim në ora 11:00.

Mirë se vini në Bujanoc!

One Response

  1. “I falimenderona kryetari të komunës për mikpritjen e tij dhe ministrit Uglanin pasi që këtu jemi së bashku, të ndihmojmë që edhe në këtë fond të ketë një zhvillim të mirë dhe të pa shmangshëm dhe të gjithë ata të rinj të kenë shanse si gjithë të tjerët që jetojnë në vende të ndryshme të Serbisë” ka thënë sekretari shtetëror për Rini, Sport dhe Kulturë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch