Home » Opinione » “PATRIOTIZMI” TEK SHQIPTARËT DHE RRUDHJA E TROJEVE TË TYRE

“PATRIOTIZMI” TEK SHQIPTARËT DHE RRUDHJA E TROJEVE TË TYRE

Shkruan: Nehat Hyseni

Anembanë Shqiptarisë, dmth. viseve ku jetojnë shqiptarët sot, në trojet e tyre stërgjyshore në Ballkan, që përfshinë Shqipërinë aktuale (Londineze të 1913-tës), Republikën e Kosovës,Maqedoninë Perëndimore, Luginën e Preshevës apo Kosovën Lindore, si dhe shqiptarët e Malit të Zi, në çdo skutë e në çdo eveniment apo aheng, qoftë familjarë apo zyrtarë, dëgjohen fjalë me bollëk për patriotizëm.

Shikuar për nga shpeshtësia e deklarimit kudo të shqiptarëve “për atdhe e vatan”, zor se del edhe një komb tjetër në Ballkan, ku edhe ashtu “patriotizmi” paraqitet kudo si kryefjalë, megjithatë, kam bindjen se zor se mund të na kaloj ndokush në këtë drejtim. Ose, së paku,mund të mburremi me plotë gojën  dhe të krenohemi se jemi ndër të parët në këtë drejtim. Ky fakt, nuk mund ta mëshefim bindjen, se na bënë krenarë. Dhe kjo gjë është e mirë, meqë na bënë të ndiejmë kënaqësi dhe satisfakcion shpirtërorë.

Megjithatë, edhepse kemi patriotizëm (deklarativ) sot me bollëk anembanë Shqiptarisë, territoret tona gjithënjë gjatë historisë na janë tkurrur, rudhur e shkëputur, duke e gjymtuar dhe zvogëluar vazhdimisht hapsirën tonë jetësore, politike, kulturore e shpirtërore, duke i lëshuar vazhdimisht trojet tona më të mira dhe më pjellore për llogari të fqinjëve tanë, të cilët kanë qenë gjithëmonë të uritur për territore, e sidomos për hapsirën jetësore të shqiptarëve.

Duke filluar nga shek.VII, kur fiset barbare të sllavëve të ardhur nga kreshtat e egra dhe të varfëra të Karpateve, i dëbuan të parët tanë Ilirët nga tokat e tyre pjellore afër lumejve, nga të cilët ujiteshin bereqetet që siguronin redimente relativisht të larta dhe begati e mirëqenie për vendasit (ilirë). Egërsia sllave dhe aftësia e tyre për të organizuar dhe zhvilluar luftë të ashpër dhe efikase i detyroi të parët tanë që t’i lëshojnë viset e përmendura pjellore, të cilat nuk mundën t’i mbrojnë, dhe të shpërnguleshin në viset e pabanuara dhe të varfëra kodrinore e malore, të cilat ishin më të qeta dhe ku mund të mbroheshion më lehtë nga armiqtë lakmiqarë.

Prandaj, edhe tiparet e popullatës shqiptare, me ndryshimin e ambientit të tyre jetësorë, filluan të ndryshojnë, duke e bërë atë më të vrazhdë, ashtu si edhe territori i egër ku u detyruan të vendosen. Pra, begatia dhe mirëqenia e shqiptarve dalëngadalë u zhdukë dhe u tretë, duke ia lëshuar vendin varfërisë dhe skamjes gjithënjë e më të madhe, që e impononte territori i varfër kodrinor-malorë dhe vendbanimet e reja të tyre të vendosura aty.

Por, gabohemi nëse mendojmë se apetitet grabitqare ndaj trojeve shqiptare të fiseve barbare, pushuan dhe i lanë të qetë ata për të jetuar e punuar në qetësi e paqë. Përkundrazi, shqiptarët vazhdimisht sulmoheshin dhe ishin të rrezikuar në mënyrë të përherëshme, duke i detyruar  që të organizonin mbrojtjen e trojeve dhe jetëve të tyre. Megjithatë me keqardhje mund të konstatojmë se në konfliktet e ndryshme luftarake, shqiptarët edhepse tregonin heroizma të papara individuale, për të cilat u krijuan edhe këngë epike mbi sakrificat dhe trimëritë e tyre, ata  treguan aftësi më të vogla për organizim të luftërave të përgjithëshme që nga koha pas vdekjes së  Skënderbeut e këtej.

Rrezistenca e Skënderbeut ishte koha më heroike në historinë e shqiptarëve. Atëherë shqiptarët treguan aftësi të jashtëzakonëshme luftarake në luftë për mbrojtjen e territoreve dhe pronave të tyre, duke realizuar heroizma dhe suksese të mëdha, me përmasa të paimagjinueshme për Ballkanin dhe Europën e atëherëshme, duke luftuar kundër ushtrive shumëfishë më të mëdha dhe më të pajisura të turqëve. Por, mjerisht, edhepse ata rrezistuan më tepër se një çerek shekulli, duke penguar kështu depërtimin e  ushtrisë turke për ta pushtuar Europën, megjithatë, pas vdekjes së Skënderbeut , shqiptarët u thyen keq dhe u detyruan që në përmasa të mëdha të shpërngulen dhe t’i lëshojnë trojet e tyre, duke marrë arratinë në drejtim të Italisë Jugore ose Kalabrisë së sotme, Sicilisë etj., pastaj një pjesë e tyre mbeti në Zarë dhe rethinë. Kurse, pati grupe të mëdha që u shpërngulën në drejtim të Bullgarisë, Rumanisë e Rusisë, si dhe gjithandej në Lindjen e Afërtë.

Pra, në fund të atyre luftërave “heroike”, shqiptarët si humbës, u detyruan t’i lëshojnë trojet e veta.Ndërkaq, disa shekuj pas pushtimit turk nuk pati më luftëra të përmasave të gjëra, me përjashtim të konflikteve dhe luftërave lokale që zhvilloheshin në treva të ndryshme për arsyen më të shpeshtë për kundërshtimin e pagesës së taksave dhe haraçit që impononte regjimi Osman, apo edhe për ndonjë arsye apo padrejtësi tjetër. Por, luftëra me përmasa të gjera gjithëkombëtare nuk u zhvilluan asnjëherë më, bile edhe deri në ditët e sotme. Natyrisht, duke përfshirë edhe Luftën e Dytë Botërore, gjatë të cilës u shkëputë Çamëria nga trualli kombëtarë dhe u masakruan e u dëbuan shqiptarët myslimanë.

Andaj, duke u nisur nga fakti se patriotizmi gjithënjë ka për qëllim dhe motiv ruajtjen e truallit dhe vendit, pra atdheut, na del se, në pamundësi të tyre për të organizuar luftëra gjithëkombëtare, edhe patriotizmi i shqiptarve ishte dhe mbeti  më tepër parcial, krahinorë dhe lokalë, se sa gjtihëpërfshirës, dmth. gjithëkombëtarë.

Por, në deceniet e fundit, sidomos pas rënies së sistemit socialist tek ne dhe diktaturës komuniste në vitet 90-ta në Shqipëri, me vendosjen e pluralizmit politik, sikur u “çlirua” nacionalizmi shqiptarë nga prangat e regjimit. Por, megjithatë, ky inflacion i “patriotizmit” shqiptarë, asnjëherë nuk i tejkaloi caqet folklorike dhe deklarative, duke mos mundur që edhe në ditët e sotme ta ndërprejë rudhjen dhe copëzimin e territorit dhe tokave të tyre stërgjyshore në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë. Gjithashtu është robëruar edhe 1/5  e territorit të Republikës së Kosovës, duke mos pushuar së kërcnuari se do t’i bashkangjitet Serbisë, ose, në rastin më të mirë, do të krijoj Serbinë brenda Kosovës, me krijimin e të ashtuquajturës Bashkësi të komunave serbe në Kosovë.

Ndërkaq, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë duke përjetuar degradimin gradual dhe zhdukjen e dalëngadalëshme të qenies kombëtare shqiptare, duke shënuar përmasa biblike të shpërnguljes dhe boshatisjes së kësaj pjese të gjeografisë shqiptare.

Kurse, për liderët politik të Luginës së Preshevës, ose së paku për një pjesë të tyre, që aktualisht janë duke qeverisur me pushtetin lokal, kemi një parajsë të pasurimit të shfrenuar nga politika dhe keqmenaxhimi e zhvatja e buxheteve komunale, duke ia ndihmuar dhe lehtësuar  kështu Serbisë spastrimin etnikë të këtyre trojeve nga shqiptarët.

Qenia shqiptare në komunat e Serbisë të banuara me shqiptarë: Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën, ose në Luginë të Preshevës, apo në Kosovën Lindore, është duke u tretur për çdo ditë e më tepër, sikur kripa në ujë. Poqese nuk reagohet sa nuk është bërë tepër vonë, këto troje do të shkëputen në pakthim nga trungu gjithëshqiptarë, duke shkaktuar rudhjen e radhës të trojeve etnike shqiptare.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch