Home » Kulturë » PER RRUGË E PERSPEKTIVA TË TJERA

PER RRUGË E PERSPEKTIVA TË TJERA

Shkruan : Prof.Dr. Agron XHAGOLLI

 

 

U bënë dy vjet që ishim në Preshevë dhe ja tashmë përsëri jemi bashkë. Atëherë e bëmë dasmën e madhe dhe më duket se sot jemi rikthyer si nusja për në gjininë e vet. Bukur, me një rikthim entuziast, jemi këtu për të folur rreth veprimtarisë “Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot”, për vlerat dhe rëndësinë që veprimtari të tilla kanë. Aq më tepër që tashmë e kemi nëpër duar përmbledhjen e të gjitha kumtesave që mbajtëm më 24 – 25 dhjetor të vitit 2011. Por më e bukura e këtij takimi të sotëm për mua është se jemi së bashku përsëri, diskutojmë, çmallemi me njëri – tjetrin, hapim rrugë e perspektiva të tjera pune…

Meritën kryesore, për të gjitha sa përmenda përmbledhtazi, e ka Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë, me në krye z. Xhemaledin Salihun. Ndaj të gjithëve ju ftoj, si pjesëmarrës të nderuar në këtë tubim, që të japim një duartrokitje të fortë, si shenjë nderimi dhe respekti për çka kanë bërë deri tani, por edhe si një nxitje për vazhdimësi në këtë rrugë, tashmë me trase të përcaktuar…

Libri që kemi në duar është goxha botim dinjitoz. Çdo libër i mirë përbën ngjarje për një komunitet të caktuar dhe të interesuar për tematikën përcjellëse. Por kur është fjala për dasmën në Preshevë dhe rrethina, besoj se nuk kemi të bëjmë thjesht me interesimin e një komunitetit të ngushtë. Baza e këtij interesimi zgjerohet dhe do të zgjerohet gjithnjë e më shumë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë trajtesa apo botime të përgjithshme rreth dasmës shqiptare, pa njohur apo pa përfshirë në to edhe dasmën në Preshevë dhe rrethina. Siç jeni dhe ju me dije, pa frikë mund të shtrojmë pyetjen: Cili studiues apo individ i interesuar do të mund të gjente burime më të pranueshme dhe më të besueshme se sa në një botim të tillë si ky që po e përurojmë sot?!

Shprehem në këtë mënyrë, së pari, pasi këtu, në këtë botim janë përfshirë jo thjesht 24 kumtesa të mbajtura gjatë Tribunës shkencore, por punime të zjeruara, të cilat rrokin, në këndvështrime të ndryshme, pothuajse të gjithë problematikën e dasmës shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot. Mund të them me plot gojën se tashmë kushdo që do të thotë diçka më shumë për dasmën në Preshevë dhe rrethina, medoemos do t’i duhet t’i drejtohej kësaj përmbledhjeje, edhe në rastet kur mund të ketë objeksione rreth trajtesave të caktuara. Natyrisht, nga ky lloj vlerësimi nuk mund të them se tashmë është e përfunduar trajtesa rreth dasmës në këto zona. Por sidoqoftë, një bazë mjaft e mirë, një pikë e domosdoshme referimi tashmë është ravijëzuar qartë në përmasa dhe vlera serioze.

Së dyti, është e rëndësishme të theksojmë se të 24 punimet janë gjithëpërfshirëse, në aspektin e pasqyrimit të të gjithë përbërësve të një dasme. Me fjalë të tjera, dasma është shqyrtuar si në një monografi të plotë, ku dukuritë janë parë në natyrën sinkretike të tyre, ashtu siç dhe gjallon në të vërtetë dasma në Preshevë dhe rrethina. E kjo nënkupton se në vetë ceremonialin e dasmës shkrihen, harmonizohen, gërshetohen momentet rituale me praktikat artistike. Gërshetimi i pikësynimeve praktiko-utilitare me vlerat estetike, në këtë përmbledhje që po e përurojmë është shpërfaqur qartazi nëpërmjet trajtesave që e përcjellin dasmën në këndvështrimin etnografik (ku më së shumti shprehen nevojat praktiko-utilitare, konkretisht momentet rituale), në aspektin e teksteve, të muzikës, të valleve, të veshjeve (ku në tërësi shprehen dhe pasqyrohen vlerat estetike). Një këndvështrim i tillë i ka dhënë shumë vlera këtij botimi të ri, pasi jo vetëm e zgjeron së tepërmi rrethin e të interesuarve, por e nxit dhe më shumë kureshtjen.

Së treti, meritë e vlerësueshme është fakti se organizatorët e veprimtarisë gjatë vitit 2011 kanë ditur të përzgjedhin dhe të ftojnë për të marrë pjesë studiues të njohur në albanologji, të cilët kanë sjellë një ndihmesë të padiskutueshme, krahas atyre specialistëve vendas, jo të pakët në numër, që kanë një jetë që merren konkretisht me realitetet etnokulturore shqiptare në Preshevë dhe rrethina. Një mpleksje e tillë e kumtuesve, trajtesat e tyre, pothuajse gjithëpërfshirëse, kanë bërë të mundur që të vijnë me të drejta të barabarta në këtë libër, dija teorike me lëndën faktike, të regjistruara në mjesiset konkrete nga njohës dhe përgjithësisht praktikues të ceremonialit të dasmës në këto hapësira shqiptarësh.

Së katërti, veprimtaria shkencore dhe botimi konkret që po e përurojmë kanë një rrugë të re, e cila kërkon vazhdimësi, pa e ulur aspak nivelin shkencor, përkundrazi, duke kërkuar gjithnjë e më shumë cilësi dhe gjithnjë cilësi më të larta. Tashmë duhet një përballje me sfida jo të lehta, pasi steka është ngritur tashmë lart.

Nisur pikërisht nga kjo lloj kërkese, do të lejoni të theksoj nevojën për të hartuar një strategji të menduar konkretisht, me qëllimin dhe dëshirën e mirë që vazhdimësia të mos ndërpritet, por të jetë gjithnjë e më shumë cilësore. Natyrisht, fjala ime do të pasohet dhe nga kolegët e tjerë pjesëmarrës, të cilët i ftoj që krahas vlerësimeve, të përcjellin dhe mendimet konkrete që kanë për ecjen e mëtejshme në studimin e etnokulturës shqiptare në Preshevë dhe rrethina.

Midis të tjerash do të theksoja nevojën e kërkimeve sistematike, të organizuara dhe komplekse, në fshatra dhe në njerëz të veçantë të Luginës së Preshevës, lidhur me etnokulturën e tyre, në traditë dhe në bashkëkohësi. Gjithnjë kërkime të tila duhen organizuar mbi bazën e platformave shkencore dhe të mos jenë kërkime thjesht të rastësishme. E mira do të ishte që kërkimet të realizohen nga specialistë të fushave të ndryshme. Kështu p.sh., nëse planifikohet një ekspeditë folklorike është e nevojshme që të ketë në përbërje të saj një tekstolog, një etnomuzikolog, një etnokoreolog, si dhe një specialist të veshjeve. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizohen kërkime të frytshme, të cilat do të përcjellin jetën sinkretike të krijimeve folklorike.

Nga ana tjetër mendoj se duhet një punë parapërgatitore lidhur me ruajtjen dhe me respektimin e kritereve shkencore gjatë regjistrimit të krijimeve të  ndryshme folklorike. Nga shqyrtimi i vëmendshëm i botimeve të deritanishme, me krijimtari folklorike nga Lugina e Preshevës, rezulton se krahas vlerësimeve pozitive, ka vend dhe për ndonjë kritikë objektive, lidhur me mosruajtjen dhe mosrespektimin, në të gjitha rastet, të kritereve të regjistrimit folklorik, si p.sh. moszbatimi i parimit fonetik, mosdhënia e shënimeve sqaruese, mosparaqitja e pasaportës apo kartelës së subjekteve etj. Ndaj mendoj se është e nevojshme që të ketë parapërgatitje me njohjen e kërkesave shkencore të domosdoshme për regjistrimet folklorike.

Bashkëkohësia po dëshmon gjithnjë e më shumë se si pasojë e ndryshimeve shoqërore, ekonomike, me zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të reja gjithnjë e më shumë po kalohet drejt një standartizimi dhe rrafshimesh të specifikave dhe veçorive të komuniteteve apo të bashkësive të ndryshme. Një dukuri e tilë e bën gjithnjë e më të domosdoshme që të realizohen kërkime sistematike, ngado, me pikësynim regjistrimin e sa më shumë vlerave identifikuese të bashkësive të ndryshme. Jo kudo ka braktisje të krijimtarisë folklorike dhe këto mjedise duhet të njihen dhe të realizohen kërkime urgjentisht. Deri më sot nuk kemi asnjë dëshmi të shkruar rreth ekzistencës së këngëve të kreshnikëve në Luginën e Preshevës. Por kohët e fundit ka, disa dëshmi gojore se kjo lloj kënge ka ekzistuar kryesisht në Bujanoc dhe fshatra përreth. Për më tepër kam informacion se ende ka dy – tre rapsodë të këtyre këngëve që mundet t’i këndojnë ende ato. Faktimi i kësaj gjendjeje do të ishte me vlera të mëdha shkencore, pasi deri më sot hapësira shqiptare e praktikimit të këngëve të këtij lloji folklorik duhet të jetë paraqitur më e kufizuar se sa mund të ketë qenë në të vërtetë.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, meqë mua m’u dha kënaqësia të hap siparin, i përshëndes përsëri organizatorët, duke ju uruar të mos rreshtin me punë të tilla kaq të mira, në dobi të ruajtjes së vlerave të paçmuara të traditës tonë.

 

 

Tiranë, 2013

One Response

  1. Eve Valenzuela thotë:

    Shpesh herë studiuesit e sotëm futen në mendime të thella për të kuptuar gjuhët e vjetra të njerëzimit. Ata përdorin metoda shkencore klasike për zbërthimin e gjuhëve të lashta dhe në të shumtën e rasteve gabojnë në zbërthimin e këtyre gjuhëve. Nuk duhet harruar se shpeshherë për të kuptuar botën e lashtë, gjuhët e njerëzve të antikës duhet të mendojmë dhe punojmë edhe me logjikën e thjeshtë. Sepse njerëzit në lashtësi mendonin dhe punonin me thjeshtësi. (Nga disa studime që kam bërë për gjuhën shqipe kam vërejtur se shumë studiues shqiptarë të gjuhës shqipe kanë bërë gabime në deklarimin e shumë fjalëve shqipe se gjoja kanë prejardhje nga greqishtja, sllavishtja etj. Unë kam gjetur disa fjalë që deklarohen të ardhura, por në të vërtetë ato janë fjalë të gjuhës shqipe që popujt e tjerë i kanë marrë nga ne. Këto gabime ndoshta janë bërë nga studiuesit tanë që nuk njohin mirë gjuhën shqipe dhe gjuhët e fqinjëve tanë. Është e vërtetë që ne sot nuk dimë fjalët e gjuhës shqipe që janë ruajtur nga malësorët shqiptar të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, arbëreshët e Italisë, Greqisë, Bullgarisë, Korsikës etj).

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch