Home » Lajme » PËRGJIGJEN ME MAKOLLIN

PËRGJIGJEN ME MAKOLLIN

Autoritetet kosovare duket se po i përgjigjen vizitës së Presidentit Boris Tadic, duke dërguar në Luginë të Preshevës Ibrahim Makollin. Kjo mohohet nga Ministri i Diasporës. Sipas tij, vizita ka qenë e planifikuar më herët. E Oliver Ivanovic nuk është kundër këtyre vizitave, por thotë se atje nuk duhet të shkojnë zyrtarët që kanë fletëarreste nga Serbia.

Autoritetet kosovare kanë vendosur t’i përgjigjen vizitës së Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, në Kosovë, duke dërguar në Luginën e Preshevës Ministrin për Diasporë, Ibrahim Makollin.

Si pretekst për këtë po merret ftesa që ka bërë një grup intelektualësh shqiptarë nga lugina, të cilët në fakt kanë kërkuar që atje të shkojnë zyrtarë të lartë nga Kosova, Presidentja ose Kryeministri i vendit.

Por, për këtë si duket tashmë mendjen e ka ndarë Ministri Makolli, i cili megjithatë thekson se një vizitë e tillë nuk ka të bëjë me thirrjen e intelektualëve shqiptarë, por se ka qenë planifikuar më herët.

Udhëtimin drejt Luginës Makolli ka planifikuar ta bëjë të enjten, por thotë se nuk po shkon atje të zëvendësojë krerët e shtetit të Kosovës.

“Më lejoni të them diçka, unë nuk pretendoj të zëvendësoj as Presidenten as Kryeministrin as kërkon tjetër, as edhe një ministër të vetëm. Unë po tentoj me i kry përgjegjësitë e mia që i kam edhe ligjore dhe përkujdesje ndaj bashkëkombëseve në këtë kuadër dhe procesi ka të bëjë me takimin e lidershipit politik”, ka thënë ai.

“Unë po planifikoj të shkoj në ditën e enjte, jam i interesuar që të takohem me kryetarë komunash, përfaqësues të institucioneve, me deputetë dhe liderë shqiptarë atje dhe me ata serbë, pra me të gjithë akterët politikë atje”, ka shtuar Makolli.

Ministri i Diasporës, sipas të gjitha gjasave, do të hyjë në Serbi si qytetar i rëndomtë, duke shfrytëzuar mundësinë që ka krijuar marrëveshja për lëvizjen e lirë e arritur në Bruksel kohë më parë.

Por, Makolli ka thënë se mosnjohja e deritashme e dokumenteve nga Serbia nuk ka qenë arsyeja pse nuk ka shkuar atje. Sipas tij, kjo ka ndodhur sepse ai nuk ka pasur kohë.

“Unë një vizitë të tillë e kam planifikuar qysh moti, por nuk kam mundur të realizoj për shkak të angazhimeve të shumta që i kam pas. Kjo vizitë nuk ka të bëjë me thirrjen e atyre, por me vetë kërkesën time dhe ka për qëllim zgjerimin e aktiviteteve dhe veprimeve tona dhe me lidershipin institucional të Luginës së Preshevës”, ka thënë Makolli.

Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe kanë vazhduar polemikat rreth vizitës së Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, i cili bëri deklarata politike, duke thënë se Kosova është tokë serbe dhe se Serbia nuk do ta njohë atë kurrë.

Pala kosovare kishte thënë se Tadic është zotuar se nuk do të bëjë deklarata të tilla. Pikërisht për këtë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuci kishte deklaruar se Tadic më nuk do të mund të hyjë në Kosovë.

Ndaj kësaj ka reaguar Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Sutanovac, duke thënë se mesazhe të tilla vetëm i komplikojnë edhe më tej punët.

“Paaftësia e qartë e autoriteteve të Prishtinës për të vendosur një rend demokratik shihet edhe nëpërmjet shkeljeve të të drejtave të njeriut si dhe të drejtave të minoriteteve me kërcënime dhe manipulime konstante. Mesazhi i paqes, të cilin presidenti Tadic e adresoi nga Deçani, ka hasur në dënimin e atyre për të cilët paqja nuk është në interes sepse janë mësuar të notojnë vetëm në ujëra të turbullta”, ka thënë Sutanovac.

Për këtë ka folur edhe sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic, i cili ka thënë se nuk është kundër vizitave të zyrtarëve kosovarë në Preshevë, por, sipas tij, nuk mund të krahasohen.

“Unë nuk jam kundër asnjë vizite, përveç nëse bëhet fjalë për personat që janë nën urdhërarreste. Pra, paraprakisht, propozoj që të shqyrtohet situata dhe të vërtetohet nëse dikush do të duhej të arrestohej kur të kalojë ‘linjën administrative’ dhe të vijë në Preshevë e Bujanoc, sepse ka edhe raste të tilla”, thotë Ivanovic për REL.

Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi thotë se vizitat reciproke duhet të ndodhin.

“Nëse Kosovën e vizitojnë udhëheqësit më të lartë të Beogradit, edhe partiakë edhe shtetërorë, përse zyrtarët e Prishtinës të mos vijnë në Serbi? Unë mendoj se po shkojmë drejt kësaj dhe marrëveshjet në Bruksel me siguri se do ta lehtësojnë një mundësi të tillë”, thotë Halimi.
Nga Leonora Aliu 11 Janar 2012
“Express”

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch