Home » Lajme, Ndërkombëtare » Parlamenti Evropian kërkon heqjen e vizave për kosovarët

Parlamenti Evropian kërkon heqjen e vizave për kosovarët

PE EvropianParlamenti Evropian ka miratuar një Rezolutë për Kosovën me të cilën kërkon heqjen e vizave për kosovarët dhe njohjen e Kosovës nga shtetet e BE-së

 

Parlamenti Evropian ka miratuar Rezolutën e radhës për Kosovën, me të cilën vlerësohet progresi i institucioneve të Kosovës në fushën e liberalizimit të vizave. Rezoluta po ashtu përmban kërkesa të qarta për përforcimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku e vlerësoi lartë këtë rezolutë, e cila sipas tij, vlerëson pozitivisht progresin e Prishtinës në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në proces, që të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.

“Unë shpreh mirënjohjen time të lartë për Parlamentin Evropian i cili e ka shprehur qartë edhe një herë gatishmërinë e vet për të dhënë pëlqimin e vet ndaj propozimit eventual nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ka ftuar Komisionin Evropian që të bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për më tepër, e çmoj shumë rëndësinë që ky institucion i jep nevojës për intensifikimin e kontakteve ndër-njerëzore ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të shteteve të BE-në”, thotë Çollaku.

Parlamenti Evropian, sipas tij, i ka dhënë vëmendje meritore nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-së) si një hap i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës dhe mekanizëm i fuqishëm në zbatimin reformave.

“Gjithashtu, edhe kësaj radhe përmes kësaj Rezolute është dhënë porosi e qartë për njohjen Republikës së Kosovës nga ana e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe do të ngritë kredibilitetin e BE-së”, deklaroi Çollaku.

Ndërsa, Ulrike Lunacek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë pas votimit, se PE-ja i ka dhënë një mesazh të fuqishëm Kosovës në perspektivën e saj evropiane, i cili pason ratifikimin që iu bë muajin e kaluar Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, të arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Vazhdimësia e kësaj dinamike në këtë drejtim është jetësore për shtetin e pavarur të Kosovës që të ketë përparime të mëtejme, përmes reformave në sundimin e ligjit dhe në rrafshin ekonomik”, citohet të ketë thënë Lunacek.

Në të thuhet gjithashtu se ligjvënësit e PE-së kërkojnë që Kosova ta zgjidhë krizën vendore politike, duke iu kthyer dialogut konstruktiv dhe në mënyrë jo të dhunshme.

“Ligjvënësit e PE-së i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të kompletojë njohjen zyrtare të Kosovës dhe kanë ftuar pesë vendet anëtare, të cilat ende refuzojnë ta njohin Kosovën, të heqin dorë nga bllokada e tyre. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë – në fushat siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – është dobësuar thelbësisht nga mungesa e unitetit në këtë bllok, e cila pengon pjesëmarrjen e Kosovës në institucione të rëndësishme, siç është Europoli dhe Interpoli”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PE.

Parlamenti Evropian po ashtu ka miratuar sot Rezolutën për Serbinë, në të cilën, përveç tjerash, thuhet se përparimi i normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës dhe zbatimi me kohë i marrëveshjeve të arritura, është njëri nga kushtet për hyrjen e saj në BE.

Raportohet se Rezoluta për Serbinë është miratuar me 498 vota për, 66 kundër dhe 70 abstenime.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch