Home » Kulturë » PËRUROHET LIBRI ME POEZI I VENKA CAPËS, “UNË PREK ME FRYMË”

PËRUROHET LIBRI ME POEZI I VENKA CAPËS, “UNË PREK ME FRYMË”

Sot paradite, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit tonë, u organizua përurimi i librit të dytë me poezi të Venka Capës, “Unë prek me frymë”(Tiranë, 2011). Redaktore është Fatime Kulli dhe hyrjen e ka shkruar po ajo. Gjithashtu, aty janë publikuar mendimet e shprehura për këtë vëllim me vjersha nga Kristaq F.Shabani, Prend Buzhala e Pilo Zyba.

Në këtë përurim kishin ardhur kolegë e miq të autores, shkrimtarë e poetë, mësues e nxënës, nga Shoqata  e personave me aftësi të kufizuar, media e shkruar dhe ajo elektronike e tjerë.  Për të gjithë pjesëmarrësit ishte kënaqësi e veçantë, që  dëgjuan fjalët e mira, që u thanë për krijimtarinë e Venkës, për ndjenjat e mendimet e shprehura përmes vargjeve dhe mesazhet, që ajo përcjell në poezitë e saj. Se, duke i sfiduar aftësitë e kufizuara në shëndetin e saj, ajo ka gjetur qetësi shpirtërore dhe optimizëm për jetën, përmes vargjeve të saj të frymëzuara.

Fjalën e hapjes e mbajti shkrimtarja e publicistja F.Kulli dhe, në vazhdim, Prof. M.Gecaj nënvizoi lirizmin e 70 poezive të këtij vëllimi, që dallohet për mendime të gjetura e origjinale dhe që përshkohet nga një shqetësim i  natyrshëm i një vajze me probleme shëndetësore, por që ka guximin të ecë e sigurtë në radhën e bashkëmoshtarëve, e motivuar nga bukuritë e kësaj jete. Pas tij folëm me radhë poetë e shkrimtarë, miq e kolegë të autores së re Venka Capa, që theksuan shpirtin  njerëzor të autores, dashamirësinë e dukshme të saj për të gjithë. Prandaj ajo ka shkruar edhe poezinë me titull, “Nuk kam urryer kurrë”. Gjithashtu, për veçoritë e stilit dhe gjuhën poetike të kësaj autoreje, për cilësitë që e dallojnë individialitetin poetik të saj,  diskutuan shkrimtarë, poetë e publicistë: Kolec Traboini, Iliriana Sulkuqi (me banim në Nju Jork), Albert Zholi e Vladimir Shyti; bashkëkrahinasit Velo Mazniku, Mersin Hoxha  dhe Eduard Abazi. Ndërsa shkaktuan emocione recitimet e poetes së re nga Elbasani  Elisa Gjerani dhe të Elona Halilajt, të anëtareve të Shoqatës së personave me aftësi të kufizuar Shqipe Zekthi dhe Adi Koçi, e ardhur posaçërisht me karrocë nga Durrësi në këtë përurim.

Prekëse për të pranishmit ishin fjalët përmbyllëse dhe falënderuese të vetë poetes Venka Capa, e cila u shpreh se poezia vjen dhe buron në shpirtin e saj nga dhimbja, se kurrë nuk e kishte ndjerë veten më të emocionuar dhe se pikërisht sot ishin festë e dasëm e vërtetë për të.

 

Mendimi i përbashkët, i pjesëmarrësve në këtë përurim të këndshëm dhe të paharruar të vëllimit me poezi të Venka Capës, ishte se ajo meriton nderim dhe respekt për punën krijuese dhe përkushtimin e saj, jo vetëm ndaj poezisë, por dhe për të qenë e denjë dhe e barabartë ndërmjet kolegëve krijues dhe gjithë bashkudhëtarëve të brezit të saj. Prandaj gjejmë rastin t’i urojmë nga zemra: Shëndet të plotë, krijimtari të vazhdueshme, të bollshme e cilësore dhe lumturi në jetën e saj!

 

(Fotot: nga autori)

Tiranë, 15 nëntor 2011

Nga: Prof.Murat Gecaj

Publicist e studiues-Tiranë

 

Leave a Reply

You must be Logged in to post comment.

© 2020 KosovaLindore · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress
ShqipEnglishDeutsch