Home » Kulturë » PËRSHËNDETJE DHE FALËNDERIME, MIKU KRIJUES VANGJUSH ZIKO!

PËRSHËNDETJE DHE FALËNDERIME, MIKU KRIJUES VANGJUSH ZIKO!

Nga: Murat Gecaj

VANGJUSH ZIKO - libri

1.

Të shkruash  vetëm pak radhë për një koleg e mik të nderuar, sigurisht, është sa e vështirë, por dhe me përgjegjësi. Në rastin konkret, e kam fjalën për këtë skicë të thjeshtë, për të cilën sot u bë shkaktar miku im, Paparim Hysi ose Papi. Mbrëmë, ai mori në telefon, në shtëpinë tonë dhe kërkoi takim me mua, për ta çuar në vend një porosi të mikut të përbashkët, poetit të shquar lirik dhe krijuesit të njohur, Vangjush Ziko. Nuk dua të “rrëfehem” për kohën qëkur i kam lexuar me ëndje poezitë e tij aq të bukura, por sigurisht kanë qenë vitet e studimeve universitare. Arsye e veçantë ka qenë edhe fakti se ai ka studiuar në Moskë dhe ka shqipëruar disa autorë ruse. Por dhe unë kam qenë pas tij student në Petërburg (ish-Leningrad) dhe sikur na kanë lidhur ato “fije” të padukshme, për së largu, edhe pse nuk kam shkruar poezi, për të cilat ai dallohet në mesin e lirikëve më të njohur shqiptarë.

Nga ana tjetër,ka disa vite që me Vangjushin dhe mjaft kolegë e miq të tjerë, jemi tubuar rreth vatrës së ngrohtë e miqësore të shkrimtarëve, poetëve e publicistëve të faqes së Internetit, me emrin e bukur simbolik, “Bota e Re”. Bile, ai është nderuar duke qenë mbikëqyrës i kësaj faqeje.

Pa e zgjatur, tregoj se Papin  e takova në lokalin “Ulqini” në qendër të kryeqytetit dhe se mikja e përbashkët, Raimonda Moisiu, me banim në Nju Jork, i kishte lënë për mua librin poetik, me titullin “Lirika: Mbase, nesër gdhin e diel”(Tiranë, 2015). Atë ma kiste dërguar dhuratë, vetë poeti Vangjush Ziko,  që nga Kanadaja e largët, ku ka disa vite, që jeton me familjen. Sigurisht, së pari, shpreha falënderimin dhe urimin tim të përzemërt për autorin e librit, por dhe për Mondën e Papin, që e plotësuan kërkesën e tij.

Nuk është qëllimi i kësaj skice të flas për përmbajtjen e këtij libri,  edhe sepse nuk jam poet dhe as i aftë ta bëj siç duhet analizën e tij. Ndërsa, jam i sigurtë që dikush tjetër do ta realizojë këtë gjë dhe, bile, me profesionalizëm. Pra, unë vetëm po publikoj këtu ballinat (kopertinat) modeste, që i bëra librit në fjalë, me aparatin tim fotografik.

Në mbyllje, e përgëzoj dhe e përshendes përzemërsisht për këtë libër, kolegun dhe mikun e mirë, Vangjush Ziko. Me këtë rast, sinqerisht, i uroj atij: Shëndet të plotë e jetëgjatësi, begati, mbarësi e krijimtari, si dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

2.

Krijuesi i talentuar Vangjush Thoma Ziko ka lindur në qytetin e Korçës, në vitin 1931. Aty përfundoi arsimin fillor, shtëtvjeçar dhe të mesëm. Shkollën  e lartë për letërsi e kreu në Institutin “Maksim Gorki” të Moskës. Më tej, u kthye në vendlindje dhe shërbeu mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe pedagog i letërsisë e i gjuhës ruse, në Universitetin “Fan Noli” të Korçës.

Është i njohur për krijimtarinë e tij të pasur e cilësore, në poezi e prozë, duke nisur nga viti 1959. Gjithshtu, ka shkruar skenarë e librete dhe ka përkthyer 11 vepra nga gjuha ruse, sidomos poezi lirike të Pushkinit, Eseninit, Eftushenkos etj.

Gjithashtu, Vangjush Ziko është autor i mjaft studimeve,eseve dhe skicave të bukura letrare, si dhe ka bashkëpunuar në hartimin e teksteve të letërsisë për shkollat tona. Gjithnjë është dalluar për pjesëmarrje aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe i ka ndihmuar pa u kursyer talente e reja. Është aktivizuar edhe në botimin e disa revistave periodike kulturore. Për punë të mirë është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë. Klubi Letrar “Bota e Re”, i Korçës, e ka v lerësuar me “Kurora e Krijimtarisë-2006”.

Megjithëse tash 12 vjet jeton larg vendlindjes e Shqipërisë, me mendje e zemër, gjithnjë është pranë të afërmve të gjakut, kolegëve, miqëve e dashamirësve të shumtë dhe e vazhdon pandërprerje krijimtarinë letrare.

Dëshirojmë e shpresojmë, që me kolegun dhe mikun tonë Vangjush Ziko të shihemi së shpejti në kryeqytetin tonë. Sigurisht, atëherë përsëri këtu do të çmallemi dhe do të flasim, jo vetëm për këtë libër poetik, që përmendëm kësaj radhe, por dhe për sa e sa ngjarje të jetës së përditëshme dhe çështje të fushës së krijimtarisë!

Tiranë, 25 shkurt 2016

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2019 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch