Home » Opinione » Për Çfarë Thërret Kryeministri?

Për Çfarë Thërret Kryeministri?

nga  Muhamet Hajrullahu

Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se “është dashur të mbrohet lapidari” i Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) i ngjan më shumë një reagimi të ndonjë anëtari lëvizjesh shoqërore nacionaliste, ose ndonjë akademiku kryeneç të kësaj natyre, sesa një lideri shtetëror që sot bisedon për përmbylljen e konflikteve në Ballkan.

 

 

Gjendja e krijuar pas 20 janarit, datës kur u largua nga autoritetet serbe lapidari në nderim të të rënëve të UÇPMB-së i vendosur përballë ndërtesës së Komunës së Preshevës, që çoi në veprimet hakmarrëse duke demoluar objektet e trashëgimisë serbe në Kosovë, është dashur të parandalohej.

Para se të ngrihej në nëntor 2012, lapidari është dashur të kalojë nëpër procedurat e rregullta ligjore e në instanca të Asamblesë Komunale. Presheva nuk kishte të drejtë, sipas përgjegjësive aktuale me ligjin serb, që të vendoste këtë objekt që nderon ish-anëtarët e rezistencës së armatosur nga ana shqiptare. Objekti, përkundrazi, është vendosur “alla- shqiptarçe” për të plotësuar nevoja të marketingut pseudo-patriotik, të atypëratyshëm. Po ashtu, pa u konsultuar me të gjitha subjektet politike dhe shoqërinë civile.

Është krejt në rregull të synohet të bëhen punë për një komunitet dhe të drejtohen kërkesat e tij, por ato duhet shikuar me kujdes që të mos kthehen në lëvizje të ngutshme, që kanë pasoja negative për shumëkë dhe të rrezikojnë çfarëdo marrëdhëniesh të vendosura këto vite ndërmjet etnive në këtë rajon. Shqiptarët e jugut të Serbisë nuk do të fitojnë asgjë prej këtij tensionimi që vetëm sa mund të inkurajojë, në rastin më të keq, vazhdimin e “emigrimit” të tyre në Kosovë, pasi jetesa e tyre atje edhe ashtu nuk inkurajohet sa duhet, as me ekonomi dhe as me arsim.

Përveç me faktorin e brendshëm, liderët e shqiptarëve në Preshevë është dashur të këshillohen edhe me liderët në Prishtinë dhe Tiranë. Është dashur të pyesin: çka fitohet dhe çka humbin?

Por, nëse ata bënë gabim që u ngutën pa i llogaritur pasojat, nëse Qeveria serbe nuk ndihmoi gjendjen në bazë të përgjegjësisë që i takon por e ekzagjeroi atë me veprimet e saj, një segment mbeti pa u trajtuar në masën e duhur. Kjo ka të bëjë me sjelljen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili kishte pritur në një takim më 15 janar liderët e atjeshëm shqiptarë, pak para se të takohej me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, më 17 janar në Bruksel – kur çështja e lapidarit veç ishte ngritur.

Në një intervistë për gazetën Express, të datës 23 janar, Thaçi deklaroi se i kishte udhëzuar liderët shqiptarë që “nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare të arrijnë një zgjidhje racionale dhe të pranueshme për çështjen e monumentit”. Por, thoshte ai, pas ngjarjeve të 20 janarit, “qoftë edhe një qytetar i vetëm, e lerë më liderët politikë të Luginës së Preshevës nuk u shfaqën te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë”.

“Ky fakt për mua, dhe besoj edhe për shumë qytetarë shqiptarë kudo lë një kujtesë të hidhur dhe të dhimbshme”, thoshte Thaçi. “Nuk duhet të lejohet që të bëhet shaka me monumente që përkujtojnë dëshmorët e kombit tonë. Në momentin kur është marrë vendimi që të ngrihet ky monument memorial, po në atë moment është dashur të merret vendimi edhe për të mbrojtur atë”.

Kryeministri duhet të sqarojë se çfarë më saktësisht i ka këshilluar liderët shqiptarë.

Deklarata e kryeministrit Thaçi, se “monumenti është dashur të mbrohet” i ngjan më shumë një reagimi të ndonjë anëtari lëvizjesh shoqërore nacionaliste, ose ndonjë akademiku kryeneç të kësaj natyre, sesa një lideri shtetëror. Si mundet me kaq lehtësi kryeministri të bëjë thirrje për rezistencë, eventualisht për humbje jetësh të shqiptarëve, 12 vjet që kur konfliktet e armatosura në rajon kanë marrë fund dhe kur ai shkon kaq shpesh në Bruksel për të diskutuar paqen?

Kryeministri Thaçi mund t’i këshillojë, por jo edhe t’iu diktojë liderëve shqiptarë në jug të Serbisë se çfarë duhet bërë. Ata janë të zgjedhur me vota të lira të popullit, ata e dinë gjendjen në rajon dhe ata jetojnë vetë aty. Thaçi nuk mund t’ua përcaktojë atyre zgjedhjet politike që i bëjnë dhe as t’i përfshijë ata me lehtësi në planet e veta negociuese me Daçiqin, tash kur flet për veriun e Kosovës. Ai duhet të japë përgjigje për zhvillimet në lidhje me veriun, dhe jo të përdorë gjendjen në jugun e Serbisë për të kamufluar pafuqinë kosovare në veri të Kosovës.

Në këto bisedime, Thaçi ka pozitë të dobësuar negociuese edhe shkaku i mungesës së ndonjë ndikimi relevant në veri, edhe në përgjithësi shkaku i kualitetit të dobët të qeverisjes së tij me vendin. Thaçi është lideri i partisë në pushtet që ka një-ish kryetar komune në arrati nga dënimi me burgim – Xhabir Zharkun. Një tjetër që vazhdon të refuzojë të shkojë në burg – Bajrush Xhemajlin, duke u thirrur në shëndetin e tij; ministra që përballen me skandale ndërkombëtare sikur në rastin e prodhimit të pasaportave biometrike etj.

Mbi të gjitha, ai ka një qeveri të dobët për nga numrat në parlament dhe për nga legjitimiteti popullor, sepse, përveç që është zgjedhur me shumë vota të vjedhura, ka ngritur dallimet mes të pasurve dhe të varfërve dhe nuk ka përmirësuar shanset e këtyre të fundit për të gjetur vende pune.

Prandaj, përpara se t’i tregojë dikujt tjetër se duhet të bëjë luftë, Thaçi ka mjaft punë e kokëçarje në “shtëpi”, duke nisur nga parandalimi i hakmarrjes.

Mbi të gjitha, gjithnjë e më shumë, jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin, qytetarët janë vetëdijesuar se ku po përfundon mobilizimi në luftëra – shpesh në koncentrimin e pushtetit dhe pasurisë përreth pikërisht liderëve të luftës si Thaçi.

4 Responses

  1. Afrim thotë:

    shkrim i mire zoti Hajrullahu; qenke ma Filozof se Daqiqi, ne shkrimet tuaja;, eshte dashte para se te vendoset lapidari mete pyetur ty……

  2. Eseti thotë:

    E verteta gjihtmone dhemb, por shkrimi realaist! Hashimi ia ka huqur kesaj radhe me Luginen edhe ate me te madhe!

  3. Artani thotë:

    Eh moj Lugine mbasi je mbet Hashimi me te mbrojt e me te shajt!

  4. Fidani thotë:

    Pergezoj autorin per shkrim real.Se kta politakent tone real kendej e andej jane veq llafe te kota, e ne fund populli po vuan!

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch