Home » Lajme, Rajonale » PDIU proteston ashpër kundër vendimit të fundit të Gjykatës së Serbisë për dënimin e ish luftëtarëve të Luginës së Preshevës

PDIU proteston ashpër kundër vendimit të fundit të Gjykatës së Serbisë për dënimin e ish luftëtarëve të Luginës së Preshevës

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet që vepron në Shqipëri, ka shpreh indinjatën e thellë dhe proteston ashpër kundër vendimit të fundit të Gjykatës Supreme të Republikës së Serbisë për dënimin e ish luftëtarëve të Luginës së Preshevës me 116 vite burg. “Procesi ndaj tyre që në fillim ka qenë një proces i montuar, i mbushur me parregullsi flagrante që kanë detyruar vetë gjykatën serbe të apelit ta rikthejë në gjykim. Duket qartë që ky dënim vjen si pasojë e ndryshimit të pushtetit qendror në Serbi dhe ardhjen në krye të këtij shteti të ish-zëvendësit dhe ish zëdhënësit të Miloshevicit. Ky gjyhkim bën pjesë në përpjekjet e tjera të shumta të shtetit serb për të nxjerrë se shqiptarët janë të barabartë me serbët për sa i përket luftës duke dashur që të fshijnë dallimin mes xhelatit dhe viktimës”, thuhet në reagim, transmeton INA. PDIU konsideron se procesi për të ashtuquajturin grup i Gjilanit është një përpjekje e pushtetit qendror serb për të mbajtur shqiptarët e Luginës së Preshevës nën terror duke penguar kthimin dhe nxitur vazhdimin e largimit të shqiptarëve prej aty. “Ky gjyq politik gjithashtu synon që ta mbajë rajonin në tension dhe të largojë vëmendjen e popullit serb prej gjendjes së rëndë ekonomike duke nxitur rikthimin e retorikës së nacionalizmit ekstrem. PDIU solidarizohet me familjarët e të burgosurve politik dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve shqiptarë që të bëjnë presion ndaj Beogradit për të hequr dorë nga politikat e vjetra anti-shqiptare”, thuhet në fund të reagimit./A.B/

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch