Home » Lajme, Vendore » Përfundon takimi pa marrëveshje konkrete për zbatimin

Përfundon takimi pa marrëveshje konkrete për zbatimin

Ka përfunduar takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, i ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton. Palët nuk kanë arritur ndonjë pajtim konkret për zbatimin e marrëveshjes, mirëpo janë pajtuar në parim që marrëveshja duhet të zbatohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq kanë përmbyllur në Bruksel bisedimet e nisura një ditë më parë, me qëllim të arritjes së dakordimit për planin e zbatimit.

Nga zyra e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është edhe ndërmjetësuese e procesit, është thënë se Thaçi dhe Daçiq ”kanë rënë dakord për një tekst të caktuar, për të cilin do të diskutojnë”.

”Ata do të jenë në kontakt me mua deri në fund të javës”, ka thënë baronesha Ashton.

Kryeministri Thaçi ka thënë se bëhet fjalë për pajtueshmëri parimore dhe se fjalën kryesore do ta kenë qeveritë e të dyja vendeve.

”Kemi arritur pajtueshmëri parimore sa i përket planit të implementimit. Ka mbetur që kjo pajtueshmëri të verifikohet në kuadër të Qeverive të Kosovës dhe të Serbisë. Në pajtueshmërinë parimore janë të përcaktuara periudhat kohore dhe aktorët implementues në gjashtëmujorin e ardhshëm”, ka thënë Thaçi.

Ngjashëm është shprehur edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se është arritur deri te një tekst, i cili përfshin planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, por për të cilin do të deklarohen qeveritë e Serbisë dhe të Kosovës.

”Plani përmban veprime dhe afate kohore, të cilat duhet të realizohen në muajt e ardhshëm”, ka thënë Daçiq.

Javën e ardhshme, të dy kryeministrat do të i japin përgjigje baroneshës Ashton lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshje.

(RTK)

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch