Home » Opinione » PËRMBYSJE E VLERAVE DHE IDEALEVE

PËRMBYSJE E VLERAVE DHE IDEALEVE

Shkruan: Nehat Hyseni

 

Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 janë përmbysur idealet, vlerat dhe nocionet e të kuptuarit të atdhetarizmit dhe të patriotizmit kosovarë. Pra, gjithçka ka filluar të “lexohet” dhe interpretohet mbrapshtë, krahasuar me periudhën e mëparëshme.

Sa duket, “fajtor” për këtë përmbysje vlerash, është Marrëveshja “historike” e Brukselit, e 19 prillit 2013 midis Kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Prej kësaj date, gjërat kanë filluar të “shikohen” dhe interpretohen ndryshe. nga partia politike që është duke udhëhequr Kosovën qe gjashtë vjet, e që kryetari i saj aktualisht është edhe Kryeministër i Kosovës, duke krijuar mazhorancë të brishtë me pakicën shqiptare dhe minoritetet në Kuvendin e Kosovës.

Tani, me fillimin e fushatës parazgjedhore ka mbetur pa mazhorancë, me 60 nga gjithsej 120 deputet që ka Parlamenti kosovarë. Meqë puna e Kuvendit është bllokuar për shkak të bojkotimit të punës së tij nga vet pozita, kemi paralizim total të pushtetit qendrorë.

Kryeministri aktual i Kosovës, z. Hashim Thaçi, në vend që t’i përkushtohet punëve të shtetit të Kosovës, për çka edhe ka mandatin e fituar tre vjet mê parë, ai udhëheq fushatën parazgjedhore të partisë së tij, duke iu përkushtuar kryekëput kësaj çështjeje. Madje, ai e ka vënë në dispozicion të fitores së pushtetit lokal nga partia e tij edhe tërë Buxhetin e Kosovës, duke premtuar miliona euro poqese fiton partia e tij në komuna.

Paralelisht me këtë, si veçori e këtyre zgjedhjeve lokale është e ashtuquajtura betejë “për integrimin e serbëve në rendin kushtetues të Kosovës”, duke krijuar Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, që përfshinë serbët e veriut dhe ata të enklavave serbe anembanë Kosovës.

Ky Asociacion i komunave të tyre ka kompetenca të autonomisë substanciale, me ingjerenca thelbësore të shtetësisë. Faktikisht, paraqet “shtet brenda shtetit” të Kosovës, me mëvetësinë e nivelit të pothuajse pavarësisë së plotë gjyqësore, financiare, të sigurisë dhe të organizimit institucional.

Pra, se shteti serb që do të krijohet brenda Kosovës, si thotë populli, “brina s’ka”! Ai është një realitet që do të ndërtohet pas zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013.

Këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e liderëve Serbisë në fushatën zgjedhore, si psh. të Kryeministrit të Serbisë, z. Ivica Daçiq, më 19 tetor, duke e emërtuar kinse si “vizitë fetare”. Pra, ishte ky një ironizim i palogjikshëm, duke na servuar dokrra të pacipë politike.

Sepse, një politikan serb na cilësohet sikur të ishte “pop”, që vjen për shërbesa fetare, duke dhënë pastaj deklarata politike që kanë të bëjnë direkt dhe kryekëput me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Madje, për ta fshehur turpin e mospërfilljes së integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës nga kryeministri serb, z. Thaçi del dhe e falemnderon ate publikisht, sepse po i kontribojka daljes së serbëve në zgjedhje!

Andaj, mos u çuditni kur të dëgjoni nga të njejtët persona qëndrime dhe vlerësime diametralisht të kundërta me ato që kanë deklaruar më parë. Pra, ate që deri dje e quanin “tradhëti” kombëtare, tani na e servojnë si “patriotizëm”.

Kemi një “sallto mortale” sui generis të politikbërjes aktuale në fushatën parazgjedhore, si përmbysje vlerash dhe parimesh fundamentale të të kuptuarit dhe praktikuarit të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, edhe ata që dyshohen se kanë kryer krime, që kanë luftuar kundër sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës, jo vetëm që nuk do të ndiqen nga organet e e rendit  të Kosovës, duke i sjellur para drejtësisë dhe përgjegjësisë. Përkundrazi, ata shpërblehen me poste, duke u inkadruar edhe në forcat e ruajtjes së rendit dhe Ligjit në Republikën e Kosovës!

Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, sa duket, janë përmbysur idealet, vlerat dhe nocionet e atdhetarizmit dhe të patriotizmit kosovarë dhe gjithçka ka filluar të “lexohet” e interpretohet mbrapshtë, krahasuar me periudhën e mëparëshme.”Fajtor” për këtë është “Marrëveshja historike” e Brukselit, e 19 prillit 2013 midis Kryeministrit Thaçi dhe Daçiqit, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

Prej kësaj date, gjërat kanë filluar të “shikohen” dhe interpretohen ndryshe.

Andaj, mos u çuditni kur të dëgjoni nga të njejtët persona qëndrime dhe vlerësime diametralisht të kundërta me ato që kanë deklaruar më parë.

Sa duket, i tillë është rasti i emërimit të Nenad Gjuriqit, si Komandant të policisë në veri të Kosovës! Pra, ky person do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, edhepse, siç njoftuan mediat kosovare, dyshohet se ka qenë pjesë e forcave policore të Serbisë që masakruan familjen e Jasharajve në Prekaz në vitin 1999!

Pra, Qeveria e Kosovës ia beson postin më të rëndësishëm tē ruajtjes së sovranitetit dhe rendit e Ligjit, pikërisht atij që mori pjesë aktive në vrasjen e heronjëve të Kosovës!

Ky është një absurd i paparë dhe paraqet vrasje prej së vdekuri të Jasharajve, pikërisht nga ata që veten e deklaronin si bashkëluftëtarë të Adem Jasharit dhe familjes së tij! Madje, duke na shitur këtë si “europianizëm” dhe “fitore të demokracisë”!

Njerëzit tani janë “trullosur” dhe pyesin veten, vallë ç’është duke ndodhur aktualisht në Kosovë? A thua Gjuriqi dhe shokët e tij që kryen krime  gjenocidale mbi shqiptarët e pafajshëm, kanë ndryshuar dhe nuk janë më kriminelë? Apo, ndoshta ata shqiptarë, viktima të pambrojtura, si puna e familjes së Jasharajve, gra e fëmijë,  na qenkan “fajtorë” dhe “kriminelë”?!

Pastaj, shtrohet pyetja se sa do të punojnë ata që masakruan familje shqiptare dhe luftetarë të lirisë,  për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës, për të cilin u flijuan bijtë dhe bijat më të mira të kombit?

Pra, si asnjëherë më parë, pikërisht këto  ditë të fushatës parazgjedhore, imponohet shija e hidhur  e humbjes, përmbysjes dhe përdhosjes  së vlerave elementare të shtetësisë dhe të idealeve të mbarë shoqërisë kosovare. që assesi nuk paraqesin ogur të mirë për një ardhmëri të lumtur, për perspektivë të ndritur dhe mirëqenie të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch