Home » Lajme, Ndërkombëtare » Përafrim qëndrimesh, por pa marrëveshje në Bruksel

Përafrim qëndrimesh, por pa marrëveshje në Bruksel

Bruksel, 17 maj – Në Bruksel është mbajtur sot edhe një raund i bisedimeve teknike mes Prishtinës dhe Beogradit. Takimi i ekipeve teknike, i përfaqësuar nga zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, dhe shefi i ekipit serb Dejan Paviqeviq, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete.

Temë e diskutimeve ka qenë telekomunikacioni dhe energjetika.

Shefi i ekipit serb në bisedimet teknike, Dejan Paviqeviq, pas përfundimit të takimit e ka vlerësuar si shumë pozitiv takimin, duke nënvizuar se ka pasur konstruktivitet të madh nga të dy palët. Megjithatë, në raundin ku janë diskutuar telekomunikacioni dhe energjetika nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

“Tash për tash nuk është arritur asgjë konkrete, por ka pasur përparim dhe mendoj se është e mundur që të arrihet marrëveshje, por ka ende disa gjëra që duhet të bisedohen”, ka thënë Paviqeviq, duke vlerësuar se në takim janë kthyer ato pika që konsideroheshin të vdekura.

“Është folur për shumë gjëra, janë shumë çështje komplekse dhe ato që janë të lidhura për telekomunikacion, si funksionimi i telefonisë fikse dhe mobil, por edhe në energjetikë, siç është distribucioni”, është shprehur Paviqeviq.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tash një sërë marrëveshjesh në kuadër të dialogut teknik në Bruksel, por deri më tani nuk është zbatuara asnjëra nga to. Ndërkohë që edhe marrëveshja për normalizim raportesh, e arritur mes dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, më 19 prill në Bruksel, nuk ka nisur ende të zbatohet.

Shefi i diplomacisë gjermane, Guido Vestervelle, të hënën do të vizitojë Beogradin e më pas Prishtinën. Mediat serbe shkruajnë se vizita e papritur e ministrit të Jashtëm gjerman bëhet për shkak të zvarritjes që po i bëhet planit për zbatimin e marrëveshjes Serbi Kosovë. Zyrtarë në Berlin kanë thënë se nëse Serbia vazhdon me këtë sjellje, nuk do ta marrë në qershor datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.

Raundi i ri i dialogut midis kryeministrit të Kosovës Thaçi, dhe atij të Serbisë, Daçiq,  në kabinetin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, është caktuar për datën 21 maj. Mediet e Beogradit konsiderojnë se ky takim do të jetë nxitje e re për bisedimet e ardhshme teknike.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch