Home » Lajme, Opinione » Për cilin kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit bëhet fjalë

Për cilin kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit bëhet fjalë

Nuk mund të ndryshohet sistemi politik, juridik dhe të cenohet integriteti territorial për shkak të ëndërrave dhe dëshirave gllabëruese serbe

Nga XHAVIT ÇITAKU
Dinamika e presionit ndaj qeverisë së Kosovës për të rifilluar dialogu me Serbinë, ditëve të fundit ka shënuar një ritëm të përshpejtuar. Pos BE-së, që është ndërmjetësuese e këtij dialogu, edhe SHBA-ja, aleati ynë i përhershëm, ka shprehur një interesim të theksuar për përfundimin e kësaj maratone bisedimesh, që epilog do të këtë njohje reciproke ndërmjet dy vendeve. Gjithësesi, edhe qeveria, opozita dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi e mirëpresin rifillimin dhe përfundimin e këtij dialogu, përkatësisht që të arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve. Mirëpo, çasja që po i bëhet me një përmbajtjeje gogja urdhëruese, por edhe deshpruese për Kosovën, nga të gjitha palët është e pakuptimtë dhe mjaft dyshuese se çfarë në të vërtetë fshihet prapa fjalës kompromis.Pos Serbisë e cila që një kohë të gjatë hapur ka dalur me opsionin se është për një kompromis, duke e shpalosur, në rend të parë, dëshirën për krijimin e Asosacionit serb me kompetenca ekzekutive, të tjerët e sidomos amerikanët ende nuk janë qartësuar se çfarë do të thotë kompromis për ta në këtë rrafsh bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkaq, vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Maas, në Kosovë sikur i dha një dimension të fuqishëm karakterit negocius që duhet të filloi me qëndrimin e palëkundur se epilogu duhet të përmbaj qartë njohjen e ndërsjell. Derisa Beogradi nuk është i kënaqur me këtë qëndrim të politikës e diplomacisë gjermane karshi dialogut, bie në sy edhe reagimi i politikanëve serb lidhur me atë se do të mund të rishikohet marrëveshja e arritur në mes të këtyre dy vendeve, gjë e cila do të jetë e papranueshme për këtë vend fqinjë.
E kaluara e shqiptarëve është mjaft tragjike
Ministri gjerman, Maas, ndër të tjera e tha edhe këtë: “ Nuk dua të vendos linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe s’dua edhe më tej ta ngarkoj procesin, por në fund të procesit dëshirojë të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet”. Ah! Kjo histori që nuk lë asgjë në harresë. Për dikë e kaluara është aq e tmerrshme, e trishtë dhe shumë e hidhur. E tillë ishte ajo shqiptare nën pushtimin serb. Ky pushtues barbar nuk la gjë pa bërë kundër shqiptarëve. I dëboi me dhunë nga pjesa më e madhe e Dardanisë dhe tani vetëm mund ta vizatojmë në harta dukjen e asaj toke iliro+ shqiptare, sepse ajo mbeti e përvetësuar, e grabitur dhe e tkurrur aq shumë nga bishat karpatiane. Nga ky këndvështrim duhet të niset e permendet historia tragjike e shqiptarëve dhe në anën tjetër të pushojnë presionet për kompromis e aq më pak për ide të ndryshimit të kufijve në Ballkanin perendimor, ngaqë kombi shqiptar më nuk mund të falë asnjë pëllëmbë të truallit shekullor për ëndërra e dëshira grabitçare serbe.
Udhëheqja dhe populli serb janë të vetëdijshëm se e kanë humbur përgjithmonë Kosovën, mirëpo duke u nisur nga një politik gllabëruese që ka bërë me shekuj në dëm të trojeve etnike shqiptare, edhe kësaj radhe po mundohen që të përfitojnë diçka që nuk u takon. Vuqiç dhe regjimi i tij, por edhe BE e ndërmjetësuesi Lajçak sa e sa herë po e përserisin se duhet të arrihet një marrëveshje kompromisi, që në këtë rast i bie që të favorizohet pala serbe, e cila po kërkon me ngulm që të formohet asosacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që do të thotë cenim i integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe jo vetëm kaq. Shtimin e apetiteve gllabëruese të shtetit serb, në masë të madhe po e ndihmon edhe neutraliteti i BE-së karshi pavarësisë së Kosovës, i cili, po ashtu, dorën në zemër, vetëm sa po e dëmton rëndë vendin tonë dhe po transmeton sinjale të këqija në disa shtete të botës, që në disa raste edhe kanë tërhjekur njohjet.Në fakt, ky qendrim neutral vetëm sa po e trimëron Serbinë që të shton kërkesat e saj, në mënyrë që në fund të fitoj atë që e ka synuar nga fillimi i dialogut. Pavarësisht se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, kjo nuk është arsye për të vepruar kaq padrejtësisht ndaj vendit tonë, aq më tepër kur kihet parasysh fakti se shtetësia jonë njihet nga mbi 110 shtete të botës.
Me të drejt shtrohet edhe pyetja tjetër se çfarë kompromisi të dhimbshëm duhet të bëj Kosova, që e ka përmend në disa raste Vuqiç e Lajçak e së fundmi edhe ministri gjerman i punëve të jashtme si dhe Presidenti amerikan Biden, në letrën dërguar Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit?. Po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 15 mijë shqiptarëve nga policia, ushtia e paramilitarët serb, po a ka më të dhimbshme se shkatërrimi i mbi 200 mijë shtëpive nga sodateska shoveniste serbe, po a ka më të shimbshme se dëbimi i rreth një milonë shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore, po a ka më të dhimbshme se dhunimi i rreth 20 mijë grave e vajzave shqiptare, po a ka ma tmerr e dhëmbshuri djegëja e kufomave të vrara nga fashistët serb, po a ka më të dhimbshme se sa vrasja e masakrimi i rreth 300 mijë shqiptarëve nga rajoni i Toplicës e rrethit të Nishit dhe dëbimi i të gjithë të tjerëve nga ato troje shqiptare. Dhe athua prapë shqiptarët duhet të bëjnë kompromis dhe të falin toka të tjera vetëm se kështu po don Serbia dhe disa aleat të saj. Jo, kjo nuk duhet të ndodh kurrë, sepse dhimbja është e madhe nga plagët e freskta që i ka shkatuar regjimi i Miloshviqit dhe krajlat tjerë antishqiptar në të kaluarën.
Të kërkohet takim urgjent me Presidentin apo sekretarin amerikan të shtetit
Pavarësisht kontributit të pakontestueshëm të disa shteteve të fuqishme evropiane në çlirimin e vendit dhe ndihmës materiale në shumë fusha, sa i përket dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lirshëm mund të thuhet se BE ka dështuar me vetë faktin se dialogu është stërzgjatur dhe kësisoj ende nuk është arritur epilogu i dëshiruar.Së këndejmi, është e udhës që urgjentisht të kërkohet një takim në Shëpinë e Bardhë më Presidentin amerikan apo edhe me sekretarin e shtetit në mënyrë që të përafrohen qendrimet me aleatin tonë dhe të qartësohet për së afërmi se sa të rrezikshme për funksionimin e shtetit të Kosovës janë kërkesat serbe, sidomos, ajo që ka të bj me asosacionin e komunave serbe që në mënyrë të drejtëpërderjtë cenon integrtetin e shtetit të Kosovës, për pavarësinë e të cilit ka dhënë aq shumë SHBA-ja. Se sa e rrezikshme është kjo kërkesë lë të merret parasysh Republika serbe në Bosnje Hercegovinë, në të cilin përfaqësuesit serb në Presidencën e këtij vendi pothuajse pengojnë çdo gjë që është në të mirë të prosperitetit të këtij vendi, ngaqë ndikim drekt në këto obstruksione ka udhëheqja e Beogradit. Kërkesat serbe karshi Kosovës janë edhe më të mëdha e të dëmshme, por kur është në pyetje integriteti territorial, këtu lëshime nuk mund të këtë, ndaj për këtë qendrim të palëkundur që do të këtë qeveria e jonë, duhet të njohtohet edhe administrata merikane. Tek e fundit, as qeveria dhe asnjë organ e institucion tjetër shtetëror nuk mund dhe as që kanë guximin politik e moral të nënshkruajnë diçka që është kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila shumicën e pikave të asosacionit i ka vlerësuar antikushtetuese.
Edhe vizita e sotme e Kryeministrit të Kosovës në Bruksel do të duhej të kishte në shnjëster “ vijat e kuqe” që ka pala kosovare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ngaqë çdo hamendje e lëkundje eventuale nga parimet bazë të funksionimit normal të shtetit, pasojat do të janë të pariparueshme. Nuk është çështja se këtë gjë nuk e dinë Albin Kurti, por, dorën në zemër, atij i mungon përvoja në ballafaqim më të tjerët, që gati janë plakur në jetën politike e diplomatike. Nuk ka nevojë as për vrazhdësi e injorancë, por vetëm për qasje argumentuese për të gjitha çështjet që preken dhe janë temë bisedash.
Dhek rejt në fund: Presidenti serb Vuçiq përherë deklarohet se është i gatshëm për dialog dhe arritje të një marrëveshjeje, por kjo, në fakt, është një taktikë e tij e kahmotshe vetëm e vetëm që të përfitojnë nga fondet evropiane e ndërkombëtare mjete të mëdha financiare, ashtu siç po ndodh në të vërtetë. Vuqiçit dhe udhëheqjes aktuale serbe shumë më tepër iu konvenon një status quo se sa të arrihet një marrëveshje përfundimtare, epilogu i së cilës do të ishte njohja reciproke. Për këtë epilog, kuptohet, nuk është i gatshëm të nënshkruaj presiodenti aktual serb, sepse dora e tij kriminale në shumë pjesë të ish- Jugosllavisë nuk ia lejon shpirtërisht ta bëj një gjë të tillë.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch