Home » Kulturë » Per LASGUSHIN – TAKIMI ME DY POETE TE RINJ

Per LASGUSHIN – TAKIMI ME DY POETE TE RINJ

Lasgush PoradeciNuk i di me emër se cilët ishin këta dy poetë të rinj në atë kohë, por kjo nuk ka rëndësi për tregimin tonë. Lasgushi u takua rastësisht me këta dy poetë, dy shokë, që kishin ardhur në Pogradec për të kaluar lejën krijuese.
Ishte muaji shtator dhe koha vazhdonte të ishte me diell dhe ngrohtë, por jo vapë si më parë. Të dy poetët e ftuan Lasgushin të pinin nga një kafe dhe u ulën në një tavolinë në verandën e barit të Turizmit të Vjetër, si i thoshin atij lokali në atë kohë. Në bisedë e sipër, njëri nga poetët e pyeti Lasgushin se, sipas mendimit të tij, cili ishte poeti më i mirë para çlirimit në vendin tonë.
– Unë, – përgjigjet shkurt Lasgushi, – sepse unë kam shkruar “Vallja e yjeve” dhe “ Ylli i zemrës”.
Kjo përgjigje nuk u pëlqeu të dy poetëve.
– Po tani, në kohën tonë, cilin poet vlerësoni si më të mirin? – pyeti poeti i dytë.
– Unë jam më i miri, – përgjigjet prapë shkurt Lasgushi.
– E pse mendoni se jeni më i miri? – vazhdoi ta pyesë i dyti.
– Po ja, kam shkruar poemën “Mbi ta”, kam shkruar baladën për Reshit Çollakun e Muharrem Çollakun e ndonjë vjershë tjetër.
Poetët që nuk e prisnin një përgjigje të tillë, mbetën të pakënaqur dhe nuk e ngacmuan më në këtë temë dhe heshtën. Por Lasgushi që e kuptoi heshtjen e tyre vazhdoi:
– Siç duket nuk ju erdhi mirë që u përgjigja ashtu e ju duk si mungesë modestie nga ana ime. Po ja t’ju them unë. Çdo njeriu që shkruan mund t’i duket vetja se është më i miri nga gjithë të tjerët. Njëri prej jush, për shembull, si e keni emrin ju? – pyet Lasgushi – pra, ju nxirrni një libër me vjersha. Ky shoku juaj, si shok që ju ka, pas një jave boton në gazetën “Drita” një artikull që i ngre lart poezitë tuaja, duke thënë fjalët më të mira për ju. Kur ju e lexoni artikullin me fjalët e mira për ju, dyshimi se mund të jeni vërtet më i miri, ju kthehet në bindje e besoni se jeni vërtet më i miri.
Pak më vonë, shoku juaj Y.. boton dhe ai një libër me vjersha dhe ju, si shok që e keni e si borxh që ia ke, shkruani dhe ju një artikull, ku e lëvdoni për poezitë e bukura që ka shkruar. Edhe këtij shoku i bëhet qejfi për fjalët e mira që shkruani dhe, ashtu si ju, beson se pikërisht ai është poeti më i mirë i kohës në vendin tonë. Kështu ndodh shpesh.
Se cili është në të vërtetë poeti më i mirë i kohës atë nuk e di as unë, nuk mund ta dini as ju. Atë e di vetëm Koha. Vetëm Koha me kalimin e saj nxjerr në dritë se cili ka qenë vërtet poeti më i mirë. Hë për hë, askush nuk e di këtë.

GJ. G.Pogradec, 1982.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2021 Kosovalindore.com · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch